Ra kjo përmbytje dhe 7 të palara pamë

foto_7

Fytyrat e vrerosura të politikës

George W. Bush u shfaq tepër vonë, sipas kritikëve të tij, kur uragani Katrina goditi New Orleans-in, dhe po ashtu reagimi i autoriteteve, si të shtetit të Luizianës ashtu dhe atyre federale, la për të dëshiruar. Por nuk është vetëm shpejtësia apo ngathtësia e shfaqjes atje ku ka pllakosur fatkeqësia, që qeveritarët dhe stafet e tyre duhet të përllogarisin. Kjo është ndoshta më e lehta e përballjes me një krizë, ndërkohë që brendësimi i saj është më i vështiri. Që do të thotë, të ndjerit e asaj ndjesie që është dhimbja dhe dobësia e tjetrit, empatia pra. Kjo nuk është nga ato gjëra që mësohen: ti mund ta praktikosh por gjurmët e shtirjes megjithatë mbeten: në fytyrë, sy apo gjuhën e trupit. Para kësaj sprove qenë edhe përfaqësuesit politikë të të gjitha rangjeve, nga kryeministri e deri te prefektët, kryebashkiakët apo kryekomunarët e pushtetit vendor. A ia dolën? Një gjë është e sigurt: empatia nuk është maskë dhe maskat janë të dallueshme. Siç ishte e dallueshme tendosja më shumë se vrerosja në portretet e vizitorëve të luksit në zonat e përmbytura nga ujërat e mëdha të lumenjve të jugut. Prania e tyre ishte si në një varrim: nuk e duronin dot të ishin aty, por duhej. Kësaj pune dhe traditës nuk ke ç’i bën.

Stileto, këpucë të bukura, çizme. Gjejeni, të kujt janë?

Prefektja e Vlorës shërbeu për të gjithë një picture perfect të asaj që mund të konsiderohet shkëputje mes njerëzve të thjeshtë dhe atyre në krye. Ajo u shfaq në emisionin “Opinion” e hijshme dhe ekzekutive, por me pak si shumë glamour për situatën në të cilën ndodhej qarku i saj. Binin në sy, vezullimtare si akullthyesja e Sharon Stone në Basic Instinct, takat e saj. Transparente, të larta, luksoze ato nguleshin në sytë e gjithkujt që kishte sy të shihte, edhe si arrogancë edhe si tundim. Meqë jemi te natyra e sendeve, të panatyrshme ngjanin përballë  imazheve me përmbytje, baltë e mjerim, edhe këpucët qytetëse e të shtrenjta të kryeministrit Rama. Imazhet e shefit të qeverisë me kostumin e plotë të së përditshmes politike, sikur po takonte Merkelin apo Renzin, stononin me panoramën e madhe të pikëllimit njerëzor dhe egërsimit të natyrës. Shefi i opozitës, Lulzim Basha ia doli të korrigjonte diçka nga mungesa e delikatesës qeveritare kur u dha në fshatrat e Fierit me çizme deri në gju dhe me një xhup në vend të xhaketës e kravatës.

Varret, diku në kodër shpresohet

Kur kërcënohen të gjallët, të vdekurit nuk janë. Me siguri, ndër ata mijëra hektarë të përmbytur nga vërshimi i Vjosës, Semanit e lumenjve apo përrenjve të tjerë të jugut, diku ka pasur edhe varreza. Uji që u lartësua aq sa për të mbuluar shtëpi disametërshe nuk ka kursyer as varret e fshatrave që nuk ngrihen më shumë se disa dhjetëra cm mbi tokë. Tradita e ka që varrezat ngrihen mbi kodrina, si për të qenë të dukshme, por edhe në paqe e ndoshta edhe më të sigurta. Koncepti i kodrës, sidomos në Myzeqe është relativ, për faktin e thjeshtë gjeografik se kjo krahinë e Shqipërisë është përgjithësisht një rrafshultë. Por, siç thonë, të vdekurit me të vdekurit dhe të gjallët me të gjallët. Shtëpitë, bagëtitë, tokat qenë kryefjalë të ankimimit të banorëve të zonave të përmbysura. Dhe me të drejtë. Ndoshta asnjë varr nuk është përmbytur. Të gjallët duhet të kenë mësuar diçka nga të parët e tyre të vdekur. Si për shembull…

…Në lumë dhe në qiell nuk ndërtohet

Sepse, të vendosësh t’i ngresh strehë vetes dhe familjes diku në shtrat apo në bri të një lumi është një gjë fort pa mend. Shqiptarët, megjithatë, nga jugu në veri, e kanë bërë këtë: kanë investuar për shtëpitë, pasuritë e paluajtshme, në terrene të lëvizshme, të luhatshme, të pabesa, të paparashikueshme, siç janë ndër të tjerë, lumenjtë. Leksion jete: mbi të luajtshmen nuk ndërtohet e paluajtshmja. Të pyesësh se ç’i ka shtyrë shqiptarët drejt një veprimi të tillë marrok e të papërgjegjshëm, merr disa përgjigje. Më kryesoret ndoshta janë dy: mungesa e planifikimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes shtetërore, dhe një prirje amerikane e llojit wild west për të kapur tokën e mirë dhe për të ngulur në të, në çfarëdo forme qoftë, një pohim të ekzistencës, të pranisë dhe të rezistencës. Nëse ngre një shtëpi me oborr, avlli, pemë e të gjitha, jam i pashkulshëm. Shteti do e mbyllë njërin sy. Siç shteti di të bëjë gjithmonë. Ujërat, me sa duket, qenkan të verbra dhe si të tilla mbulokan gjithçka.

Natyra i kthen të gjitha mbrapsht

Shqiptarët kanë hyrë në huqin e konsumit të pafre duke jetuar vetëm njërën anë të kapitalizmit dhe të shoqërisë së konsumit: dionisiaken. Ujërat e befta që përmbytën jugun e dokumentuan këtë kundravajtje të banorëve të këtyre anëve në formën e mbetjeve të të gjitha llojeve që u silleshin rrotull mureve të shtëpive, apo lundronin aty ku dikur kishte patur rrugë ku shkisnin makina. Shishet plastike dhe qeset e dominonin këtë paradë, por nuk mungonin edhe ngjyra sendesh të tjera që përfaqësonin varietetin e mallrave që shqiptarët konsumojnë përditë. Kjo pamje ishte demonstrim i asaj se natyra e kthen mbrapsht çdo gjë. Se ajo nuk të fal. Gjasat janë se të përmbyturve as u ka bërë përshtypje kjo revoltë e natyrës: nuk e kanë parë pluskimin e hedhurinave që dikur mbështillnin ushqimet e tyre. Të cilat, ata i kanë hedhur pasi kanë mbaruar punë me to. Të gjitha pësimet që nuk bëhen mësime nuk kanë ku të shkojnë tjetër veçse të përsëriten.

Shqipëria duhet lënë trashëgim

Shqipëria nuk ka hedhur shtat gjatë këtyre 24 viteve liri; gjeografia e saj nuk ndryshuar; dhe as janë zhvendosur kufijtë. Nuk kemi më shumë lumenj dhe as sipërfaqja e qiellit nuk është shtuar. Por pemët janë pakësuar që ç’ke me të: shumë pyje janë prerë apo djegur dhe janë konsumuar më shumë lëndë drusore se sa janë mbjellë fidanë. Në shtretërit e lumenjve është ndërhyrë sa me anë të ndërtimeve pa kriter aq dhe me grabitje inertesh në zallishtet e tyre. Duke mos harruar pirgjet me mbeturina e tepricat nga ndërtimet e pallateve që janë hedhur nëpër lumenj apo përrenj. Toka është abuzuar dhe keqkuptuar edhe duke bllokuar kanalet e kullimit, lënë pas dore ato të vaditjes apo në harresë argjinaturat. Gjithë ky ngushtim i hapësirës, kjo marrje fryme, këto duar në fyt, kanë përmbysur balancat delikate natyrë-njerëzim. Kjo skizofreni shqiptare futur edhe brenda shqetësimit mbarëbotëror të ngrohjes globale, sërish si pasojë e aktivitetit njerëzor, e bën pamjen tragjike dhe të ardhmen të pasigurt. Shqiptari e ka zakon të presë nga shteti, por ndoshta është koha të kuptojmë se planeti është shtëpia jonë.

Si komunikohet kriza?

Ekspertët e komunikimit i mëshojnë asaj se kur mbërrin kriza ka vetëm dy reagime: ta pranosh dhe të shpalosësh një strategji për të dalë prej saj. Çdo përpjekje për ta fshehur, për ta ç’dramatizuar apo manipuluar ekzistencën e një krize janë të pafalshme dhe vetëm sa e thellojnë atë. Qeveria shqiptare u duk se zgjodhi qasjen e dytë ndaj përmbytjeve në jug të vendit. Duke mos shpallur gjendjen e emergjencës; duke mos mbledhur Komitetin Kombëtar të Emergjencave; duke mos ngritur një zyrë shtypi në terren për ta mbajtur publikun në korent me çdo zhvillim, negativ apo pozitiv. Mungesa e transparencës rrëfeu mujsharinë e qeverisë, që është në thelb dobësi dhe amatorizëm. Vetëm dje (të premten) kryeministri Rama u dha në një konferencë shtypi nga selia e qeverisë duke ofruar një siguri në terma të përgjithshëm, duke premtuar zhdëmtim dhe duke folur për lehtësime afatshkurtra dhe afatmesme. Garanci që shefi i qeverisë duhet t’i kishte dhënë në Ditën 1 të Krizës. Çdo ditë që ka kaluar nga fillimi e ekspozon qeverinë si të pa plan përballë krizës dhe të pa dhembshuri për qytetarët e vet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s