Kisha pro dekriminalizimit: për kë bien këmbanat?

bell-tolls

Një deklaratë e Kishës Katolike dje është ndjekur thuajse me ngut nga një tjetër e Partisë Demokratike. Duke qenë se apriori e kuptojmë angazhimin në këtë çështje të një partie politike që udhëheq aksionin opozitar në vend, na mbetet të kërkojmë përgjigje për pse-të e Kishës për t’u shpallur pjesëmarrëse në një debat të tillë.

Si fillim duhet thënë se daullet e dekriminalizimit nisën e ranë rreth logut politik dhe vallja e shpatave po hiqet nga deputetët e majtë që i përkasin fesë së kryqit. Tom Doshi dhe Mark Frroku, (deputeti shkodran dhe pukjan, siç shqyhen për të kumtuar nën ngazëllimin e injorancës diabolike një pjesë e medias apo të tjerë), vijnë nga zona kryesisht katolike të veriperëndimit të Shqipërisë. Dy deputetë të tjerë, njëri përfaqësues i Lezhës dhe tjetri i Tiranës, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu janë në proces mbrojtjeje para Gjykatës së Lartë, të paditur për ‘goditje për shkak të detyrës’ nga kolegu i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri.

Deri këtu mo-Zo’-ma-keq. Shigjetat e Partisë Demokratike ranë së fundmi edhe mbi një tjetër deputet të mazhorancës së majtë, të cilin Edi Rama, shefi i socialistëve e ka piketuar si kandidat për bashkinë e Krujës në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Artur Bushi, kandidati në fjalë, të paktën nuk është katolik. Përsëritja e emrave të tillë në të cilët ndihet tingëllimi nominal i së krishterës, në një kontekst pezhorativ siç është ai i dekriminalizimit, krijon një imazh negativ që shkon përtej këtyre 4-5 emrave. Katolikët e politikës i ndjek edhe fati i pashmangshëm i logut, i epikës, i të jetuarit si në një këngë të Lahutës së Gjergj Fishtës. Ata e kanë parë Kuvendin si një Konkurs trimërie në Bjeshkët e Namuna, një shkërbim force, me një dritë në sy që bëhet tutë vetëm para Zotit.

Kujtoni frazën kinematografike të Tom Doshit me vështrim të ngulur në lenten e kameras: unë kam vetëm një armik sot në Shqipëri, e ai është Ilir Meta! Ose shpalljen e Mark Frrokut: jam i pastër para Zotit (njerëzit nuk më interesojnë!).

Por nuk jetojmë në epos.

As Kisha Katolike nuk banon aty dhe bash për këtë, ajo ka ngritur dje një digë të lartë me anë të deklaratës së saj.

Së pari, u kërkon partive politike që të mos kandidojnë personazhe që kanë qenë të lidhur me krimin apo përfliten për implikime kriminale.

Së dyti, i bën thirrje grigjës së vet por edhe çdo shqiptari, që të mos i votojë ofertat e dyshimta të partive politike.

Së treti, merr përsipër të gjykojë edhe një akt, që në Shqipëri as që është menduar si kriminal, por është inkurajuar nga të gjitha palët, kush më pak e kush më shumë: Shitblerjen e votës.

Së katërti, bën, në njëfarë mënyre, shkishërimin e atyre kandidatëve katolikë me probleme me drejtësinë, të cilët do të kandidohen në partitë politike.

Kisha Katolike ka dalë dje nga hija dhe është sjellë siç i ka hije. Ka luajtur prijësin shpirtëror e moral dhe e ka vënë veten përballë politikës. Ndryshe nga kjo e fundit, nuk e ka ‘tradhtuar’ vizitën historike të papa Françeskut në Shqipëri.

Në traditën e vet të mirë ka përsëritur një veprim të ndërmarrë në Siçili nga kisha e atjeshme në luftën kundër mafias.

Puristët e shekullares të mos tremben: nuk ka cenuar laicitetin, por kriminalitetin.

Katolikët të ndjehen të ngushëlluar për një strehë që e kanë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s