Sondazhi i IPR, një futjakot e shkallës industriale

ipr1-670x340

Sondazhet nuk janë shkencë ekzakte, dhe kjo është një gjë që dihet. Dihet gjithashtu se joshkenca e tyre është provuar edhe në ‘vende ekzakte’ sa i takon transparencës. Një shembull të fundit e kanë dhënë kompanitë e sondazheve në Britaninë e Madhe, të cilat gabuan aq shumë në zgjedhjet e fundit parlamentare, sa parashikuan fituese opozitën ndërkohë që pushtetin e mbajtën Konservatorët e David Cameron. Madje pa patur nevojën e koalicionit me Liberal-Demokratët, parti me të cilën ndanë pushtetin për katër vjet.

Kompanitë e anketimeve ia ‘futën kot’ domethënë. Ndodh. (Vetëm Big Bangu mund të jetë perfekt.)

Një futjakot e shkallës industriale ngjante edhe sondazhi i kësaj jave i IPR Marketing. Këtë ndjesi nuk ta shkakton vetëm hendeku mes blloqeve politike, por edhe tendenca në ‘matje’ e anketuesve. Metodologjia diversioniste, që të bën të dyshosh për shtysa jashtëprofesionale, domethënë politike.

Sa për fillim, sondazhet nuk janë matje që bëhen në eter, por në një territor lëndor, pra marrin në konsideratë faktet, gjërat që kanë ndodhur, brenda historisë politike e sociale që ka rrjedhur ndërkohë.

Ç’përrenj janë futur në shtratin e lumit politik e social, që duket se nuk reflektohen në matjet që ka bërë në këto ujëra IPR Marketing?

Së pari, mosreflektimi në sondazhe i realiteteve të reja që ka prodhuar qeverisja e së majtës: shtrëngesat ekonomike, skandalet e korrupsionit, si p.sh rasti i drejtoreshës së Arsimit të Lushnjës, dështimi me “Crown Agents”, skandali seksual i Sarandës, denoncimi ‘Tom Doshi’ dhe implikimet e rastit ‘Mark Frroku’. E të tjera. Të gjitha këto zhvillime negative, të ndodhura në orën e qeverisë, nuk pasqyrohen në sondazh. Që do të thotë, ajo që ka ndodhur është jashtë tij.

Flagrant në kontrast është edhe ‘reagimi’ ndaj pyetjes ‘kush i fiton zgjedhjet?’. Vetëm 12 për qind, një rekord historik, mendojnë se do t’i fitojë opozita. Ka një mospërputhje logjike në këtë numër. Mbështetësit e një force politike, edhe kur humbja duket e qartë për krahun e tyre, sërish nuk ngurrojnë të mendojnë se partia e tyre fiton.

A është katandisur në 12 për qind mbështetja e opozitës? Edhe pse Partia Demokratike ka një lidership të ri? Edhe pse axhenda e saj është bërë axhendë e ndërkombëtarëve? Për dekriminalizimin është fjala. Edhe pse ekonomikja e vendit ngjan e zymtë?

Realiteti që nuk përthyhet kurrëkund në sondazhin e IPR, nuk është në fakt problemi kryesor i këtyre matjeve. Ndodh që përsëritësit publikë nuk i kapin ca mesazhe apo realitete dhe peizazhi i përftuar duket i padrejtë.

Tendenca, apo diversioni i hapur i anketuesve, ajo që i bën të duken si ‘pushkë të porositura’, është matja e opinionit për dy figura të së djathtës: Lulzim Bashën dhe Sali Berishën.

Është një diversion që e gjejmë të përsëritur çdo ditë nga Rama e Meta. Në çdo rast që u jepet. Me një ngazëllim, të cilit më shumë i duket cinizmi. Cila metodologji, cili interes publik apo politik i shtyn anketuesit tanë të ‘gërmojnë’ publikun për ish-kryeministrin dhe ish-shefin e Demokratëve, z. Berisha? Kur dhe ku e ka shprehur ai interesin për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale?

Nuk është e drejtë. Por kjo padrejtësi bëhet e dobishme duke e hedhur në erë sondazhin e IPR. Ciflat e shpërthimeve janë të pamatshme, por decibelët e lartë të zhurmës mjaftojnë për të formuluar mosbesim. Jo për amatorizmin, aq sa për kostumin politik të porositur që quhet sondazh.

Dymbëdhjetë për qind? Edhe me makinën e kohës, duke u kthyer në vitet ‘60 të komunizmit, të ishin bërë matjet, opozita shqiptare do të dilte më mirë

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s