Për anjezat e administratës, mace me 7 shpirtra (nuk u del asnjë)

drejtoresha_2

Çdo ngjarje, pozitive apo negative, pas llavës së nxehtë të emocioneve që e shoqëron në tri ditët e para (aq sa ç’zgjat çudia) duhet të na imponohet më shumë me hirin. Vetëm prej hirit të ftohtë pasi, është djegur ngjarja, emocionet dhe kronika e saj, mund të mësosh diçka.

Vlen kjo edhe për rastin e fundit të Shkodrës, kur një edukatore e Shtëpisë së Fëmijës i keqtrajtonte të vegjlit që kish nën kujdestari me ftohtësinë e pashpirt të një kafshe grabitqare. Sigurisht, janë të përligjura të gjitha reagimet në të nxehtë ndaj këtij episodi i cili nuk mund të jetë i veçuar, nuk është i vetmi dhe as rastësor. Pamjet flasin për një histori. Tregojnë se në fakt kështu janë gjërat, në mos edhe më keq.

E vërteta e dhunshme dhe flagrante e rastit të Shkodrës na jep panoramën e akullt të një shtresëzimi shoqëror. Të një plage që ka zënë kore. Nën të mund të fshihen shumë gjëra, si pandjeshmëria, rrathët e dhunës ciklike dhe përligjia e saj, të gjitha këto gjarpërinj që flenë nën gjethet e praruara të atyre që ne i kujtojmë institucione të mëshirës apo të empatisë sociale. Mbi të gjitha, nuk mund të të mos habisë e revoltojë pandjeshmëria ndaj të ngjashmit. Sepse të ngjashëm janë në këtë rast, si të dhunuarit ashtu dhe dhunuesit. Sipas raporteve mediatike, dy prej kujdestarëve që ushtruan apo ishin dëshmitarë të dhunës ndaj fëmijëve jetimë ishin rritur edhe vetë të tillë.

Çdokush do të imagjinonte një tablo të përmbysur: një kujdestar që keqtrajton fëmijët jetimë dhe një tjetër, që ndan fatin e keq me viktimën dhe ky fat e shtyn të reagojë, i del në mbrojtje të pambrojturit tek i cili sheh veten e dikurshme. Nuk ndodhi kështu dhe kjo shënon një brutalitet, patologjikja e të cilit mund të dekodohet vetëm nga manualet e psikologjisë. Përbën megjithatë një skizofreni sociale. Një shmangie nga kursi i etikës, së mirës, së drejtës, të ligjshmes e të tjera.

Në këtë rast fatkeq e skizofrenik sipërfaqëson edhe një mjerim tjetër, sa njerëzor aq edhe institucional. Protagoniste ka një grua që është njëherësh edhe drejtoreshë e shtëpisë së fëmijës. Në fillim duhet thënë se ngjan e pamundur që dhuna e ushtruar mbi një grup jetimësh, ditën për diell dhe në sy të qytetit, të mos jetë asgjë më shumë se vazhdim i akteve që ndodhin si zakonisht brenda rrethimit të Shtëpisë së Fëmijës. Më shumë se kaq, që kreu i institucionit të mos ketë pikasur gjë.

Por, le ta hedhim poshtë si të pagjasë këtë hamendësim. Drejtoreshës Gjeluci, që i pëlqen ta thërrasin Anjezë e jo Anjeza, është zonjë grua dhe nuk do lejonte kurrë që në sy dhe në orën e saj, fëmijë të pambrojtur të keqtrajtoheshin. Le ta shpallim të pafajshme Anjezën derikur ajo të gjindet fajtore.

Por Anjeza nuk të lë. Gjatë ditëve që pasuan publikimin e pamjeve të dhunës mbi fëmijët, reagimet e saj kishin çorodinë e një mendjeje në arrati. Ajo e vazhdoi aktivitetin e saj publik në Facebook duke reaguar ligsht ndaj gjithë kritikuesve të saj, duke i bllokuar ata dhe duke mbajtur qëndrime kryesisht të pahijshme. Në të teposhtë u fut sidomos me një status ‘të fortësh’ si reagim ndaj emisionit ‘Opinion’ të Fevziut. Në të dallohej kalamendja e formimit kulturor të hajthëm, prepotenca e një drejtoreshe (edhe pse ish), e sidomos pandjeshmëria apo padëshira për të kuptuar se ngjarja e ndodhur ishte më e rëndë se çka i dukej si keqtrajtim i saj nga opinioni publik.

Por Anjezë Gjeluci përfaqëson vetëm një përthyerje të vogël të kulturës së pandëshkueshmërisë me të cilën është formësuar funksionari shtetëror këtu te ne. Kur e keqja normalizohet ajo edhe banalizohet. Ata që e luftojnë të keqen ngjajnë të pavend, ndërkohë që bartësit kreshpërohen në habi për reagimin ndaj tyre.

Zonja në fjalë kishte marrë nga libri i përdorur, sa herë tashmë, nga njerëz të politikës apo administratës, të cilët ndaj çdo sulmi ngrenë një kundërsulm, ndaj çdo padie një kundërpadi.  Askush nuk tërhiqet, askush nuk kërkon ndjesë, askush nuk rrëfehet.

Dhëmb për dhëmb e sy për sy kërkojnë t’u dalë shpirti. Shelbimin nuk ia duan kësaj bote as tjetrës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s