Maks Velos ç’i panë sitë…

maks-velo

 

Në një bejte të vitit 1926, Zgjidh e merr, Fan Noli, përmes rimash që këpusin mish, bën një tablo të tipave të shqiptarit ndarë në gjeografi fizike e karakteriale. I rrëzuar nga pushteti, të cilin e pat fituar jo me zgjedhje por me grusht shteti, nga një verior, matjani Ahmet Zogu, por edhe përfaqësues i një partie, Popullores, me përqendrim dhe influencë në jug të vendit, Noli nuk i shpëton paragjykimeve ndaj veriorëve dhe një miklimi ndaj jugorëve, përjashto këtu myzeqarët të cilët i bën copë. Por, nuk janë vetëm këto dy ‘të meta’ në biografinë e Imzot Nolit: ai është në njëfarë mënyre një shqiptar emigrant në vendin e vet. I lindur, rritur, arsimuar jashtë, ai pati me Shqipërinë një njohje të pamjaftë.

Disa prej tipizimeve të Nolit kanë bazament, por qoftë edhe vështirësia për të krijuar rima tingëlluese flet për atë se janë, ose zemërime ose qëmtime të të tjerëve, të cilat ai i ka futur më pas në herbariumin e vet gjeografik. Pra, në thelb, ravgimet e Nolit janë qëndrime politike. Ose më saktë antagonizma. Pse jo, antizogizma. Kjo përplasje mes Popullorëve dhe Përparimtarëve (partia e Zogut) është shtrirë gjatë e gjerë në kohën e kombit dhe në hapësirën (ngushtësirë më shpesh) mendore që nga vitet ‘20 për të ardhur e tillë deri në ditët tona. Ka ende në Shqipëri një ravgim veri-jug që është shquar vazhdimisht në konturimin e hartës elektorale. Jugu i majtë me Partinë Socialiste (Popullorët e Nolit) dhe veriu i djathtë me Partinë Demokratike (Përparimtarët e Zogut).

Në mes të viteve ‘20-‘40 dhe tranzicionit shqiptar, shtrihet, i kuq flakë nga jashtë dhe i zi kob nga brenda, komunizmi enverist. Përgjatë 45 viteve të tij u rrënjos një diktomi e mbrapshtë jug-veri. Jugu e kish fituar luftën, veriu humbur; toskërishtja u bë rrjedhimisht lingua franca e shqiptarit, me parimin gjuhë bëhet dialekti që fiton luftën. Elita e veriut, të arsimuarit në Perëndim dhe bashkë me ta priftërinj katolikë, u burgosën, internuan e vranë. Zef Pllumi te ‘Rrno për me tregue’ ka një episod me flamurin jugosllav në kumbanoren e kishës e këngën me toskën që i punon qindin gegës. Historia është e gjatë dhe episodet janë të shumta, por kinematografia e Kinostudios ‘Shqipëria e re’ ndoshta e ilustron pretendimin e këtij shkrimi me arsenalin e personazheve negative që ishin kryesisht gegë, e sidomos katolikë.

Për të ardhur te Maks Velo dhe një intervistë e tij dhënë po kësaj gazete e po këtij gazetari. Pa spekuluar me faktet, por duke evidentuar të thënat, titulli i përzgjedhur ishte ‘Pse jam anti-verior e anti-mysliman”. Kundërthëniet që e pasuan intervistën kundërthënëse nuk mbetën brenda kufijve të vetes. Ato shpërthyen në sharje, mallkime, linçime dhe premtime për vrasje e rrahje ndaj Velos. Edhe gazeta e intervistë-marrësi nuk mbetën pa gjë. Përmutja ishte e madhe, por jo aq sa për të mos dalluar, nëpër baticën e saj, profilin e të angazhuarve në të.

Kush ishin Los Indignados me intervistën e Velos dhe nga ç’kënde e shihnin ata kumtin e arkitektit, ish-i persekutuar.

Unitaristët. Ajo prerje që e sheh Shqipërinë si diçka të mbyllur, të dhënë njëherë e përgjithmonë, njëfarë lope të shenjtë, bajgat e së cilës nuk ekzistojnë, dhe që duhet mjelë sa herë qumështi i vetëmjaftueshmërisë personale nuk mjafton, dhe glorifikuar po për këtë qëllim. Sidomos në përballje me fqinjët, armiqtë e trashëguar. Unitaristët janë edhe racistë, edhe ksenofobë, pra ata kanë në kokë njëfarë Shqipërie të Enver Hoxhës ‘shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut’; të trashëguar nga ilirët, në mos nga pellazgët, dhe një gjuhë që është dega kryesore e jo gjethurinat në Babilonin e gjuhëve kote të botës.

Këtyre nuk mund t’ua ndash Shqipërinë dhe as t’u tregosh hijen apo grinë e saj. Drita e gjeneratorit folkloriko-nacionalist, mundësisht me naftë Ballshi, u mjafton.

Veriorët. Këta janë në keqkuptimin e statusit të vet: nuk kanë nevojë për mbrojtje luftarake. Gjithmonë e kanë patur vendin e tyre në krye të punëve të vendit. Maks Velo nuk ua zhbën dot kryelartësinë, as përmasën diellore të arealit geg. Ata kanë qenë në krye të punëve të Shqipërisë që nga Gjergj Kastrioti, Ahmet Zogu e më vonë Sali Berisha. Fati historik i ka lënë ata në shmang të zhvillimit: një pjesë e tyre janë tërhequr në male për të ruajtur fenë e parë; një pjesë kaluan detin dhe i gjen ndër arbëreshë. Pjesa më e madhe u zunë poshtë nga ngrehina e komunizmit.

Veriorët duhet të dekompleksohen nga narrativa komuniste për ta. Kanë pse. Në ndeshjen fitimtare të kombëtares shqiptare ndaj Portugalisë, 80 për qind e ekipit ishin gegët. Një gege fitoi The Voice of Italy, një tjetër, Rita Ora është në majë të botës. Dhe, asnjëri syresh nuk ka reshtur së qeni dhe së demonstruari veten si një shqiptar i mirë.

Jugorët. Intervista e Maks Velos i ka ‘lagur’ një pjesë syresh. Për faktin e thjeshtë se ata këmbëngulin në llucën e një keqkuptimi të madh: superioritetit kulturor. Epërsi relative e siguruar në një fragment të kohës, pra gjatë qeverisjes së vendit nga komunistët, të cilët krijuan shpejt e shpejt një elitë të re nga bujqit e zejtarët e jugut. Komunistët e nxorën administratën e tyre nga një edukim gjysmak në shkollat e Lindjes. Për të kuptuar ‘thesarin’ kulturor të elitës komuniste që qeverisi Shqipërinë në 45 vjet mjafton leximi i ditarëve të Haxhi Kroit, shefit të kabinetit të diktatorit, apo Hysni Kapos, një prej katër klasikëve të komunizmit shqiptar.

Intelektualët. Ardian Vehbiu i Peizazheve të fjalës, u bë zëri më i rëndësishëm i detraktuesve të intervistës së Maks Velos. Vehbiu merrej edhe me Mapon duke e kritikuar ashpër dhe përqeshur hollë vendimin e saj për t’i dhënë vend e dritë rrufeve të arkitektit. Në regjistrin kadarean të interpretuar nga shkrimtari te Mosmarrëveshja Vehbiu bën pjesë te mohsat, pra te çmitizuesit. Të kundërtit e strehsave. (Kryestrehsi Kadare vetë.) Kështuqë në pamje të parë, rreshtimi i tij, përtej sqimës intelektuale, me populistët të habit. A nuk është edhe uniteti një mit? A nuk duhet të jetojnë shqiptarët, sipas një këndvështrimi të majtë që e ka edhe Vehbiu, në përplasjet e multikulturalitetit? Zëti ndaj Mapos është posaçërisht hipokrit duke qenë se te blogu i vet ai ka botuar një shkrim ku e ku më të ububushëm se intervista e Velos (e gjeni këtu). Vehbiu ka qenë gjithashtu dhe vazhdimisht ngulmues në identitetin e gegnishtes si dialekt dhe jo si gjuhë. Pra, ai ka punuar pa zjarrminë e Velos për veriorin si nënshtresë. Pse ky ndërrim mendjeje?

Paranojakët: Janë një grup që shohin një rrezik imagjinar pas çdo ideje apo shfaqjeje. Disa e shihnin intervistën e Velos si një porosi të mikut të tij, kryeministrit Rama, e të tjerë si ‘atentat’ ndaj vizitës së Papës në Shqipëri. Faktin se intervistuesi e qëmton veten si katolik dhe nuk hyn te miqtë e kryeministrit u shërben vetëm sa për të thurur intrigën e komplotit tjetër: është shit intervistuesi me gjithë gazetë! Më të fandaksurit imagjinonin një komplot greko-sllav. Stilema e njohur enveriste e ‘rrezikut të brendshëm e të jashtëm’ përsëritet te këto simite të brumit komunist.

Maks Velo ka disa kënde në intervistën e tij. Më mirë është të hulumtohet për ndonjë gjasë fakti në thelbin e tyre se sa të digjemi në zjarrin e madh të sensacionit të tij. Një ndër pohimet e Velos është njëfarë epërsie e ortodoksëve shqiptarë në punë, pra prirje për te mbrothësia me anë të punës që çon edhe tek inaktiviteti i tyre në kriminalitet. Të linçosh Maks Velon për këtë është si të përndjekësh Maksin tjetër, Veberin, për tezat e tij te Etika Protestante e Punës. Veber bën të njëjtën gjë: një dallim në etikën e punës mes protestantëve dhe katolikëve. A ta djegim edhe Veberin që guxon e bën një dallim të tillë? Ne mund të jemi njerëz vërtet etikë nëse ia mveshim etikën tonë një rrafshi universal. Pra, fyhemi njëlloj si kur diferencohemi ne, ashtu dhe fragmente të popullit gjerman. Përndryshe jemi hipokritë.

Velo thekson edhe shifra të larta kriminaliteti në veri të vendit krahasuar me jugun (me të cilin ai ka parasysh vetëm Korçën më duket!). Po, ka vrasje më shumë në veri, por jo në të gjithë shtrirjen gjeografike ama. Në Pukë, e paditur si kaçake nga Noli, rrallë dëgjon për to. Gjithashtu në Kukës. Apo në Lezhë. Shkodra e vuan këtë plagë për shkak të lëvizjeve migratore të brendshme me fshatin malor që bie në qytet. Por, Velo edhe pse nuk e bën këtë dallim, duhet të pranojë se jo vetëm numri i madh është bërtitës. Tmerrues gjithashtu është makabriteti i vrasjeve. Atë që s’e ka në numër, Korça e Velos e ka në makabritete. Nëse zgjedh të mos e shquajë këtë dallim, edhe vetë ai është në predispozitë komuniste. Bash në atë që edhe e syrgjynosi.

Kush mendon se intervista e Maks Velos është një kërcënim për fillin kombëtar dhe inkurajon përçarjen veri-jug, i trembet më shumë asaj që mendon vetë për Tjetrin. Jo të gjitha betejat tona të brendshme janë edhe të kombit. Jo të gjitha paranojat që na rrëzojnë besimin tonë do të shembin ngrehinën e harmonisë kombëtare.

Dallimet mes veriorit e jugorit ekzistojnë, por kurrë nuk mund të kthehen në kërcënim. Duke heshtur për to dëshmojmë pasigurinë tonë. Të pjekur kombëtarisht do të jemi kur me to të ndërtojmë një regjistër auto-ironie.

Maks Velo, padyshim që ka derdhur në folenë e asaj interviste metalin e një zemërimi që ne mund ta shohim edhe si helm. Kudhra jonë mund ta rrahë sipas dëshirës: të bëjë një shpatë me të ose një penë.

Por Maks Velos, jugorëve, veriorëve, intelektualëve dhe paranojakëve, të gjithëve bashkë, u duhet kërkuar pak ndershmëri. Nëse u dhemb Shqipëria, domethënë edhe veriu si pjesë e integritetit dhe identitetit të saj, si ka mundësi që nuk kanë ngritur thënë një fjalë. Për një denoncim të përditshëm të Partisë Demokratike, tashmë prej pothuajse dy muajsh për një deputet, dosjen inkriminuese të të cilit opozita e tund përditë para hundëve tona.

Maks Velo pse nuk vë edhe kujën e kësaj në publik? Po Ardian Vehbiu, pse nuk e gjen një fjalë në gjithë atë peizazh? Po të rënët në atë marak të shkretë të unitetit, pse nuk e shfaqin opozicionin e tyre ndaj listës së deputetëve të Edi Ramës. I cili është përkujdesur, rastësisht apo diabolikisht, që një pjesë e përfaqësuesve të Veriut të jenë lalkrosa shumë e luigjgurakuqë aspak.

Sepse të gjithë duan të jenë korrektë me të fortin, të pasurin dhe shefin. Por me Maksin janë të revoltuar, Maksin, ama nuk e durojnë. Maksit, brram do ia bëjnë! Trimat që kanë hedhur gunën mbi wireless-in e internetit.

2 përgjigje ndaj “Maks Velos ç’i panë sitë…

  1. Duke pare emrat e gjithe ketyre mendimtareve te Shqiperise, une si nje shkodran i thjeshte dhe domosdomerisht nese ky Kryejugori Maksim Velo me lejon te flas, mund te them nje gje : nuk e di mor bastardh i Jugut qe Papa ne viziten e tij historike Ju drejtua mureve te varrezave te martireve te Shkodres dhe Nane Terezes qe ka kaluar nje pjese te jetes ne Shkoder. Do ndonje koment tjeter mor legen, qe nuk e din nga e ke preardhjen. Te rroje ajo gruaja qe e ke pase shkodrane.

  2. Pingback: Myslimanët shqiptarë përballë ekstremizmit “laik”·

Lini një koment