Si të manovrosh në fushatë elektorale: 7 leksione nga Kennedy

images

Partitë politike janë duke kalkuluar skenarë dhe emra për kandidatët që do të përballen në zgjedhjet vendore të fundqershorit. Më poshtë janë 7 këshilla fushate, përshtatur nga libri i John Barnes ‘Lidershipi i John F. Kennedy’ dhe nga tekste të tjera të komunikimit politik modern.

 

Njih audiencën tënde

Në librin ‘Lidershipi i John Kennedy’, autori John Barnes vizaton një panoramë të mësimeve dhe trashëgimisë së presidentit amerikan. Se si ai, presidenti i parë që përdori televizionin me sukses, futi në modë debatin presidencial, konferencën për shtyp dhe ‘presidencën perandorake’, para se të sfidonte Nixon-in për zgjedhjet kombëtare, kish garuar në shtetin e tij Massachusets në zgjedhjet për në Kongres. Sipas Barnes, Kennedy gjatë fushatës mbante parasysh se po fliste me njerëzit: jo se po u fliste atyre, por po fliste për ta ose rreth tyre. Që do të thotë, Kennedy e studionte dhe bënte çmos të informohej e të njihte audiencën së cilës do i fliste. Kjo teknikë është larg prej të lexuarit mekanik të një fjalimi pa marrë në konsideratë kontekstin, audiencën apo interpretimin e shtypit. Leximi i një fjalimi nuk është komunikim, thekson studiuesi i John F. Kennedy-t. Komunikuesit e mirë bëhen pjesë e një bashkëbisedimi me audiencën. Kennedy, duke njohur përbërjen e publikut, mundohej të demonstronte vlera dhe përvoja të përbashkëta me ta. Nëse po takohej me familje ushtarakësh, ai u fliste për përvojën e tij në Luftën e Dytë. Siç edhe nuk e fshihte faktin se vinte nga një familje e pasur kur takohej me banorë të lagjeve punëtore të Bostonit. Që të mos tingëllonte si hipokrit.

Gjej Tenzing Norgay-ët e tu

Tenzing Norgay është udhërrëfyesi i famshëm nepalez që ndihmoi të ngjitej në majë të malit Everest europianin Edmund Hillary. Norgay u bë kështu sinonimi i rëndësisë së elementit, ndihmës apo njohjeve lokale në ‘ngjitjen në majë’. Në politikë çdokush ka nevojë për Tenzing Norgay-ët e vet. Aq më shumë në fushatat elektorale lokale janë të rëndësishëm ‘vendasit’. Çdo zonë, apo çdo lagje ka karakteristikat dhe ‘gjuhën’ e saj komunikuese dhe rrjedhimisht secila kërkon një udhërrëfyes lokal. Lejoji ata të jenë ndërmjetësit apo ambasadorët e tu. Trajtoji me respekt. Kjo ishte ‘loja’ e luajtur nga John Kennedy në lagjet punëtore të Bostonit ku politikanët shkelnin rrallë apo shfaqeshin sa për të thënë. Nuk ka rëndësi për llojin e kontratës që nënshkruan me ‘vendasit’: ata mund të jenë vullnetarë apo njerëz të paguar. Rëndësia e tyre në një fushatë lokale është e pazëvendësueshme: ata janë kontakti i parë me realitetin që shpesh kandidatëve u paraqitet ndryshe nga stafi i komunikimit apo menaxhimit të fushatës. Lagjet e varfra, në stilin politik të fushatave të fundit lokale apo kombëtare në Shqipëri, janë synuar me thasë mielli ose 5 mijë lekë të rinj. Kjo mund të funksionojë në raportet e ndërtuara mbi mashtrimin e ndërsjellë. Por, jo gjithmonë.

Nisjani herët; punoni deri vonë dhe deri në fund

Fushatat në Shqipëri zakonisht u binden demonëve të tjerë dhe jo atyre të komunikimit klasik politik. Ato fillojnë rëndom vonë: rreth një muaj para datës së zgjedhjeve dhe me pak ose aspak punë përgatitore. Kushtëzuar kjo nga ‘terri informativ’ ku shefat e partive i fusin, si mbështetësit ashtu dhe kandidatët potencialë apo publikun në përgjithësi. Kjo ndodh për disa arsye taktike, të cilat megjithatë nuk e mbulojnë një mungesë përbindshëm të madhe: strategjinë. Apo më thjesht një platformë politike apo sociale për fushatën. Një program që ka në qendër votuesin, qytetin dhe zgjidhjet. Fushatat vendore në Shqipëri janë pllakosur nga mendësia e fushatave politike kombëtare ku garohet me një model që vjen i gatshëm nga qendra. Vetë të filluarit vonë të fushatës zbulon kështu disa dobësi të saj. Të cilat u cekën më lart dhe që vijojnë me mungesën e programit apo strategjisë. Një ndjeshmëri e njëmendtë për shqetësimet e votuesit është më e madhja ndër mungesat. Kennedy, sipas Barnes, parapëlqente të fillonte 9 muaj deri në një vit përpara duke vajisur kështu një makinë elektorale, e cila në 30-ditëshin e fundit funksiononte me virtuozitet.

Festa për lagjen në shtëpi

Amerikanët i quajnë ‘block party’ dhe ideja e kësaj feste mbledh bashkë të gjithë banorët e një rruge apo blloku banimi në shtëpinë (private me kopësht) të njërit prej fqinjëve. Në rastin e Kennedy-t, i zoti i shtëpisë ftuese ishte njëri prej vullnetarëve të fushatës, i cili u shërbente të tjerëve pije dhe ushqime falas. Kjo është atmosfera ideale për kandidatin të cilin ua prezanton të ftuarve mikpritësi, pra kontribuesi i fushatës së kandidatit për një post publik, qoftë kjo bashki apo parlament. E zbritur në terren shqiptar kjo taktikë elektorale duket e çuditshme, por megjithë firot i jep kandidatit mundësinë për biseda dyshe apo në grupe të vogla me njerëzit. Kjo do të thotë një prezantim në plan personal, me mëngët e këmishës të përveshura, i relaksuar nga çdo mizanskenë e zakonshme e takimeve apo mitingjeve politike. Natyrshmëria e situatës është e gjitha në favor të kandidatit duke qenë se ai është ‘një prej të ftuarve’. Edhe sikur vetëm t’u prezantohet atyre si kandidatit për x zyrë dhe të bëjë një bisedë të çlirët me ta, gjasat janë për një shtesë simpatie në sytë dhe mendjet e votuesve.

Drejtojuni audiencave të ndryshme në të njëjtën kohë

Sa herë që ngriheni për të folur, dijeni se përballeni me më tepër se një audiencë. E thënë shkoqur: me disa publikë dhe disa fasha votuesish në rastin e një kandidati që garon për një post publik. Audienca e parë në rastin e një takimi elektoral janë ata në sallë, dhe e dyta, ata që të ndjekin nëpërmjet mjeteve të informimit publik, qoftë radio apo televizion. Nëse kandidati e di se ekzistojnë dy publikë, njëri i pranishëm e tjetri virtual, ai duhet të përqendrohet më shumë te shikuesit që e ndjekin nga ekrani apo dëgjuesit nga radio. Në çdo rast këta të dytët janë më shumë. Në çdo rast ata që janë mbledhur në sallë për të të dëgjuar janë mbështetësit e tij, gjithsesi. Kandidati është duke kërkuar elektoratin gri dhe në rastin ekstrem edhe ndonjë rrjedhje nga spektri politik kundërshtar. Mbështetësit tradicionalë të partisë në të gjitha rastet shihen si ‘votë e sigurt’ dhe të tillë janë. Detyra e kandidatit është që t’i nxisë besnikët të dalin në votime ditën e zgjedhjeve dhe t’i ‘rreshtojë’ ata politikisht duke u treguar se kush është kundërshtari apo ‘armiku’ i përbashkët. Dmth kandidati tjetër.

Besoji mesazhit tënd

Në krye, para se të shkosh te besimi duhet ta kesh një mesazh. Pra një ide qendrore rreth së cilës do të sillet fuga e fushatës elektorale. Në zgjedhjet lokale lokal duhet edhe mesazhi, përjashto rastet kur vendi është në gjendje emergjence apo i kërcënuar nga një luftë apo armik i jashtëm (në raste të tilla nuk duhet të mbahen zgjedhje, gjithsesi). Mesazhi nevojitet të jetë një vizion ose një çështje jetike për komunitetin në tërësi. Identifikimi i vizionit apo çështjes prej së cilës do të dalë edhe mesazhi yt i fushatës bëhet, ose me anë sondazhesh të pavarura (jo partiake), ose në kontaktet e tua apo të vullnetarëve të fushatës. Këtu edhe njëherë hyn në punë të filluarit herët të fushatës. Mesazhi i fushatës duhet përkthyer më pas në slogan të saj dhe rreth tij duhen ndërtuar të gjitha lëvizjet elektorale. (Mos harro të ndërtosh një vizion apo mesazh elastik!) Nëpër takime duhet theksuar; në turet ‘derë më derë’ duhet përsëritur dhe, një gjë e rëndësishme, mesazhi duhet ‘qëndisur’ në fjalimet e fushatës. Mos qarkullo një mesazh tek i cili nuk beson: nuk do mundesh ta transmetosh as me fjalë e as emocionalisht dhe njerëzit këtë e vënë re.

Jini i gatshëm për debat

Qytetet kryesore në Shqipëri kanë stacione radioje apo televizione lokale, që ndonjëherë shtrihen në të gjithë qarkun. Shfrytëzojini ato. Ekspertët e komunikimit theksojnë seduke përjashtuar rastin e ecjes para kamerave të një personi të arrestuar me pranga në duar, nuk ekziston imazh më i pakëndshëm se ai i një politikani që i shmanget kameras së një trupe televizive, e cila i bën pyetje dhe merr mbrapsht një ‘Jo koment’”. Mediat nuk janë bërë për t’i shmangur, por për t’i përdorur në avantazhin tënd. Edicionet e lajmeve, hapësirat publicitare dhe sidomos mundësia e një debati me kandidatin tjetër, janë për t’u shfrytëzuar. Sidomos një debat, qoftë edhe përballë një audience të përzgjedhur në një sallë, është forma më efikase e komunikimit politik modern. Sigurisht, për këtë duhet përgatitje, por më e rëndësishme se kjo është njëfarë gatishmërie dhe natyrshmërie për t’u përballur. Të besosh në atë që bën, është gjithmonë kushti themelor. Politikanët lokalë, ndryshe nga qendrorët, nuk e kanë luksin e shumëfishimit të mesazheve të tyre nga massmedia, kështu që atyre u duhet të përdorin çdo rrëke informative të mundshme.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s