Për çfarë i duhet qytetit Erion Veliaj?

veliaj1

Erion Veliaj është betuar në mesjavë si kryebashkiak i Tiranës duke u bërë më i riu që e ka mbajtur këtë detyrë. I duhet që të punojë fort, që kur të dalë prej andej të mos mbahet mend pikërisht për këtë. Veliajt, kritikët i përmendin vetëm një mijë të zezat e gjërave që i mungojnë, ndërkohë që dashamirësit i lëvdojnë po aq shumë cilësi. Diku në mes është gjithmonë e vërteta. Z. Veliaj nuk mund të jetë as më i shkëlqyeri dhe as më i errëti ndër ata individë që përbëjnë klasën politike shqiptare. Ndërkohë që ky përfundim mund të duket si shumë mesatarizues, nuk janë të tilla këshillat apo kërkesat që mund t’i ofrohen kryebashkiakut të ri. Tri të tilla i ka kërkuar vetë. Më saktë, ai ka dashur të dijë tri gjërat nga duhet t’ia nisë punës në Tiranën që do qeverisë vetë për katër vjet.

Një më shumë nuk besoj se prish punë, siç nuk do prishte nëse do plotësonte qoftë edhe dy, apo një më pak sesa vetë ka kërkuar.

Të bëjë PR të punëve, jo punë në PR. Gjënë e parë që i vunë re vëzhguesit e kujdesshëm në të dy krahët e politikës, por edhe qëmtues të pavarur të ‘shkeljeve’ ishte pompoziteti i ceremonisë, një lloj pontifikimi, siç e quajti Selim Belortaja, një zv/ministër i LSI. Ceremonia e betimit u pasqyrua gjerësisht, edhe prej një ‘defekti të stinës’. Është verë dhe tv-të e lajmeve nuk kanë se me çfarë ta mbushin 24-orëshin. Është vakët për lajme sa ç’është e nxehtë dita. Por edhe ditën e dytë (pas së parës kur media krijoi botën) z. Veliaj u shfaq në një stacion autobusi: bisedimor, pensiv dhe i vendosur që të mos i ndahet stilit amerikan të politikanit ‘jam njëri prej jush’. Nuk është se ka gjë të keqe në këtë teknikë të vjetër të llojit ‘mbreti vishet lypsar për të kuptuar se ç’don populli’. Një parabolë e 1001 netëve e shndërruar në taktikë politike apo menaxheriale, nuk ka pse qortohet, por prej saj pritet të dalë edhe një ditë e tretë. Do të thotë një aksion rregullues apo follow up. Kur mbreti, apo në rastin tonë kryebashkiaku del në stacion autobusi apo te tregu fshatar, ai bën fotot e stunt-it mediatik, por edhe merr shënime, pyet, analizon. Dhe, nga dita e dytë deri tek e shtata, kur bota përfundon së krijuari, bën një ndryshim. E ndriçon stacionin e autobusit. Vendos një sinjalistikë e cila nuk lejon kthesat U (U Turn) duke shtuar kështu sigurinë e këmbësorëve. E të tjera kësisoj. Kryebashkiakut të ri pra nuk i duhet qortuar PR-i i punëve që bën, por kohën që harxhon në punë për PR-in si të tillë, si qëllim në vetvete. Asnjë punë e mirë të mos shkojë pa u shpallur botërisht e pa u stilizuar, por asnjë stilizim apo bujë të mos shkojë për të mbuluar punët e pabëra. Kjo është kërkesa e parë.

Të shmangë sindromën e paraardhësit të keq. Antireklama e Veliajt gjatë fushatës merrej me Bashën që flinte e nuk kish bërë asgjë. Në këtë pikë i duhet ta ndajë mendjen e të mos bjerë në paradoks. Nëse ish-kryetari i Bashkisë, Basha ‘nuk ka bërë asgjë për Tiranën’, i bie që qyteti është në gjendjen që e la Rama. Domethënë keq, duke përdorur po logjikën e Veliajt. Atij i  duhet ta fshijë këtë katërvjetësh si të paqenë nga fjalori politik dhe të mos fajësojë Bashën për gjërat që janë keq dhe për ‘ngecjen e karkalecit’ të punëve të Bashkisë. Qeveria qendrore e bëri këtë edhe pas 100 ditëshit të parë dhe herë pas here e nxjerr nga mënga këtë As shpëtimi. Politikanët vijnë në detyrë për ta ndryshuar të tashmen në favor të së ardhmes, jo për të xhongluar të shkuarën në funksion të së tashmes. Askush nuk e ndal dot dikë që të bjerë në cektinën e kësaj teknike, por në majë të hundës njerëzve u ka ardhur.

Të shfryjë një qytet obez. Tirana mund ta çlirojë kongjestionin e saj duke u hapur në katër drejtime dhe duke rikonceptuar katër qendra dalëse/hyrëse: Dajtin/Kinostudion; Farkën/Saukun; Kombinatin; Bulevardin e ri/Lumi i Tiranës. (Por edhe duke krijuar një ‘mushkëri’ shtesë te rrethrrotullimi i Kamzës, Zonës Industriale që fillon aty dhe ndërpritet në Kashar). Krijimi i katër-pesë qendrave dalëse/hyrëse, kombinuar me Unazën e Madhe të përfunduar, do të lehtësonte trafikun, ndotjen e mjedisit por edhe raportin individ/qytet. Të gjitha këto pika edhe pse në periferi të Tiranës, janë arteriet më të pluhurosura, më të bllokuara dhe më të zhurmshme të qytetit. Kjo do të ishte gjithsesi një zgjidhje gjysmake pa konceptuar një valvul tjetër shkarkimi të trafikut: parkimet brenda në qytet dhe ato masivet në periferi.

Ta kthejë ‘qytetin e parasë’ në ‘qytet të jetës’. Tirana, para se të mendohej, është ndërtuar. Pyetja është: a mund të mendohet më mbi këtë ‘masoneri’ të mbrapshtë të gurit, hurit e litarit?! Inxhinieringu i qytetit pothuajse ka shterur, kështu që mbetet vetëm estetizimi i shtrembërimit, zbutja e shëmtimit, hijeshimi i ngushtimit. Për këtë duhet më shumë punë se sa ta krijon iluzionin letra e gërma, dhe duhet filluar nga goditja e arbitraritetit: që nga pushtuesit e trotuareve; zaptuesit e parkimeve; tregjet klandestine nëpër brryla rrugësh e rrethrrotullime. Pasi të jenë bërë këto, për bizneset duhen krijuar incentiva që i shtyjnë drejt punëve komunitare, ndërsa për komunitetet, hapësira rekreative për të cilat mund të punohet me Bashkinë. Qeverisja vendore mund të bëjë një pakt me ndërtuesit që, ose i kanë lënë djerrë ose i kanë bërë shkel e shko rregullimet e hapësirave të përbashkëta para apo mes pallateve. Për ta mbyllur këtu me të katërtën.

Sekush mund të ketë kërkesat apo këshillat e veta që fillojnë nga utilitaret e përfundojnë tek estetiket apo etiket, por dyshim nuk duhet të ketë asnjë, se çdo punë e mirë shkon në favor të të gjithëve e çdo mbrapshti kundër qytetit e njerëzve mbarë.

Për këtë, pavarësisht kundërshtive dhe gjerdheve politike ndarëse, kryebashkiakut të ri i duhet uruar mbarësi: sa më shumë punë të mira e sa më pak mbrapshti!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s