Elina Duni, engjëlli i mëkatit

Elina_Duni_live

Fustan të kuq flakë, buzë me të kuq, flokë të kuqe, këmbëzbathur, me gjasë pa gjimbajtëse; shkujdesje që ia lë zbuluar siluetën e supit. Dhe jazz. Jazz-i është muzikë erotike; e tillë edhe Elina Duni. Ka ardhur në Tiranë për turin e Dallëndyshes, albumit të saj të radhës, bashkë me një trio orkestrale: piano, kontrabas dhe bateri. Një shqiptare dhe tre zviceranë: një katërshe që e çan natën e Tiranës si shkreptima para një shiu që e presin të gjithë.

Elina Duni është fëmijë arti: e Besa Myftiut dhe Spiro Dunit. Ndoshta dallohet kjo te dëshirimi që ka për vargun e baladave që këndon (shkrimtarja e pamundur) dhe loja në skenë (regjisorja e kërkuar). Këtë art ajo e bën me sy mbyllur: jo prej lehtësisë me të cilën mendon se zotëron artin, por prej pasonit që ka për të. Symbyllur i këndon dhe këngët. Sikur është duke bërë dashuri.

Ndoshta, koncerti i saj nuk është gjë tjetër veç një ngjarje që ndodh poshtë lëkurës së dashurisë.

Po pse të shkruhet për një këngëtare që vjen këtu, diku prej një vendi të huaj, shtatë male larg, jep një koncert, në fillim të vjeshtës, dhe ikën, ashtu siç e ka emrin albumi i saj, si dallëndyshe? Bash për këtë.

Për mallin e mërgimit dhe për dashurinë. Për këto dy gjendje janë këngët e Dunit; në fakt jo të sajat, por të rimarra nga folklori shqiptar dhe të marinuara me notat e një jazz-i, ngushëllimtar dhe transgresiv njëherësh, si të bësh bashkë në një Merilyn Monroe dhe një Ernest Hemingway.

Elina Duni megjithatë nuk është rasti i këngëtares që ‘tund’ skenën me këngë të ripunuara. Ato janë punë të sajat në fakt; ngjajnë të rishpikura, në mos të krijuara nga fillimi. Ajo që e mban dëgjuesin të lidhur me to është thellësia antropologjike e të qenit shqiptar. Kjo ndihet në dyzimin që të shkaktojnë këngët e saj: ngjajnë të njohura dhe krejt të reja në të njëjtën kohë.

Nuk është vetëm kjo pse na gëzon Elina Duni.

Ajo na detoksifikon. Me melodi na bën ekzorcizëm duke nxjerrë jashtë nesh dreqnit urbanë: pluhurin, ngathtësinë  e gjymtyrëve, mujsharinë ndaj tjetrit dhe qytetit. Por sidomos nga muzika e keqe. Ose ajo që nuk është muzikë, por shemra e saj që shfaqet si e tillë. Ajo hedh të kuqen e pagabueshme onufriane mbi kilet e tepërta të varakut të prurjeve muzikore të ditës. E bën këtë duke na kthyer në fillim; aty prej nga vijmë, te mëkati fillestar i krijimit të një populli: folklori.

Për këtë ajo është njëfarë engjëlli i mëkatit.

Kthejeni, si një kasetë të vjetër, shiritin e fillimit të këtij teksti. Mbërthejani gjinjtë me sytjena të ashpra; në këmbë mbathini nallane të drunjta; pritjani flokët ose ngjyrosjani të zes; fustanin e kuq shndërrojani në çitjane. Kështu mund të ndërtoni një çingije të viteve Tridhjetë, një belly dancer për oborr oriental.

Elina, gjithsesi, do këndonte symbyllur dhe do na ëndërronte ne poshtë në sallë duke ëndërruar atë siç e pamë të martën mbrëma: me të kuqe, ekstravagante, një engjëll të mëkatit. Një ambiguitet i pakrye siç është muzika e mirë.

Një përgjigje ndaj “Elina Duni, engjëlli i mëkatit

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s