Si shkruajmë: 7 gabime që na tradhtojnë gjuhën dhe kulturën

 

images (1)

Fjalë, fraza apo tituj që i ndesh në shtypin e përditshëm dhe median pamore. Nuk vrasin askënd, por pikatorja e tyre helmon burimin e fjalëve.

 

Zoti… me të vogël

Një studiuese rumune, Luminita Rosca, në një studim për newspeak-un në vendin e vet, gjatë regjimit komunist, vëren ndër të tjera se zot shkruhej me të vogël në shtypin e kohës së Çausheskut. Pas rënies së të dyve, komunizmit dhe Çausheskut, ajo vëren se, si në një akt çlirimi, filloi përdorimi i menjëhershëm i Zot me të madhe. Në Shqipëri ende. Në shumicë, ata që përdorin fjalën Zot në shkrimet e tyre (të pashenjta, sigurisht) parapëlqejnë variantin e vjetër ateist dhe jokorrekt, zot. Përveç reminishencës dhe një kodi gjuhësor të formuar dhe bartur nga agjitpropi i newspeak-ut komunist, te përdorimi i zot me të vogël kemi edhe një gabim drejtshkrimor: Zot është emër i përveçëm; është një Zot; ka një Zot; Zoti; Perëndia e me radhë (është tjetër gjë të flasësh për zotat e Antikitetit grek apo romak). Në librin Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe, botim i vitit 1973, emri perëndi konsiderohet i përveçëm, (nuk përmendet Zoti kurrkund), po ashtu edhe allah, ndërkohë që Krisht e Muhamet sugjerohen si emra të përveçëm dhe nisin me gërmë kapitale. Me të vogël sanksionohet edhe të shkruarit e festave fetare si kërshëndella apo bajrami. Ndërkohë Partia, sipas të njëjtit fjalor, duhet shkruar me të madhe.

Një risi të re

Një risi është diçka e re; diçka që e hasim për herë të parë; një inovacion; një shpikje; një pjellë e kreativitetit apo imagjinatës. Risi është e reja, por është gabim të flasësh për risi të reja sepse kjo implikon mundësinë e të paturit risi të vjetra ose të reja të vjetra. Në të dy rastet jemi në alogjikë gjuhësore. Togfjalëshin risi e re e has jo rrallë, si në tekstet e shkruara në komente apo analiza gazetash, por edhe në televizion kur dikush përpiqet, kryesisht për qëllime politike apo marketingu, të përcjellë te të tjerët magjepsjen e diçkaje. Një malli apo (largqoftë!) ideje. Në gjuhësi, kur dy fjalë që kanë të njëjtin kuptim përdoren në të njëjtin togfjalësh, biem në tautologji. Risi e re është një e tillë. Dhuratë falas do të ishte një tjetër. Borë e bardhë, një më tej. Apo betejë e dhunshme (pse, a keni dëgjuar për beteja të paqta?). Pse jo edhe çift binjakësh. Jo për sakrilegj, por edhe Zoti i Madhërishëm është një tautologji.

Quo vadis, Shqipëri?

Këtë alarm për drejtimin e marrë nga Shqipëria, e gjen shpesh si stoli titujsh, medemek intelektualistë, në komente apo analiza, në faqet e të përditshmeve shqiptare. Është shenjë e angazhimit të inteligentsias bartur që nga koha e komunizmit, por me fillesa ku e ku më të hershme, bash në Francë te shkrimi i famshëm J’ accuse i shkrimtarit Emile Zola. Shtypi i viteve ’90, dmth i pas rënies së Murit të Berlinit trysnohej e trumhazej shpesh, sa nga ngjarjet që e çonin Shqipërinë në zgrip, aq dhe nga thirrjet e dëshpëruara të inteligentsias. Quo vadis Shqipëri është pra një klishe dhe si e tillë tregon njëfarë mungese fantazie dhe kreativiteti. Hepimi që mund t’i bëjë respektit të lexuesit fjala latine quo vadis (ku po shkon) është në fakt një gungë mërzie. Por është edhe një alarm fals psikologjik i autorit/autorëve, një ngatërrim i ankthit personal me gjendjen kolektive. Nëse Shqipëria do ish gjendur para humnerave apo teodosvijave të mëdha të historisë, po aq herë sa ka patur në shtyp artikuj me këtë pretenciozitet, nami as nishani nuk do i kishte ngelur këtij vendi.

Por, megjithatë…

Dy lidhëza, lejore dhe kundërshtore, në fillim të një fjalie, në një opinion në një gazetë të përditshme kombëtare, janë një atentat ndaj rregullave të drejtshkrimit. Edhe po të mos ishin kanonet gjuhësore mund të kuptohet ‘me vesh’ gërvima e derës që mbyllet para mundësisë së të përdorurit të ‘por’ dhe ‘megjithatë’ ngjitur-ngjitur në krye të një fjalie, apo çdokund qoftë. Dy gjepura gjuhësore, dy parazitë që takojnë njëri-tjetrin në kthesën sintaksore të një profani, janë këto dy lidhëza. Të cilat, në këtë rast dhe në çdo herë, kur janë pranë e pranë nuk lidhin asgjë përveç gjuhën e atij që i has një mëngjes para gazetës dhe kafesë. Por, megjithatë J nuk kërkon vetëm njohje gjuhe shmangia e kësaj kundravajtjeje. I nevojitet edhe një sqimë e brendshme, e cila e njeh muzikën dhe logjikën e gjuhës edhe pa pasë lexuar kurrë për rregullat e saj. Çdo megjithatë, sidoqoftë e gjen por-in e vet diku.

Është mëse e vërtetë

Kur një gjë është e vërtetë, te kjo cilësi, vërtetësia, njëmendësia, faktueshmëria qëndron edhe atuja e saj. Nëse nuk është e vërtetë, është e gënjeshtërt, e rrejshme, false, e pavërtetë. Kështu që dëshira për ta hiperbolizuar diçka që është e vërtetë përbën një naivitet stilistikor dhe një alogjikë gjuhësore. Një gjë nuk mund të jetë shumë ose pak e vërtetë, mëse e vërtetë, e me radhë. Diçka është ose nuk është e vërtetë. Kjo nuk i pengon artikullshkruesit në shtypin e përditshëm, të cilët, për të argumentuar dhe shtuar peshën e një mendimi apo teze, bien në leqe që i ngrenë vetë. E vërteta është diçka relative në kuptimin e spekulimit apo argumentimit të tezave teorike që kanë të bëjnë me një problem abstrakt, ato lloj trajtesash që Gramshi i quante ‘shënime të shkurtra mbi gjithësinë’, por në terma të gjuhës bëhet fjalë për thjesht shmangie.

E dëgjojmë me veshët tanë

E shohim dhe e dëgjojmë edhe ne këtë frazë piktoreske ndër shkrime, dhe nuk na e besojnë veshët. Sugjerimi i saj, pak a shumë, është se ne mund të dëgjojmë edhe me veshët e të tjerëve. Në këtë rast do kishim të bënim me një thash-e-them. Por nuk është vetëm përemri pronor ‘tanë’ që ‘sqaron’ se të kujt janë veshët dhe se ne mund të dëgjojmë me ta edhe kur nuk janë tanët, por edhe ndërkallja e foljes ‘dëgjojmë’, veta e parë, numri shumës. E dëgjojmë me veshët tanë?! A do mund ta dëgjonim me diçka tjetër përveç veshëve diçka që thuhet apo pëshpëritet? Cili organ apo shqisë e luan rolin e të dëgjuarit te njeriu? Veshiiiiiii. Kur ne dëgjojmë diçka, me veshët e kujt e dëgjojmë?! Tanëttttttt. Në çdo rast logjik ‘e dëgjojmë diçka’, çfarëdo qoftë ajo, do të mjaftonte për të përcjellë kuptimin e asaj që autori ka dashur të thotë. Me veshët tanë është një trashje e frazës që vjen nga një burim gjithaq i trashë.

Opinione në publik, media dhe më gjerë

Kjo frazë, gjithashtu e përdorur pa kursim, si në median e shkruar ashtu dhe pamore, është një thirrje e squllur për aleancë. Autori ose autorja, në përpjekje për të bërë me këmbë një argument dhe për t’ia ngulur këto këmbë në tokë idesë së vet, flet në emër të popullit. Duke rrasur ngucshëm te ky ‘popull’ virtual, opinionin publik, median dhe më gjerë. Shtjellimi i më gjerë është sidomos një rast kureshtar. Çfarë do me thënë më gjerë? A ka më gjerë se opinioni publik, domethënë komuniteti, populli, turma, quaje si të duash, dhe ku janë kufijtë e tij? A sugjeron paanësi kjo gjerësi? Çfarë synon shtrirja e këtij opinioni në gjerësi gjeografike? Asgjë më shumë se mungesë thellësie, në fakt. Gjithë çfarë e synojmë dhe e dëshirojmë në gjerësi dhe gjatësi e mungojmë në thellësi.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s