Dua të luftoj kundër zhulit, por nuk kam ujë

veliaj

Të premten e 31 korrikut në mbrëmje, për suplementin e fundjavës së MAPO, kisha kuturisur një shkrim për kryetarin e ri të Bashkisë, me titull Për çfarë i duhet qytetit Erion Veliaj Komenti luhatej mes një inkurajimi dashamirës, një kritike të drejtpërdrejtë dhe një tehu idealisto- programatik, i cili i pret jo rrallë shkrimet e  mia, dhe për të cilin shpesh ndjej njëfarë zhgënjimi që të shkakton neveria e naivitetit.

Kjo e fundit m’i solli sërish zorrët në grykë kur u ktheva në shtëpi dhe gjeta rubinetet, që në vend të ujit nxirrnin fishkëllima nga bota e përtejme e thatësirës. Si zogj përqeshës m’u dukën. M’u kujtua shkrimi dhe u revoltova me të. Domethënë me veten.

Pak a shumë, zemërata lidhej me: si guxon e kërkon gjëra të mëdha, pra qiqra në hell kur, pikërisht sonte, në fund të korrikut, zheg ku s’ka më edhe pse po ofron mesnata, nuk gjen ujë në shtëpi. Më feksi edhe shprehja uji e formëson historinë. Që ç’ke me të. Deri aty sa historia e Shqipërisë, në komunizëm dhe në tranzicion, varej në fije të ujit. Uji në Shqipëri ka diçka prej të pamundure: ti e ndjen praninë e tij të fortë e hyjnore, e sheh tek buron gjithandej e mbi gjithçka, e me gjithë këtë bujari të mbinatyrshme mungon ai mekanizmi që duhet ta kish vënë në punë njeriu shqiptar.

Ku shkon gjithë ai ujë, që duket sikur do i mjaftonte gjithë botës nëse asaj një ditë i duhet një Përmbytje e Madhe? Pyetjes ia dini përgjigjen, sepse e keni bërë vetë sa e sa herë nëpër gjithë këto vite.

Uji pra vazhdon të jetë një gjë që është dhe nuk e kemi, dhe kjo duhet të jetë një nga kërkesat e vazhdueshme për kryetarin e ri të Bashkisë, z. Veliaj dhe të gjithë qeveritarët tanë. Katër kërkesat e shkrimit pararendës tani më duken sikur, naivisht, ia drejtoja kryebashkiakut të Londrës, Boris Johnson-it. Kontrapedalin e shkrimit tim e theksoi edhe vetë shefi i ri i City Hall-it të Tiranës kur, të nesërmen a të pasnesërmen, foli për pastërtinë e kryeqytetit. I zgjoi njerëzit që në 6 të mëngjesit dhe u kumtoi atyre që qeveris (shërben?!), domethënë edhe mua, se i ka shpallur luftë ‘zhulit’.

Jam me të në këtë betejë, por tërbimi i asnjë lufte nuk më pengon të bëj ca pyetje të paangazhuara: a nuk është uji armiku numër 1 i zhulit? Nuk kemi ujë. Nuk na duhet për të pirë, pra kundër etjes, por vetëm kundër zhulit: për dush, për të larë teshat dhe për të fundosur të pëgërat personale, të cilave gjithashtu z. Veliaj u ka shpallur luftë.

Më duket se, si unë, si Veliaj, jemi kapur në rrjetën e hollë të këtij keqkuptimi idealisto-programatik. Kumtojmë e kërkojmë gjëra të mëdha ndërkohë që kemi të pazgjidhur abc-në e jetës qytetare. Sa më takon mua dhe zonës ku banoj, Dajtit, aq më pak besoj se zgjidhje të tilla, të abc-së apo zh-së (lexo: zhulit), mund t’i ofrojë personi që Erion Veliaj ka përzgjedhur si administrator. Mjafton të shohësh kreditet e kërdisë që është bërë në Dajt dhe të të dhembë ironia e faktit se kërdibërësi është ngarkuar administrator. Me sa duket duhet të dal në tregun e shpërnguljes. Sytë e surreales i kam ose nga Surreli fqinj, ose nga Kodra e Diellit, ku shpresoj që përveç rrezeve të ketë edhe ujë.

Sot uji hyn në ditën e pestë të mungesës. Por, po nisem me pushime. Si e ka ajo kënga? Sa ka deti ujë…

Një përgjigje ndaj “Dua të luftoj kundër zhulit, por nuk kam ujë

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s