Vizita e Merkelit ose Bienalja e Tiranës

merkeli-0807152

Vizita e kancelares gjermane Merkel i shtriu dje krahët mbi dy ekstreme të kavërdisura me kujdes në kuzhinat e propagandës së palëve politike. E hapte krahun e para gazeta e opozitës ‘Rilindja Demokratike’, e cila i mëshonte me një kryeartikull idesë se Frau Merkel vinte në Shqipëri pikërisht prej problemeve të shumta që e kanë pllakosur vendin nën qeverisjen socialiste. Nuk rrinte pas as zyra e komunikimit të kryeministrit, e cila i kish parapërgatitur kancelares gjermane tavën e një pyetjeje orientale sa s’ka, së cilës, oksidentalisht, ajo iu përgjigj me “Nein. Nein. Nein.”

Pyetja rrekej të vizatonte shefin e qeverisë shqiptare me dritën e liderit, duke hequr paralelen aq shumë të përfolur e më shumë se aq të lakmuar të dëshirimit ballkanik se ‘po, kryeministri shqiptar është i preferuari i Merkelit”.

Mund të jetë kështu, dhe të tillë do e donim raportin mes tyre. A nuk kemi thënë se ne shqiptarët, siç provuan edhe zgjedhjet e fundit vendore, kemi rënë në gropën thithëse të pragmatizmit prej  ku s’na nxjerr dot as Apokalipsi?!

Vizita e djeshme, e cila duhet thënë, është e rëndësishme për shqiptarët dhe Shqipërinë, nuk ka prodhuar megjithatë asnjë mundësi gosipi për një ‘special relation’ ndërmjet Ramës dhe Merkelit.

Megjithëse përpjekjet e kryeministrit tonë kanë qenë djaloshare. Ai e kish pajosur segmentin nga Rinasi në zyrën e tij me kujdesin që një gjimnazist zgjedh ‘rekuizitën’ e mbrëmjes së maturës. Streha dhe fasada e re e selisë kryeministrore, arti në kopësht dhe në sallat e pritjes, Ismail Qemali rrethuar nga dromca pikturash, ishte e gjithë përpjekja artistike e një shefi qeverie për të mos qenë ‘i mërzitshëm’ për mysafiren. Apo dhe për të rrëzuar mitin, jo krejt të rrejshëm të shqiptarit të pagdhendur që stolis paragjykimet europiane.

Një kryeministër që sillet si krye-estet mund të jetë lajm i mirë ose jo. Ndoca prej jush që po lexojnë këto radhë, të enamoruar me Edi Ramën, do thonë ‘kush je ti ta gjykosh atë’. ‘U bëre ti’. Apo gjëra shumë më të rënda. Jini të lirë. Askush s’e ndalon më internetin së ekzistuari, përditë e papushim, si gropa septike e njerëzimit.

Por në qytet ndihet ende ajri i parfumuar me dashninë o Zot që shemb (një grua kësaj radhe), dhe ndoshta kjo trallisje do jua mbajë dorën.

Për ta futur në mill thikën e ironisë, del të thuhet se vizita e Merkelit do të qe e rëndësishme në të gjitha rastet. Edhe sikur ajo të kish ardhur jozyrtarisht. E para, na lajmëron një partneritet ose vullnetin gjerman për të gjetur një partner në këto anë të Europës që quhen Ballkan e Shqipëri. Që ne të ngrihemi në lartësinë e këtij partneriteti të kërkuar duhet ama të plotësojmë disa kushte. Të cilat mund të merren edhe si qortime.

Zonja Merkel i bëri dje publike këto kushte, megjithëse nuk është se nuk i dinim. Janë të dyshuarit e zakonshëm. Një drejtësi e fundosur në korrupsion; korrupsioni që nuk ka kapur vetëm drejtësinë; krimi që vazhdon të jetë problematik dhe nuk është vetëm i rrugës; apo problematika e emigracionit shqiptar. E të tjera.

Por kjo e fundit, pra lidhja e azilkërkuesve me integrimin e Shqipërisë ose më saktë hapjen e negociatave përbën edhe paradoksin e madh. Numri i madh i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani- më i lartë edhe se i vendeve në luftë dhe të kërcënuara nga ISIS- dhe integrimi nuk shkojnë. Ata e kushtëzojnë apo përjashtojnë njëri-tjetrin.

Në fund, Shqipëria i ka të gjitha këto probleme, por Merkel nuk erdhi dje vetëm për to. Shqipëria ndodhet në një rajon ku kreshpëron kriza greke dhe ku Rusia dëshiron ta shtrijë influencën e saj. Gjermanisë i duhet të luajë rolin e fuqisë së parë në Europë.

Shqiptarët, pavarësisht dasive të politikës së brendshme, duhet ta kuptojnë dhe ta mirëpresin një fuqi si Gjermania.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s