Duke kërkuar Shqipërinë time

lela-liber

Duke u nisur për një udhëtim të gjatë me një “pallat lundrues” të stërmadh, siç mund ta quaj anijen crociera ‘Preziosa’, në ujërat e Mesdheut lindor, zgjodha për të lexuar në kohën e lirë librin e gazetarit Alfred Lela, të botuar në fund të vitit 2013, me një titull mjaft joshës : “Secilit Shqipërinë e tij – 146 profile”. Arrita ta lexoj në orët ndërmjet veprimeve të ndryshme, të programuara nga organizatorët e udhëtimit, si ekskursionet e përditshme në qendrat e ndryshme historike e shfaqjet e tjera brenda anijes. Qe një javë në të cilën mendimi u nda dysh: historia e lashtë e botës mesdhetare dhe Shqipëria e viteve të fundit. Duke lundruar në ujërat e deteve që lagnin edhe këtë të fundit, por larg brigjeve të saj, mbresat e përditshme të librit të Lelës më shkëpusnin nga mjedisi i bukur ku isha e më zhysnin në jetën shqiptare. Meqë ky libër u lidh në kujtesën time me një ngjarje të rrallë, siç qe ai udhëtim, po hedh në letër disa mbresa e përshtypje nga leximi i tij.

Nëntitulli i vëllimit (146 profile) të jep menjëherë idenë e brendisë së tij e lista emërore në kapakun e mbramë e plotëson atë. Shifra nuk i përgjigjet listës së personazheve të skicuara, mbasi autori, në disa prej tyre rikthehet disa herë, duke plotësuar portretin me penelata të reja që diktohen nga daljet e herëpashershme të tyre në ndodhi apo qëndrime, të cilat i përkasin kronikës politike të jetës shqiptare. Kuptohet pra se vëmendja e autorit, gazetar që ndjek çdo ditë zhvillimet e jetës së vendit, duke marrë përsipër t’i pasqyrojë ata, jo me imtësinë e tregimit të një kronisti, por me prirjen anglo–saksone të analizës së çasteve kyçe e trajtimit të tyre në sitën e arsyetimit vetjak të pavarur, është më shumë e përqendruar tek veprimtaria shtetërore, që përcakton edhe drejtimin e ecjes së shoqërisë.

Për pasojë në profile janë më të shpeshta emrat e Berishës, të Ramës, të Metës, të Bashës, të Topit, Topallit e ndonjë tjetri, tek të cilët ai kthehet më shumë se një herë në portretizim. Motivi është i qartë, mbasi pak a shumë janë ata aktorët e parë të jetës politike të dhjetëvjetëshit të fundit, madje shumica e tyre, fatkeqësisht, edhe të gjithë periudhës së kalesës. Por interesat e autorit shtrihen edhe në fusha të tjera. Konceptimi i vëllimit na çon në një teatër imagjinar, që është Shqipëria pas komuniste, në të cilin aktorët, të përmasave e natyrave të ndryshme, lëvizin lirisht, herë-herë në mënyrë kaotike, secili në botën e në rolin e tij, për t’u ndërthurur me njëri-tjetrin nëpërmjet bindjesh, synimesh apo interesash që herë përkojnë e herë kundërshtojnë njëra tjetrën. Shkrimtari i kalon ata apo ato në skanerin e tij, duke u munduar t’i diagnostikojë si një mjek i mirë, pa u ndikuar nga motive apo bindje vetjake. Kjo nuk përjashton qëndrimin e tij ndaj dukurive e personave, mbasi ai nuk është një fotograf i thjeshtë. Ai qëndrim përcaktohet nga botëkuptimi e formimi i tij, që është ai i një liberali të djathtë, i cili e sheh botën më shumë me sytë e një intelektuali bashkëkohor perëndimor, se sa me atë të një shqiptari tradicional. Në këtë kuadër ai priret të vlerësojë më shumë pritmëritë e së ardhmes se sa bëmat e së shkuarës, duke paraqitur një nga avanpostet e mendimit fletoror shqiptar të sotëm.

Kjo prirje e bën atë të mënjanojë nga vëmendja e tij shumë personalitete të së kaluarës, pavarësisht nga spektri politik kujt i përkasin, madje edhe kur ata përmenden, mbeten në funksion të lidhjes me idetë apo ngjarjet e sotme. Duket se për autorin, ata që nuk janë më në gjendje të luajnë një rol aktiv në jetën e vendit, dalin nga skena e i kalojnë historisë. Ai nuk ka shumë afërsi me të, nuk zhytet në sferën e saj të diskutimeve pa fund që kanë pushtuar një pjesë të mirë të vëmendjes dhe energjive intelektuale të më shumë se njëzet viteve të fundit. Për të është e rëndësishme e ardhmja, njerëzit e saj, idetë e tyre, vrulli e pasioni për t’i vënë në jetë, ecja përpara e shoqërisë, mundësisht simbas modeleve që ka njohur në vitet e Bostonit. Ikonat vlejnë, herë-herë edhe frymëzojnë, japin shembull që mund e duhet imituar, duhen respektuar për ndihmesën që kanë dhënë në çaste të vështira të jetës së Kombit, por nuk mund të jenë faktor frenues i së sotmes.

Çfarë paraqet e sotmja në rrafshin politik në sytë e Alfred Lelës?

“…..Ndër to zë vend primitiviteti në dialektikën e marrëdhënieve mes eksponentëve të klasës politike shqiptare. Mungesa e një kredoje dhe dëshira për avancimin e saj; pritat bizantine në vend të konkurrimit të hapur; besëprerjet pasuar me “më dil, të të dal”, në vend të platformave politike të përbashkëta. Përmbi të gjitha, dëshira këmbëngulëse për t’u ricikluar edhe pasi cikli është mbyllur: për t’u bërë politikan mbasi ke qenë njëherë bandit; deputet, pasi ke shkëlqyer si spiun; kryetar partie, kur “analfabet” të përshkruan më së miri; ministër shteti, kur je denoncuar si zhvatës i Republikës; drejtor drejtorie, kur edhe gjumë fle me çizmet e hajdutit e maskën….”

            Ky fragment i referohet episodit Prifti-Meta, por fuqia përgjithësuese e tij është rrënqethëse. Kjo është politika që duhet të sigurojë të ardhmen e Shqipërisë ? Çfarë shpresash mund të ushqejë një shoqëri që ka vënë në krye të saj drejtues të tillë? Shqipëria e hershme, ajo e Kanunit dhe e jetës patriarkale, kishte në nenin e parë të Kodit të saj etik ndershmërinë, i pandershmi nuk gjente vend në institucionet e saj drejtuese. Autori ka kurajën qytetare ta padisë këtë gjendje mjerane, pa rënë në ujdi me të për interesat e ngushta. Kjo është në nderin e tij, sepse shkrimtarët nuk kanë pushtet temporal, por funksioni i tyre është të formojnë opinionin, t’i thonë atij të vërtetën.

Gjendjen që padit autori e sheh me një buzëqeshje të hidhur në buzë e me një brengë të madhe në zemër. Penda e tij ngjyhet në qesëndi, të cilën e hasim në pjesën më të madhe të shkrimeve, ndoshta edhe rrjedhojë e humorit të famshëm anglo-sakson me të cilin është ushqyer në vitet e mërgimit. Qesëndia përzihet me zemërimin mbasi, edhe se ka kaluar gati një e katërt shekulli nga tjetërsimi i sistemit, hapat tona drejt synimeve të zhvillimit kanë qenë si ata të breshkës. “Parvenu-të” e jetës politike në demokracinë e cunguar e kanë kthyer atë në një garë të shfrenuar pasurimi vetjak. Mesazhi i autorit nuk është më vetëm një konstatim i thjeshtë, por kthehet në një pamflet padije, në të cilin tërthor u thuhet lexuesve se duhet ndërruar rrugë e fytyra.

Komunistët, të shndërruar sipas rastit në kriptokomunistë, socialistë, mjedisorë, social- demokratë e të tjerë, ende nuk kanë guxuar të prodhojnë meaculpa-n e tyre për trashëgiminë gjakatare të 46 viteve në pushtet.

Këtu gazetari i lëshon vendin kirurgut social, që ngul bisturinë në plagën e hapur, në vazhdimësinë e trukuar të sistemit, në hipokrizinë e tij të dukshme, që shfaqet me “integrimin” në botën perëndimore e me ruajtjen e “idhujve” të luftës e të regjimit në format më të ndryshme.

U mundova të trajtoj vetëm njërën anë të tematikës së gjerë të vëllimit që, fatmirësisht, shtrihet edhe në fusha të tjera të rëndësishme të jetës njerëzore. Nuk mungojnë në vepër portretet e shkrimtarëve, të artistëve, të kolegëve të televizionit apo letrës së shkruar, të personazheve të politikës së huaj, fqinjë e të largët, të përfaqësuesve të saj në Shqipëri, të jetës politike të Kosovës, por edhe të kronikës së zezë. Të gjitha këto i japin librit larminë e nevojshme në gjininë e publicistikës. Lexuesi mund të jetë i një mendjeje me autorin, ose mund të ketë një tjetër opinion për temat apo personazhet e trajtuar, por nuk mund të mos vlerësojë meritat e Lelës në stilin e të shkruarit, guximin në paditjen e një realiteti të sëmurë, në shumë shfaqje të tij, humorin qesëndisës e të hollë, pohimin e vlerave njerëzore që duhet të jenë të pranishme kudo e kurdoherë, prirjen për të qenë objektiv në gjykim pavarësisht nga bindjet e tij, për të nxjerrë në pah të bukurën e të mirën, por edhe për të goditur të keqen.

Titulli i librit, deri në një farë mase, e “detyron” lexuesin të kërkojë e të gjejë në faqet e tij Shqipërinë e tij, mbasi përfytyresa e saj paraqet një larmi të pafund situatash njerëzore. E kërkova dhe unë atë, por më duket se ajo për autorin i përkiste një të shkuare, të cilën ndoshta nuk e njihte mirë, nuk përbënte interesin e nevojshëm për pendën e tij, apo e zbehtte prirja për të mos hapur plagët… Por në galerinë e personazheve të librit katër prej tyre i aviten Shqipërisë sime: Amik Kasoruho, Dom Simon Jubani, Luljeta Lleshanaku e Refik Toptani. Ata përshkruhen në episode apo çaste të tashme, secili në të veçantën e tij. E shkuara kalohet me një ose dy fraza, që mundohen të japin idenë edhe në përkorësinë e tyre.

Luljeta është poetja që “Nuk shkruan për të përditshmen; shkruan për të përjetshmen në të përditshmen.” Një sintezë lartvlerësimi për poeten, tashmë të njohur. E shkuara i lihet lexuesit ta përfytyrojë : “Fëmijërinë dhe rininë e parë e ka kaluar në Krujë nën një shenjë të veçantë për kohën: ajo ishte mbesa e Abaz Kupit…”  Mbresa është po ajo e një faqeje të tërë, por Lelës i pëlqen të kursyerit në të shkruar, një veti e vyer që nuk e kanë të gjithë.

Dom Simon Jubani është meshtari i parë i mbas revolucionit ateist të komunizmit shqiptar, që zgjati plot 33 vjet, çuditërisht përkues me vitet e jetës së Krishtit. Është një nga simbolet e vona të martirizimit të klerit katolik shqiptar, dukuri që shpresoj se do të dalë në pah zyrtarisht e me forcë, në vizitën e ardhshme të Papës Françesku në Tiranë , më 21 shtator. “Ai trup, që si i Krishtit, bashkë me kamzhikët në shpinë mori edhe 26 kurora me therra; një për çdo vit në burgjet komuniste.” Horizonti që hap figura për lexuesin nxit përfytyrimin në masën e duhur, konciziteti nuk lë për të dëshiruar.

Refik Toptani është një personazh i trajtuar me shumë mirëkuptim : “një burrë që i përket një prej dyerve të mëdha të Shqipërisë. “…Ndihet i huaj në vend të vet”. “Prandaj ai qan dhe përkon të bisedojë me një gazetar, jo revanshin e kohës së humbur, por atdheun e tij brenda kaosit që i është shfaqur herë pas here si atdhe, por nuk ka qenë gjë tjetër veçse ishull…” Shumë vetë besoj se do të gjejnë diçka nga vetja e tyre në këtë portret që autori e jep me pak penelata e me një ngjarje mbresëlënëse në Ambasadën Amerikane në Romë.

Njeri letrave dhe burrë zotni” në gjuhën angleze (ndoshta do të ishte mirë të përdoreshin më pak shprehjet në anglisht, për të cilat duket se ka dobësi) e titullon autori shkrimin për të ndjerin Amik Kasoruho. Jeta e tij përshkruhet më gjerë, më me hollësi e shkrimtarit i del vetvetiu një pyetje që i drejtohet vetes e botës: “Si mundet pra, që nuk e ka lënë hijeshia, as e jashtme dhe as e brendshme, Amik Kasoruhon, që u lind më 1932, u burgos kur ishte 17 vjeç, në vitin 1949, për të dalë prej andej 7 vjet më vonë në moshën 24-vjeçare, në vitin 1956, e për ta kaluar pjesën tjetër të jetës, deri në vitin 1990, i internuar?” Është një pyetje që merr përmasa përgjithësuese, për mua që kam patur fatin të njoh shumë shembuj të fisnikërisë njerëzore në ato kushte. Për autorin është frut i një përsiatje të thellë, si pasojë e njohjes nga afër të personazhit, por edhe një padi e fuqishme qytetare kundrejt krimit komunist, i cili masakroi pjesën më të mirë të shoqërisë shqiptare. Është një reflektim i intelektualit atdhetar, që shkon thellë në analizën e së keqes shqiptare, e cila filloi 70 vjet më parë, për të arritur në një tjetër pyetje me një frymëmarrje më të gjerë se e para: “Çdo kish qenë vetë dhe çdo kishim qenë ne, sikur ai dhe lloji i tij të mos kishin qenë të përmbysurit? Sikur ata, në fakt, të drejtonin vendin dhe punët e tij”. Nuk e di nëse e kanë shkuar ndonjëherë nëpër mend një pyetje të tillë ata që kanë drejtuar shoqërinë dhe Shtetin shqiptar në 23 vitet e fundit.

Me këtë pyetje, që përbën një nga majat e mendimit të autorit në librin e tij, po i mbyll mbresat e mia, duke falënderuar si lexues, Alfred Lelën për punën e tij, e duke i uruar suksese të mëtejshme në misionin e tij të formimit të opinionit publik me shkrimet e tij.

(Shkrimi me autor Eugjen Mërliken është botuar për herë të parë te Gazeta Mapo, më 30 gusht, 2014)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s