Policia dhe qytetarët: si u krijuan ‘të bardhët’ dhe ‘të zinjtë’

policia-shqiperi

Për ditë e muaj me radhë, Ferguson, një qytet në Amerikë, në shtetin e Mizurit, u shkërmoq e u dogj pasi policët (të bardhë) vranë një të ri keqbërës (të zi). Spiralja e protestave u përdrodh edhe në qytete të mëdha amerikane duke kulmuar me precedentin e Nju Jorkut, ku pas vrasjes së dy kolegëve, gjatë ceremonisë mortore mijëra policë njujorkezë kthyen shpinën ndërkohë që fliste kryebashkiaku Bill de Blasio.

Pse kjo hyrje me ‘theks’ amerikan?

Për të thënë se Policia e Shtetit nuk duhet frymëzuar sikur ata janë ‘të bardhët’ dhe të tjerët përballë, qytetarët shqiptarë, ‘të zinjtë’. Afërmendsh, ka shumë gjëra që nuk shkojnë me Policinë, siç ka shumë të tjera që nuk shkojnë me shqiptarët. Në mes këtyre gjërave që janë anapulla, por edhe palëve, dmth institucioneve dhe shqiptarëve, rri si gjithmonë, siç duhet dhe siç i ka hije, procesi.

Procesi është ai që nuk të lejon ta marrësh ligjin në duart e tua, të marrësh hak për një kundravajtje apo krim të supozuar, aty për aty, dhe në vend. Sepse këtë duket se kanë bërë blutë e Policisë së Shtetit të paktën në rastin e të riut korçar, Tomi Misha.

Ka një murmurimë sipas së cilës, Misha i videos së fundit na qenkërka një rrugaç. I shtohet kësaj edhe një intervistë e policit që e dhunoi atë, i cili rrëfen goditjet dhe sharjet që sipas tij mori në makinë nga i pandehuri Misha, në të njëjtën kohë akuzator. Ngre krye në ndihmë të së vërtetës edhe pretendimi se videot që publiku sheh në internet apo TV nuk janë të plota: ose janë filmuar vetëm për të ekspozuar dhunën e policisë, ose janë prerë për të nxjerrë në pah pikërisht atë. Është pra një fill anarkik që ekziston te njeriu i cili bëhet kundër shtetit duke marrë anën e individit.

Të gjitha këto hamendësime mund të kenë të vërtetën e tyre.

Por në vende që kanë pranuar sistemin demokratik të qeverisjes ngjarjet, megjithë supozimet mbi to, i nënshtrohen një procesi hetimi dhe gjykimi të paanshëm.

Kjo nuk thotë se në ndërkohë njerëzit nuk marrin anë. Në episodet e dhunës ku janë përfshirë forcat e rendit publik, ca janë bërë me policët e ca të tjerë me qytetarët. E gjithë kjo përballje e uniformave blu ka nisur me një përgjakje, pak pasi koalicioni i majtë erdhi në pushtet, diku në periferi të Durrësit, ku mbeti i vrarë një i pandehur si kriminel. Pas aksionit të asaj ngjarjeje i kushtohet edhe fraza tashmë pjesë e slangut politik e urban të ministrit Saimir Tahiri: Bravo çuna!

 

Komentatorët e opinioni publik për njëfarë kohe iu vunë kundër lehtësisë së policisë për të gjykuar fajtor një shkelës të ligjit duke e ekzekutuar. Kundërvënia u mek përballë ortekut të të tjera ngjarjeve, por bravoçuna mbeti.

Episode të tjera e vunë policinë përballë shkelësve të vegjël e kriminelëve të mëdhenj. Publiku vuri re një rrjetë të çuditshme policore në të cilën binin të vegjlit, por shpëtonin të mëdhenjtë. Shtoji kësaj mbështetjen pa rezerva të kryeministrit për shefin politik të policisë, i cili si pas sukseseve ashtu dhe pas dështimeve inkurajohej.

Në këtë keqkuptim janë kapur uniformat blu. Shto edhe provokimet që i marrin çdo ditë e frustrime të tjera të punës që nuk ua bëjnë të lehtë jetën.

Fara e bravoçuna rriti lulet e së keqes, të cilat duhet t’i mbledhim të gjithë. Në herbariumin e sukseseve le t’i vendosim edhe këto. Por Policia dhe qytetarët nuk duhet ta shohin njëri-tjetrin si ‘të bardhët’ dhe ‘të zinjtë’.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s