Dekriminalizimi i politikës: nga Xhon Keri te Donald Lu

download

Refuzimi që ambasada amerikane i ka bërë listës së deputetëve shqiptarë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-ShBA meriton të përshëndetet për ndershmërinë dhe të analizohet për implikimet. Ndershmërinë, sepse qe krijuar ideja e një pakti të heshtur të partnerëve ndërkombëtarë, me në krye amerikanët, me kënetëzimin e politikës shqiptare. Rezoluta e dhjetorit për dekriminalizimin e politikës u shty nga propaganda e mazhorancës si asgjë më shumë se një lëshim bërë opozitës për t’u kthyer në parlament duke ‘ruajtur fytyrën’.

U desh uragani Tom Doshi që gjërat të lëviznin. Një deklaratë e fortë e ambasadës amerikane u mirëprit për ftohtësinë dhe ashpërsinë, por u mor me rezerva për pamjaftueshmërinë. Targetimi i zotit Doshi si e keqja e madhe, spastrimi i së cilës do e shpëtonte një parti apo gjithë klasën politike shqiptare, ishte një vrojtim hipokrit i gjendjes kritike apo një qasje e mangët. Edhe pse interpretimi i deklaratës i mëshonte faktit se ajo ishte shenja e lejes për të vazhduar me dekriminalizimin, u duk se nuk i mjaftonte teatrit tragjik që sapo kish ngritur perden në formën e një akuze për vrasje ndaj dy ligjvënësve, formuluar nga deputeti, deri dje i mazhorancës, Tom Doshi.

Aq më pak kur përjashtimi i z. Doshi nuk bëhej për dekriminalizim, por ‘për një sherr mes shokësh të vjetër” për të cituar një tjetër deputet të shumicës, z. Blushi.

Sikur ta ndjente pamjaftueshmërinë e vetes, deklarata e parë e ambasadës amerikane u shoqërua nga një qëndrim i dytë edhe më i ashpër, edhe më domethënës, edhe më spastrues, edhe më inkurajues. Një listë e gjatë me deputetë nga të dy krahët e politikës është zmbrapsur si e padenjë për të përfaqësuar miqësinë shqiptaro-amerikane. Më në fund ambasada amerikane u ka prezantuar shtratin e saj të Prokrustit politikanëve shqiptarë. Prej pak muajsh në krye të ambasadës, z. Donald Lu i ka bërë gjërat e qarta. This man is not for turning, nëse duam të përdorim një maksimë të përpunuar të Margaret Thatcher.

Mirë për të, mirë për ne, dhe mirë për imazhin që shqiptarët kanë për Amerikën.

Modele konspirative shohin te teksti i deklaratave amerikane nëntekstin e një kërcënimi për një flirt të mazhorancës me rusët apo kinezët. Aq më mirë! Nuk i duam as politikanët shqiptarë të korruptuar, as një gjeopolitikë shqiptare që sheh nga Lindja. Ngrohtësia strategjike me amerikanët buron edhe prej kësaj mosdashurie.

Për t’u kthyer nga nature mort-i i konspiracionit te natyra e trazuar e politikës së ditës këtu në Tiranë, nuk duhet një kapërcim në kohë e as një makinë kohe. ‘Lista e zezë amerikane’ është edhe lista jonë e zezë. Aq sa ç’është për faqe të zezë edhe integriteti intelektual, kulturor e moral i një përqindjeje të deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë. Kryetarët e partive politike shqiptare ndoshta e kanë keqkuptuar parapëlqimin ndërkombëtar për një përqindje grash në Kuvend.  Tridhjetëpërqindëshin e rekomanduar për to duket se e kanë zëvendësuar me tipa (burra) me të shkuar të errët.

Niveli kulturor dhe arsimor është diçka tjetër. Kryetari i Kuvendit, Meta nuk iu përgjigj dot pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu se sa është numri i deputetëve që nuk dinë të shkruajnë. Mungesa e një kundërshtimi kategorik nga ana e z. Meta tregon se ka në fakt analfabetë në Kuvend.

Dekriminalizimit, kryefjala e opozitës që prej shtatorit dhe aksionit të saj, i është shtuar edhe deus ex machina e Tom Doshit. Çdo ndihmë amerikane, ashtu si në fillim të viteve ‘90 kur Shqipërisë i duhej të shkëputej nga komunizmi, është e mirëpritur. Ambasadori Lu e ka filluar me një moment wilsonian misionin e tij në Shqipëri dhe ky është një lajm i mirë. (Do Zoti nuk sëmuret.)

P.S. Në romanin Revolta e Atlasit, pothuajse si një refren gjarpëron në gojët e personazheve pyetja misterioze ‘kush është Xhon Gallti?’. Ja një pyetje tjetër: a e mbani mend një deklaratë të para një viti të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Keri mbi elitat politike në Ballkan?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s