7 ide gazetareske për akademikët: si komunikohet shkenca

information

Qeveria britanike ka një Departament të Komunikimit të Shkencës. Shumë universitete të hapësirës anglo-saksone kanë futur në programet e tyre lëndën “Si ta komunikojmë shkencën”. Më poshtë janë idetë e një gazetari për ata akademikë që duan të shkruajnë për të përditshmet, pra të komunikojnë shkencën e tyre.

Lajmet e këqija në fillim

Shkruaj si në shtetrrethim dhe me mendimin, në dukje shkurajues, askush nuk do t’ia dijë për atë që don të thuash. Pse kështu? Për shumë arsye, por më kryesorja prej tyre, epoka në të cilën jetojmë dhe që është e postmodernizmit. Nuk është sekret se industrializimi i kësaj ere të re në histori nuk është më i llojit merkantil, por i atij informativ: me qindra e mijëra mesazhe në ditë e bombardojnë individin nga të gjitha anët. Audienca bëhet selektive dhe vëmendja e ka qarkun shumë të shkurtër. Studiuesit e komunikimit e kanë shpallur me kohë këtë çrreshtim të audiencës dhe fragmentim të saj. Përqendrimi i dikurshëm, revistat televizive të orës 20 që ndiqeshin nga të gjithë; gazetat që shërbenin si përbashkues të komuniteteve, nuk janë më. Pra, shkruaj me epokën tënde në mendje, dhe sidomos me mendimin se askush nuk është më qendër e botës. Qendrat janë shumë dhe ato janë të rrotullueshme si vetë bota.

Fito lexuesin nr. 1: editorin e gazetës

Editori (redaktori) i gazetës është porta e parë ku do të trokasësh me idetë e tua të paraqitura në formën e një analize, komenti, eseje, apo çfarëdo qoftë. Ai është edhe lexuesi i parë që duhet të ‘fitosh’. Nëse nuk bind dot editorin, që është publiku yt i parë, ç’të bën të mendosh se do bindësh publikët e tjerë. Kij parasysh llojin e ‘kafshës’ që është një editor gazete, sepse ai e din mirë llojin e ‘kafshës’ që je ti: ai ka pak kohë, por edhe më pak se ai ka lexuesi i gazetës. Barriera mes akademikëve dhe gazetarëve qëndron te keqkuptimi i të parëve se të dytët nuk janë mjaftueshëm të thellë për shkrimet e tyre. Sigurisht. Sidomos kur shkrimet e tua janë aq të thellë sa duhen polumbarë për të nxjerrë prej tyre kuptimin e asaj që ke dashur të thuash. Një gazetar është e mesmja e artë e të gjithë publikëve të tu: ai ka intuitën e zanatit të vet dhe shkollimin e një njeriu mesatar. Jepja atij/asaj shansin që ta lexojë shkrimin tënd në mënyrë që të rriten shanset për botim.

Çfarë është një gazetë

Kij parasysh ‘jetën dhe veprën’ e një gazete të përditshme. Vetë fjala ‘e përditshme’ mjafton për ta treguar historinë: ky lloj mediumi nuk është në kërkim të ‘dizertacioneve’, tezave të tejngarkuara, platformave të mëdha, doktrinave sipërane, dogmave të reja. Gazeta është në kërkim të lajmit ekspres, argëtimit apo opinionit. Kaq. E tillë është natyra e saj. Mos u mundo ta fusësh devenë tënde në vrimën e gjilpërës, që është një gazetë. Një gazetë është gjithashtu një media e konverguar. Që do të thotë, ajo është një website, por edhe një aplikacion për mjete të tjera të komunikimit si telefonat celularë, iPad etj. Kjo ‘përkohshmëri’ e gazetës nuk është një banalitet përballë ‘përjetshmërisë’ së shkrimit tënd shkencor. Marshall McLuhan, eksperti i famshëm i komunikimit, një shkencëtar, i konsideron si libreske qëndrime të tilla. Por, siç një gazetë mund të jetë shumë gjëra në një, edhe ti mund të jesh disa gjëra në një akademik.

Titulli shet

Oh, titulli! Gjithçka fillon aty. Titulli duhet të tregojë jo vetëm një histori, por gjithë historinë. Titulli është manekini i mallit tënd, reklama e punës tënde. (Mos harro: nëse një reklamë kalohet pa u vënë re, gjithçka tjetër është akademike!-  B. Bernbah). Një titull nuk është vetëm ekstrakti i idesë apo ideve të shkrimit, por edhe një ‘karrem’. Mos ia kij frikën ‘spekulimeve intelektuale’ me anë të titullit: Tingëllimi është gjithmonë i rëndësishëm për një titull, sepse tingulli është jehona. Si do të tingëllonte më mirë në krye të një eseje: Në gjurmë të prozës së humbur të Eskilit, apo Eskili, ky humbës i madh? Megjithatë, titujt që duhet të përdorësh nuk janë aq të rëndësishëm sa ata që nuk duhet të përdorësh. Shmangi klishetë, sidomos kur ato vijnë nga akademia, organizatat e shoqërisë civile apo gjuha e drunjtë institucionale. Më të rrezikshëm se këta janë shembujt e titujve të bartur nga newspeak-u komunist i kohës së Zëri i Popullit, Bashkimi, Puna etj. Ruajeni veten nga titujt si: Quos vadis Shqipëri; Edhe njëherë për tranzicionin; Ç’po ndodh me demokracitë e reja? A nuk e dëgjoni zërin e çjerrë të së përgjithshmes dhe përsëritjes te to?

Cilët janë publikët e tu?

Në një komunikim publik, çka është një shkrim për gazetë apo një intervistë a dalje televizive, asnjëherë nuk ka vetëm një publik. Publikët janë përherë në shumës. Si fillim, mos u shqetëso për ata që nuk dinë të lexojnë, ose nuk ‘lexojnë’ gjë tjetër përveç fotografive. Mos u shqetëso as për kolegët e disiplinës akademike: ata do të të lexojnë medoemos çfarëdo ti të shkruash, dhe çfarëdo paç shkruar do të të masakrojnë për të. Audienca jote është ‘klasa e mesme’: të arsimuarit, ‘të dalët’, tipa që mendojnë se kanë rëndësi në shoqëri dhe kanë njëfarë vetërespekti. Ata i kanë të gjitha këto, por një gjë nuk e kanë: kohën. Prandaj shkruaj sikur e vlerëson kohën e tyre! Në këtë mënyrë ke kapur më shumë se një audiencë, gjë që është edhe në thelb të komunikimit. Sigurisht mund t’i shpërfillësh gjithë këto ide nëse ke në kokë synimin e një audience të qartë dhe të vetme: kolegëve të tu, (domethënë je në sindromën e ‘shkencës për shkencë’), gruas apo nënës. Familjarët, edhe kur nuk të kuptojnë, të mbështesin. Në fund të fundit, nuk duan të mendojnë se paratë që kanë shpenzuar për arsimimin tënd kanë shkuar kot.

Footnotes dhe akronime? Jo, jo, jo

Atë që nuk e tregon dot me pamje (foto, grafikë etj) shprehe me fjalë. Mos dërgo në një gazetë të përditshme, si shoqërues të analizës, grafikë të komplikuar. Një karikaturë apo një foto argëtuese që ilustron idenë e shkrimit, ndoshta po. Përpjekjet për ta sqaruar apo ndihmuar lexuesin duke e ngarkuar i bëjnë atentat mundësive për të mbërritur tek ai. (Grafikët mund të kthehen në shembuj ilustrues në trup të artikullit.) Gjithashtu, shmang fundsqarimet (footnotes): Aq armiqësore janë ato për një të përditshme, sa as programet e faqosjes së gazetave nuk i përmbajnë si opsion. Po aq rënduese është edhe ‘kundravajtja’ gjuhës së thatë dhe teknike. Fjalitë e rënduara me terma dhe akronime nuk të sigurojnë autoritet në sytë e lexuesit. Nëse nuk të japin dum, autoriteti i vetëm që do kesh fituar në fund të shkrimit do të jetë: ky I PAKUPTUESHMI!

‘Doktoraturë për gazetë’?

Akademikët, me përjashtime që përforcojnë rregullin, kanë një keqkuptim, si me rolin dhe natyrën e gazetës ashtu dhe me të tyrin. Ata guxojnë t’i drejtohen publikut me tekste që pushtojnë dy apo më shumë faqe të një të përditshmeje. Ji i shkurtër: shkrimet e gjata nuk janë as për këtë medium (gazetën), as për këtë epokë (shekullin XXI). Veç gjatësisë, ata zgjedhin si strukturë të shkrimit edhe atë që konsiderohet si forma klasike e një dizertacioni apo punimi shkencor: abstrakt apo hyrje, shtjellim të tezës dhe përfundime. Të gjitha këto të paraqitura me fjalë në formën: në hyrje të këtij artikulli do të bëjmë….Struktura të tilla të tekstit (hyrje, shtjellim, përfundim) gjenden gjithashtu në shkrimet për gazetë, por nuk shpallen: janë aty nëpërmjet një ‘piramide’ që nuk shihet, por ekziston. Sa i takon asaj se ‘nuk mund të shkruhet shkurt’ një gjë shkencore…Nëse Umberto Eco mund ta shpalosë një ide, qartë, pastër, dhe në jo më shumë se 50 rreshta, më thuaj: po ti kush je?!

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s