Hetimi ‘i paparë’ i Prokurorisë; çfarë do të thotë ‘i paparë’?

grusht

Momenti më i dobët i kryeministrit Rama në intervistën e mesjavës së shkuar për gazetarin Blendi Fevziu ka qenë kur ai iu fut përligjies së arsyeve që e patën çuar të kandidonte në listat e PS një grup njerëzish, tashmë deputetë, që rekordin më publik kanë statusin e ‘të fortit’. Shefi i qeverisë i ra anës e anës për t’iu dorëzuar një arsyeje, e cila ndërkohë që duket se grumbullon forcë e jep fitore, dëshmon në fakt dobësi dhe rezulton, eventualisht, në humbje. Ata marrin vota, tha pak a shumë kryeministri, duke listuar edhe një seri përpjekjesh që deputetët ‘intelektualë’, përkundër këtyre ‘jointelektualëve’, nuk i bëjnë për zonat e tyre.

Mbi këtë kalamendje teorike të kryeministrit Rama për ‘statusin’ e deputetit u hodh pardje si kafshë e egër një material filmik një minutësh, regjistruar nga kamerat e Kuvendit. Në të dukeshin qartë dy deputetë të Partisë Socialiste, Ndoka e Ndreu, që sulmonin nga anash, para, majtas, djathtas e mbrapa, një koleg opozitar, demokratin Strazimiri. Fragranca e atyre pamjeve tronditëse kapi në flagrancë mëtimin e madh dhe të përsëritur të kryeministrit për një mazhorancë dhe qeverisje ndryshe nga paraardhësja. Veshi me aksion frazën tashmë përmendësh të mësuar anë e mbanë, nga i madh e i vogël ‘nuk keni parë asgjë akoma’.

Ajo që kemi parë jo domosdoshmërisht lidhet me atë që do të shohim, siç edhe plani i Ramës për të ardhur në pushtet nuk mund të jetë i njëjti me atë për të ndenjur në pushtet. Që do të thotë, a i duhet kryeministrit pesha e të gjitha ngarkesave ‘të panevojshme’ të cilat ia ka hedhur gjatë rrugës para 23 qershorit trenit të mallrave të koalicionit të majtë?

Nëse analizon komunikatën e tij në Facebook, krijon përshtypjen e fijeve të një loje të vjetër të luajtur shpesh e gjithmonë. Të dyfishtësisë. Si në kuptim, ashtu dhe në interes. Si në humbje, ashtu dhe në përfitime. Si në aktualitet, ashtu dhe në ardhmëri. Një lojë ku humbja nuk është asnjëherë e plotë si e tillë, dhe njëlloj e tillë edhe fitorja.

Pjerin Ndreu, sipas gjithë gjasash do të dalë palagur nga gjithë ky zullum. Dora e drejtësisë do të zgjatet aq sa u shtri edhe dora e tij në drejtim të Strazimirit. Do ta kërcënojë, por pa e cekur. Loja luhet për deputetin tjetër të PS, përfaqësuesin e Lezhës, Arben Ndokën. Me të, duket sikur palët, me mashën e prokurorisë, po nxjerrin nga zjarri gështenjën që i përvëlon të gjithë.

Rama shpëton nga sikleti i përhershëm i të pamenaxhueshmes duke këmbyer një deputet problematik dhe ndoshta të pakontrollueshëm me një ‘normal’ në listën e Lezhës. Me një dënim të Ndokës, që do të thotë edhe humbje e mandatit të deputetit, Kryeministrit i jepet mundësia t’i heqë opozitës kauzën e bojkotit të Kuvendit.

Opozita m’anë tjetër ka interesin e saj të përfshirjes në institucionet politike duke e riformatuar dhe ripërdorur kartën Ndoka, por edhe duke i rënë këmbanës së triumfit. Prokuroria i jep Partisë Demokratike mundësinë e një armëpushimi, qoftë edhe të përkohshëm. Ajo iu është përgjigjur demokratëve duke institucionalizuar një përplasje në parlament, kryesia e të cilit, për arsye të mosarsyes, dënoi njëlloj si goditësit ashtu edhe të goditurin. Prokuroria do t’i kërkojë gjykatës të bëjë ndarjen cilësore mes dy fakulteteve të një episodi.

…masa e lajmëruar nga Prokuroria për dy deputetët është e paparë, shkruan Rama në Facebook. I paparë është një cilësor që përdoret për të përshkruar si tmerrin ashtu dhe mahnitjen. Kjo dykuptimësi ndoshta i ndihmon të gjithë. Në pozicionet aktuale askush nuk është në vendin e vet. Rama e di këtë: sidomos tani që i duhet të menaxhojë pushtetin e fituar më 23 qershor.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s