Toma në kabinën time

rama sterkaj

Deputeti Ben Blushi ka pasë lëshuar dikur një batutë me qëllim përkufizimin me anë slangu urban të autoritarizmit të shefit të PS, Edi Rama. Partia Socialiste është bëri si autobusi ku shkruhet ‘mos i fol shoferit’, ishte romuzi i z. Blushi.

Duke qenë se diç ka ngelur nga totemi i shoferit në psikën e deformuar të shoqërisë shqiptare, një vend ku para viteve ’90 shoferët gëzonin një status prej playboy, (kjo lidhej me stadin mjeran të Shqipërisë ku nuk lejoheshin makinat private dhe shteti i kish të pakta mjetet motorike), po vazhdojmë me një parabolë me shoferë.

Në filmin “Flutura në kabinën time”, personazhi kryesor (ai i keqi që ndreqej, si në çdo film socrealist) quhej Tomë. Mos-o-Zot, asnjë prej mësueseve të fshatit të largët mes malesh ku Toma shkonte me ‘Iliaz’-in e tij për të marrë trupa, nuk shkelte këmbë në kabinën e tij. E kish namin e keq, në qytet e malësi, Toma. Përveç Fluturës, mësueses së bukur, të cilën e aktronte pikëllimtarja Luiza Xhuvani. Ajo shihte te Toma më thellë se mësueset e tjera të fshatit: një djalë trazovaç në rrugë e sipër për t’u bërë burrë. I keq në thonjëza, por jo i rrezikshëm.

Edi Rama është Flutura në kabinën e Tomës.

Apo është Toma një tigër në autobusin e Edi Ramës? Por vjen një ditë kur Toma, i hipur në autobus nga Rama, pikërisht se është tigër, kërkon të jetë ‘fatorino’. Si tigër, shumë më i fortë se ujku duhet thënë, nuk merakoset shumë për të ndërruar as qime dhe as zakon. Ndërkrehet më shumë për atë që do kur sheh se flutura të reja, ngjyra të pahasura më parë në lëndinat e purpurta të Partisë Socialiste, kanë hapur në autobus dispeçeritë e tyre. Kjo ia merr mendtë Tomës, e tigron edhe më tej, e më shumë ia hyp gjakun në krye.

Kjo është historia. Në interpretimet post që i bëjmë asaj, të mos e rrejmë veten dhe opinionin publik duke i thënë se, meqë është tigër të cilin kërkojnë ta trajtojnë si flutur, Tom Doshi është problemi. Jo: problem janë filtrat që politika, por edhe opinioni publik, ka ngritur për standardet në pjesëmarrje dhe në zgjedhje. Problemi janë dy shefat e mazhorancës, të cilët ose për babëzi ose për hakmarrje ndaj veriut për penetrimin e pakët politik ndër vite, kanë inxhinieruar kandidatë tigra që tani i duan flutura. Tigrat do të ktheheshin për t’i kafshuar një ditë.

It will bite you in the ass one day, thonë amerikanët. Të cilët dje ia kanë futur kot. Me anë të deklaratës për shtyp të ambasadës amerikane në Tiranë kemi marrë vesh ‘pajtimin’ me përjashtimin e Doshit nga grupi parlamentar i PS. A thua se pjesëmarrja në grupin parlamentar të një partie të madhe politike që qeveris Shqipërinë një herë po e një herë jo, është një Mac Donald ku porositja e një hamburgeri nuk i ndalohet askujt. Nëse ambasada paska zbuluar ‘aktivitet kriminal’ të z. Doshi, po grupi parlamentar socialist, a e dinte këtë fakt? A është Doshi i vetmi me aktivitete të tilla në këtë grup? A kanë përgjegjësi përzgjedhësit e eksponentëve me dritëhije në listat e kandidatëve për deputetë? E me radhë.

Nevojiten sqarime të tilla, sidomos nga amerikanët, te të cilët fle besimi ynë i fundit, sepse prej kujt tjetër mund t’i presësh. Sepse Tom Doshi nuk është problemi.

Problemi është sistemi, jo njeriu. A ka mundësi që një prej kolonave që e mbajnë në këmbë këtë sistem (që është problemi) të jetë autori i kësaj maksime?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s