Pushteti i simbolikës: si dhe pse e majta i përdor simbolet komuniste

12719662_1695396827404304_6171890859127518401_o

Ky varg pamjesh që shihni janë, me siguri, të njohura për ju. Janë shpalosur, këtu në Tiranë apo periferitë e saj, dhe në qytete të tjera të vendit, mu në sytë tanë. Janë ceremoni përkujtimore, apo të ashtuquajtura evente, të stilizuara si koncerte rock-u, net argëtimi, Festivale etj. Nëse vendet i njihni, besoj dini edhe se të gjitha kanë ndodhur kur Tirana apo Shqipëria janë qeverisur nga kryebashkiakë apo qeveritarë të majtë.

Mund të themi, pra, se kemi të bëjmë me data apo simbolika të së majtës. Të cilat vijnë e na përsëriten që nga Lufta e dytë Botërore, për emërtimin e së cilës ndahemi: disa e quajnë Nacional-Çlirimtare, e të tjerë, Civile.

Besoj bini dakord me mua nëse parashtroj idenë se, këto data e simbolika, le t’i quajmë të ripërtëritura, janë një rimarrje, ripërsëritje, ringjallje, apo rilindje e temave, tezave dhe simbolikave të së majtës. Jo të së majtës beninje, por malinje. Jo të së majtës së qendrës, port ë asaj ekstreme. Shkurt të një varianti bizar e makabër të saj, enverizmit.

Pse bëhet kjo? Cili është qëllimi? Pikërisht nga një e majtë që e quan veten të re, të rrugës së tretë e me radhë…

Pretendimi është formuluar tashmë, si akuzë apo qëndrim politik, megjithatë, ne na intereson diçka pak më teorike, apo le të themi, shkencore.

E kam gjetur një përkufizim të tillë te një akademik amerikan i cili merret, në disa prej librave të vet, me simbolikat e komunikimit politik. Quhet Murray Edelman dhe konsiderohet një autoritet në Amerikë.

Në librin The symbolic uses of politics, Edelman, duke iu përgjigjur kështu edhe pyetjes së shtruar këtu, (pse këto simbolika të së majtës?) thotë se: ‘Politika përdor apo

evokon një simbolikë të caktuar për të kapur apo gjetur një ndjeshmëri të caktuar në publik”. Pra, e bën këtë, mund të shtojmë, për një interes politik/ideologjik.

Megjithatë, nuk është interesi politik si i tillë përcaktuesi pasi, Edelman sheh edhe një ‘ndërhyrje’ të së pandërgjegjshmes në këtë përzgjedhje të simboleve. Sipas tij, “aktorët politikë, pandërgjegjshëm, ose të bazuar në rolet e tyre, prodhojnë një botë politike imagjinare duke përdorur simbole dhe rituale për massmedian dhe me anë të masmedias”.

Ai pretendon se të gjitha aksionet politike apo eventet, karakterizohen nga një ndarje në një përmasë instrumentale, pra një vlerë parimore- e cila përfaqëson efektin e njëmendtë të një aksioni politik-dhe një përmasë shprehëse, që do të thotë një vlerë dramatike simbolike-e cila përfaqëson prezantimin e një aksioni para publikut.

Nëse do shtronim pyetjen ‘çfarë është një simbol?’, me siguri të gjithë do gjenim përkufizime të ndryshme, edhe pse thelbi do të ishte, pak a shumë, i njëjtë. Simbolet janë ajo çka përfaqësojnë. Për shembull ‘Peza n’Fest’, edhe pse e simulon veten, nëpërmjet organizatorëve, për të qenë disa net dëfrimi apolitik mes të rinjsh dhe për të rinj; një rit thuajse dioniziak, ku përzihen muzika, pija, vallja, bisedat, nuk është gjë tjetër veçse një tubim politik, një shprehje e politikes/ideologjikes. E një politike që don të evokojë rrënjët dhe lidhjet, që don t’i transeferojë ato nga një parti në tjetrën. Në këtë rast nga Partia Komuniste e Shqipërisë (më vonë e Punës) te Partia Socialiste.

Simbolikat e ‘Peza n’Fest’ janë dy: partizanja dhe shqiptarja. Shenjat e simbolikës partizane, si uniformat e gjelbra, kapelja me yll, shalli i kuq, zjarri partizan, armët, e të tjera, ndërthuren me shenja të ‘shqiptares’, si për shembull, pijet dhe ushqimet që shërbehen janë, kryesisht, prodhime vendi. Pandërgjegjshëm, ose jo, kuptimi që organizatorët i japin kësaj simbolike, dhe duan edhe prej ne të tjerëve të lexojmë në të, është: lufta partizane dhe prodhimet vendase (të mbështetemi në forcat tona!) janë Shqipëria. Shqipëria jemi ne.

Për t’iu kthyer sërish Edelman-it: Çdo simbol përfaqëson diçka përtej vetes, dhe gjithashtu evokon një zakon, një varg përshtypjesh, ose një gjurmë ngjarjesh që kanë asosacionet e tyre përmes kohës, hapësirës, apo përmes imagjinatës, me anë të një simboli.

Në rastin e ‘Peza n’Fest’ simbolet e Çetës së Pezës dhe Babë Myslymit, përfaqësojnë atë ‘diçkanë përtej vetes’, që është një kthim i pandërgjegjshëm te fëmijëria apo rinia, të paktën e organizatorëve. Ajo ‘diçkaja përtej vetes’ janë ato ‘gjurmë ngjarjesh’ si paradat, marshimet, nderimet para lapidarëve, kujtimet e gjyshërve, lajmet apo emisionet e TVSh së vjetër, evente që kanë ‘asosacionet e tyre përmes kohës, hapësirës dhe imagjinatës’.

Nëse nuk do të ishte ky dekodimi, pra hipoteza jonë është e pambështetur, përse në vend të ‘Peza n’Fest’ apo ‘Natës së Bardhë’ apo ‘Bunk’Artit’, organizatorët, krijuesit apo ideuesit e tyre, nuk kanë përzgjedhur si demonstrues simbolikash, Konferencën e Mukjes. Pra, pse nuk ka një ‘Mukja n’Fest’? Apo, pse në vend të Bunk’Artit këtij Bunkeri të Artë të Propagandës, nuk është ri-inskenuar Burgu i Spaçit? A nuk janë edhe këto simbolika shqiptare?

Sigurisht, përgjigjen e dini dhe ajo gjendet te fakti se, as Spaçi as Mukja, nuk janë simbolika të së majtës, madje janë të kundërshtarëve politikë të së majtës.

Siç parashtron Edelman: ‘Politika është një paradë simbolesh abstrakte.’ Për shikuesin e painteresuar apo të pavëmendshëm, ndoshta. Megjithatë, pas abstraksioneve fshihen atraksione goditëse që bëhen shpejt pjesë e së pandërgjegjshmes së njerëzve. Politika, pikërisht me këtë qëllim i përdor.

Nëse këto janë simbolikat e qëmtuara me kujdes dhe diabolizëm nga e majta, dhe të përdorura prej saj, me sukses duhet thënë, cilat janë simbolikat që e djathta ka përdorur, apo duhej të kish përdorur.

Ndoshta do të bini dakord me mua po t’ju them se, e djathta shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë e kompleksuar me të shkuarën dhe rrënjët e saj. Apo ka qenë e painteresuar dhe e ka shprehur veten vetëm nëpërmjet simbolikave të idesë së pushtetit akut.

Pse i duhet kërkuar së majtës evokimi i simboleve nacionaliste, të djathta, apo të paktën anti-komuniste, si Konferenca e Mukjes, Spaçi e të tjera, kur e djathta e ka ushtruar pushtetin për 3 mandate dhe ka ushtruar retorikë të fortë, por simbolikë të dobët?

E djatha mezi ka dalë, tepër vonë, nga simpatia për fannolizmin dhe Revolucionin Demokratik të Qershorit, për t’u identifikuar me Mbretin Zog.

Por, kjo është temë për herë tjetër.

Dua, megjithatë, të merrem pak me një frazë që e dëgjova në panelin hapës të këtij debati. E di se jam duke e futur veten në një pozicion të parehatshëm, në një slippery slope, siç e quajnë amerikanët, apo në atë që shqiptarët konsiderojnë si përballja e çirakut me mjeshtrin apo nxënësit me Profesorin.

Në këtë rast unë jam nxënësi, ndërsa Profesori, Artan Fuga, i cili foli për një artific në ‘shndërrimin’ e Zogut nga President në Mbret. Kam përshtypjen se një gjuhë e tillë është pjesë e diskurit të majtë.

Zogu, sigurisht, e përdori këtë artific ligjor, por a mund të konsiderohen më pak të tilla ‘përligjiet’ e përdorura nga mbretërit europianë? Të gjithë, pavarësisht vitit: 301, 870, 1130, më vonë a më herët, u shndërruan në mbretër me anë të një artifici. Më i madhi prej të cilëve është ai i prejardhjes hyjnore, që përdorën shumica.

Ky shtjellim rreth Zogut, ka të bëjë shumë me temën e simbolikës që po diskutojmë këtu. Sepse Zogu është më ‘i persekutuari’ në rrafsh simbolik nga komunistët dhe e majta. Ai mbetet edhe sot kundërshtari i preferuar politik i tyre. Te Mbreti Zog e djathta duhet të gjejë një pjesë të zanafillës së vet.

Sido që të pleksen pikëprerjet historike e politike, Mbreti Zog si simbolikë e së djathtës dhe diktatori Hoxha si shenjë kryesore e së majtës, ia japin epërsinë të parit. Kjo nuk është një bazë e keqe për të filluar.

*Kumtesa është mbajtur në Forumin ‘Politika Simbolike’, organizuar nga Fondacioni për Liri dhe Demokraci.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s