10 më të pasurit dhe rasti i Samir Manes

Ja-kush-jane-10-sipermarresit-me-te-pasur-ne-vend1

Historitë me të pasurit tanë të rinj, ata që quhen ndonjëherë me cinizëm parveny, shpesh marrin natyrë anektodike, sidomos kur personazhet përqeshen dhe bëmave të tyre u shtohen elementë zvetënues. Qesëndia ndaj pasanikëve apo pozicionimi i tyre në rolin e Goliatit përballë davidëve të shumtë të ‘vegjëlisë’ që gjithherë i fitojnë betejat e pabarabarta me ta, është një gjë sa e folklorit aq edhe e historisë.

Në këtë narrativë të zhbalancuar ka ndikuar shumë edhe periudha komuniste e Shqipërisë. Në letrat, filmat apo folklorin e ri të socrealizmit, në të gjithë antropologjinë sociale dhe kulturore, tregohej kujdes për zhbërjen e të pasurit, dmth klasave të përmbysura, kulakëve, bejlerëve tregtarëve etj, dhe gjithë favori i shkonte bijve të popullit, vegjëlisë, klasës punëtore, fshatarësisë kooperativiste.

Ky jakobinizëm intelektual apo perceptiv nuk kish si të mos zgjatej edhe në paskomunizëm. Të pasurit vazhdojnë të shihen me dyshim. Nuk ka gjë se ish-të pasurit apo –ish-klasat e përmbysura, ajo që mund të quhet para e vjetër, nuk u rimëkëmbën pas murtajës komuniste. Edhe parveny-të, bij të vegjëlisë në masën më të madhe, vazhdojnë të shihen me skepticizmin e vjetër.

Nuk është vetëm ky paradoksi i këtij raporti të zhdrejtë mes të kamurve dhe të tjerëve. Klasa e pasunarëve të rinj mund të ndahet në dy kategori: një pjesë që ‘nuk u ka ecur fati’ por guximi dhe kreativiteti sipërmarrës, dhe të tjerë që mund të konsiderohen pionierët e gangsterizmit apo parasë së errët. Këtu fut gjithë atë grup vagabondësh rioshë të komunizmit e të tjerë që u shndërruan fët e fët në malavitën e tranzicionit duke ushtruar të gjitha ilegalitetet: prostitucion,  drogë, armë e me radhë.

Paradoksi është se, ndër vegjëlinë e re e ke më të lehtë të dëgjosh pëshpërima glorifikuese për ‘pionierët’ sesa për sipërmarrësit. “Bravo i qoftë’, kumtohet më lehtë për dikë që e ka shtresëzuar paranë mbi një mijë e një të zeza se sa një tjetër që ka guxuar, ka krijuar dhe ka punuar brenda kufijve të legjitimes.

Grupit legal të të pasurve i ngarkohen nga ‘vegjëlia’ edhe faje që nuk i ka. Ndërkohë që nuk bëhet asnjë pyetje-se dihet- për gangolandin dhe për burimet e tyre të pasurimit. Dyshimi për atë të famshëm e të mallkuar ‘milion të parë’, vazhdon të jetë brerës por vetëm për njërin grup.

Shpjegimi i kësaj anomalie është ndoshta psikologjik dhe fsheh një lloj dijenie intuitive se një ditë, atyre me pasuri jolegjitime qerrja e ligjit do t’ua kapë lepurin (ose përplasja me të ngjashmit), ndërkohë që raporti i zhdrejtë, pra inferioriteti, me të pasurit legjitimë do të vazhdojë me gjasë deri në vdekje.

Shpikja e instrumenteve për ngushtimin e këtij hendeku është e këshillueshme. Së pari, sepse institucionet, shtetërore ose jo, duhet të krijojnë modelet ose shembujt ilustrues. Së dyti, duhet theksuar se pse janë këta individë apo kompani shembuj për t’u ndjekur dhe inkurajuar. Së treti, promovimi i tyre shërben në njëfarë mënyre si ‘bursë e Tiranës’, si dalje apo stimulimi i formalitetit në vend të informalitetit, dhe pse jo si njëfarë ‘tabele nderi’ me Kush është Kush në botën e biznesit.

Për këto qëllime Fondacioni për Liri Ekonomike në partneritet mediatik me gazetën MAPO, para pak ditësh, në vijim të një ‘tradite’ të nisur vjet, shpalli listën e më të pasurve të Shqipërisë. Nuk është sigurisht një risi duke qenë se revista amerikane Forbes e ka shndërruar në traditë dhe eveniment një listë të tillë, por është një përpjekje për t’i futur të pasurit mes nesh. Jo aq me numrat marramendës të milionave të tyre se me historitë e biznesit, dështimet dhe sukseset e para, strategjitë e me radhë.

Në krye të listës së FLE sivjet, si edhe herën e parë, u rendit Samir Mane. Një emër pas të cilit besoj kanë filluar pëshpërimën e butë ‘mitet’ e para. Mitet janë paradoksale: ato ndërtohen nga ata me largësinë më të madhe nga subjekti, të cilët nëpërmjet mitizimit nuk sigurojnë afërsinë por largësinë pothuajse absolute.

Unë kam një histori as mitike dhe as mistike me Samir Manen. Por mund të quhet surprizuese. Skena e episodit është një prej pronave të tij të shumta, një mjedis kulturor, kinema Cinneplex te TEG. Po shfaqej një film i pasdites dhe z. Mane është në sallë, i ulur diku nga fundi bashkë me të shoqen. Gjithçka është pezull në mbllaçitjet e popcorn-it, në atë 5 minutëshin shpresëmirë të reklamave para filmit. Një moment ‘i zoti i shtëpisë’ çohet për të dalë jashtë salle. E shoqja e thërret me të butë duke i zgjatur biletën. “Që ta kesh kur të rifutesh në sallë”, i thotë ajo. Ai aprovon duke marrë biletën. Del dhe kthehet pas pak.

Sigurisht, e tija është sjellja normale e një pasaniku, le të themi europian, por shumë prej nesh kanë qenë dëshmitarë kacavjerrjesh, bërtitjesh, të të bërit çmos të ‘bosëve’ të tjerë për të treguar statusin dhe peshën e lekut të tyre.

Kjo histori pa ‘mit’ e Samir Manes udhëton me mua dhe partneren time prej një viti, dhe e kemi rrëfyer shpesh ndër miq.

Duke e dëshmuar publikisht nuk ndihmoj Samirin, por krijimin apo mundësimin e një modeli.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s