Qazim beu i Elbasanit dhe lalë Krosë të tjerë të Edi Ramës

sejdini

A e keni dëgjuar një bisedë të Qazim Sejdinit, kryetar prej dy mandatesh i bashkisë së Elbasanit, aktualisht në kërkim të të tretit? Po kuvendon me gazetarë lokalë të cilët i kërcënon ‘me lezet’. Nëse jo, ndoshta keni lexuar novelën Vjeshta e Xheladin beut të Mitrush Kutelit. Secila do ju jepte një atmosferë të tjetrës.

E folmja krahinore, përzier me mujsharinë e pushtetit, përzier më tej me një ngathtësi, në të shprehur e veprim, të viteve të shtyra, portretizojnë një qeveritar lokal shqiptar, një model që e njohim, nuk e pëlqejmë, por çfarë t’i bëjmë?

Unë nuk vë bast, askush nuk do mundej në fund të fundit, se të ngjashmit e Sejdinit, efendinj të pushtetit, nuk gjenden sa majtas aq djathtas. Por, pavarësisht kësaj, koha na bën vend për të theksuar një prirje. Ose një habi.

Çfarë bëjnë këta agallarë të nëntëqindës mu në prapadhomën e pushtetit të Edi Ramës? Këta tipa që Edi Rama dikur, nga nëntëdhjeta në dymijën, konician siç shfaqej, i përbuzte me patos?

Çfarë ka ndryshuar te Rama? Si e ka lejuar ai këtë gri të përzishme në burgundinë e ndezur të penelatës së tij politike? A e ka shembur pushteti politik pushtetin artistik tek ai? A ka humbur Edi Rama diku në udhëkryqet e ububushme, në shilëkaribdat politike e tashmë, për dreq, nuk është më as artist, as politikan, veç ndonjë gjë midis.

Transgresioni i tij i ri, a mos është ekzibicioni në publik i këtij kontrasti të thellë që ai bën me disa të përzgjedhur prej tij në shpurën groteske?

A mos vallë Qazim Sejdini, Vangjush Dako, Elvis Roshi, Tërmet Peçi e të tjerë, secili me hisen e vet, janë hajmalia për të trembur nga Rama dhimbjen e një Shqipërie, përfytyrimin e së cilës ka dashur dikur, dhe tani i është thyer përballë Shqipërisë që ai ka ‘gjetur’ pas daljes nga publicistika e futjes në politikë?

Edi Ramës i ka ndodhur bumerangu fantastik i parabolës që pat ndërtuar, për vete e të tjerë, në vitet ’90: gjithë ç’ka qeshur e ka veshur!

Ç’mund të thuash për Dakon e Durrësit, ky Kolonel Bunker i Adriatikut, i këtij mare nostrum nga Cezar Augusti e këtej? Në shpurën e Ramës e ke!

Ç’mund të thuash për lalën e Elbasanit, që e ka qeverisur qytetin normal të Normales me një javashllëk otoman? Edhe ky i besuar i Kryeministrit!

Po për Tërmet Peçin e Tepelenës, Elvis Roshin e Kavajës e ndonjë tjetër, sherifë të demokracisë, që të kujtojnë komandantët e njësiteve komuniste që morën pushtet pas hyrjes në Tiranë të Enver Hoxhës.

Mund të thuash shumë, por mund të ndalesh te një shqyrtim: një ish-konician, që shfaqet herë pas here edhe si nolist, por që ngulmon se është anti-zogist më shumë se asgjë, ka gjetur lalë Krosët e tij.

Ky është modeli që na paraqet. Ky është modeli që na fton t’ia votojmë më 21 qershor. Atë model që ka në kokë e ka veç atje, se ne nuk e shohim.

Ia falim, se të gjithë e kemi nga një haluçinacion.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s