Qimi që don të bëhet tra

Internet-Anonymity1

Një gazetar minimalist, nga një sajt gjithaq i tillë, me pezm, por pa nevojë, ka manifakturuar sulme e akuza ndaj tre kolegëve të MAPO. Shkas u bë një shkrim imi i fundjavës ku, ndoshta edhe me pak ngut e tepri publicistike, ‘radikalizoja’ në reagim të një radikaleje të fandaksur, se atyre që duan një opozitë tjetër, Basha duhet t’u jepte një parti.

Nuk dua të sqaroj këtu tekstin e shkruar, por dua të përgjigjem i cytur nga disa horrore konceptuale të kolegut minimalist, publikuar te syri që sheh vrima të zeza te çdo mendim, dhe kujton për mendime konspiracionet dhe vojerizmat.

Ai fut në një thes mua, Artur Zhejin dhe Henrin Çilin: dy të parët si ‘rrogëtarë’ dhe të tretin si “tutor”. Çfarë koncepti i ri në këto anë?! A mund të jenë tre individë tre kolegë, që ndajnë ide, që i diskutojnë, i debatojnë, bien dhe nuk bien dakord? A mund të paguhen njerëzit për punën që bëjnë, apo vetëm për ‘pritat’?

Them se po, dhe ka shumë që mendojnë si unë. Në këtë grup bëjnë pjesë njerëzit e lirë. Ata që i përshkruan robëria, aq sa dhe marrëdhënien me të Plotfuqishmin mund ta ndërtojnë veç në termat e ‘rob Zoti”, sigurisht që jo.

Qimi, megjithatë, fut ‘nën pagë’ dhe ‘porosi’, si mua ashtu dhe Zhejin. Anipse ne kemi shprehur mendime krejtësisht të kundërta. Unë kam artikuluar me forcë nevojën e instalimit të bashizmit në krye të PD-së, për hir të një opozite të fortë si nevojë e shoqërisë, ndërsa Zheji në një moment, në të drejtën e vet, në emisionin e Çanit ka folur për ‘rikthim të Berishës”.

Që ne të jemi paguar për dy gjëra diametralisht të kundërta, nga i njëjti individ, ngjan një lloj matematike që kërkon qimen në qull, gjilpërën në kashtë dhe vrimën në ujë në të njëjtën kohë.

Kur Qimi, bashkë me shokët e Qimit, përmendin ‘tutorin’ dhe ‘rrogtarin’, kam ca gjëra për t’u thënë. Po, unë marr një rrogë në kompaninë e Henri Çilit, dhe mbivendosja idioteske rrogtar-tutor bën të tillë 98 për qind të popullsisë, që nuk kanë biznesin e vet, dhe marrin një rrogë. Unë këtë lloj ‘përçmimi’ nuk e kuptoj. Ndoshta ata që e jetojnë, po.

Si “rrogtar” mund t’u përgjigjem qimëve se unë bëj jetën e një individi të shtresës së mesme. E kam bërë këtë jetë në Amerikë dhe Shqipëri. Dhe nuk del dot asnjë Qim që të gjejë një qime që nuk përputhet me atë që bëj e kam bërë.

M’anë tjetër, Qimët e medias apo OJQ-ve, duhet të pyeten se si jetojnë përtej talentit dhe përtej rrogave të tyre. Të ardhurat nga emisionet nëpër Qymez tv-të, apo punët e tjera të Qimit dhe shokëve të Qimit nuk i përligjin, as makinat, as shtëpitë dhe as gazetat online.

Këtu ka diçka që nuk shkon, dhe jo te fakti që një kompani merr kredi. (Një lajm me këtë rast: I kemi ikur asaj kohe kur kredia ndalohej me ligj dhe konsiderohej praktikë kapitaliste. Në këtë sistem kredia pranohet, por përfitimet e paligjshme, të paktën në letër, jo.)

Kaq për tutor-rrogtar e qimka të tjera që përgjojnë te jeta e tjetrit të paqenën për të nxjerrë prej saj konspiracione dy-lekëshe.

Qimi bën edhe një kapërcim tjetër pindariko-inkuizitor kur pyet se çfarë nënkupton me berishizëmkrahu i majtë i Bashës në PD, mapo-istët dhe uet-istët? Unë nuk flas dot në zhgane, se e konsideroj veten individ dhe mendoj, si Thatcher-i, se nuk ekziston shoqëria, por individi. Pikërisht ky koncept kulturor, besoj, më bën të djathtë Qim, jo fakti se jam nga veriu i Shqipërisë, apo jamberishist.

Por, dua ta sqaroj edhe çfarë kuptoj unë me berishizëm. Asgjë më pak se ato që kam shkruar, dhe nuk janë pak. Kryesisht komplimentuese dhe mbështetëse të rolit të z. Berisha, por ndonjëherë edhe kritike. Nuk kam ndryshuar mendim për berishizmin. Por nuk mendoj se berishizmi shkon më tej, se mund të përdoret si strategji e opozitës shqiptare. Berishizmi është një fakt historik. Përvoja e individit që përfaqëson kjo frymë është diçka tjetër dhe, në derën e kësaj përvoje, gjithkush që merret me politikë në Shqipëri duhet të trokasë. E di që kjo tezë do më kthejë nga berishist i së shkuarës, në antiberishist të së tashmes. Për këtë ‘mundim’ do kem paguar me ndonjë akt të mirë, siç thonë amerikanët.

Nëse ndahemi te ky shteg, nuk ka nevojë të kreshpërohemi e të sokëllijmë. Dhe aq të qesim kushtrimin. Le të rreshtohemi në krah të ideve tona dhe të presim se trupin e cilës ide do na qesë në breg lumi i kohës. I cili, siç e ka thënë Herakliti, nuk mund të jetë i njëjti kur të ecim së dyti përkrah tij.

Ky është një leksion i madh. Merreni Qim! Bashkë me ata që janë sa të gjerë aq dhe të shkurtër; bashkë me ata që bëjnë thirrje për revolucion ngaqë s’kanë asgjë veç forcës; bashkë me ata që mendojnë me bark; bashkë me ata që janë gati t’i pushkatojnë liberalët, siç kanë bërë në vitet ‘40, ‘50, ’60, e me radhë.

Sa i takon dy të akuzuarve të tjerë, Henri, dreqi vetë ky njeri, është pas supit tim ndërkohë që unë hedh këto radhë në kompjuter, duke më thënë si dhe çfarë të shkruaj. Kjo ta përmbush autoprofecinë, apo jo?!

Zheji ndërkohë është në Sarandë me pushime. Po kujton ‘Rajmondën’ e tij. Ndofta edhe gra apo shkrime të tjera.

Në fund, kujtimet na mbeten. Edhe nëse janë gjëra që s’i kemi bërë mirë, të paktën jemi munduar të bëjmë diçka.

Nuk ka si kujtimet, Qim.

Ndërto edhe ti të tuat.

Një përgjigje ndaj “Qimi që don të bëhet tra

  1. SHKRIM ME KARAKTER…PO QIMI KUSH ESHTE…(MJAFTON EDHE NJE KOORDINATE NESE EMRI I TIJ I VERTETE NUK BEN TE DALE NE SHKRIM..)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s