Të shtatë për Bashkinë e Tiranës

2000px-Flag_of_Tirana.svg

 

lulzimbasha-posteri

Basha; më i miri dhe më i keqi

Kryetari i tanishëm i Bashkisë është njëherësh kandidati dhe jokandidati numër 1. Historia e tij politike personale e rrezikon: ai erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës pikërisht nën stemën e largimit të dikujt që bashkonte dy pushtete dhe dy detyra në një: kryebashkiakun e metropolit dhe shefin e opozitës (apo potencialisht kryeministrin e ardhshëm). Bashës rrezikon t’i dalë kundër fushata e vet e dikurshme, ose të kapet në rrjetën e ‘sindromës Rama’. Ish-kryeministri Berisha e ka shpallur si ‘kandidatin më të mirë’ por kundërpyetja mund të bëhet: të kujt? Nëse Basha e shtyn garën për rikandidim në një ankimore të përgjithshme nën refrenin ‘pengesat e Ramës për punët (e pabëra) të bashkisë’, kjo mund t’i kthehet në bumerang. Në kuptimin që votuesit të kthjellohen nga pyetja: pse duhet të votojmë dikë që do të vazhdojë të jetë i penguar? Ose, ç’e pengon Ramën që ta vazhdojë bllokimin e punëve të bashkisë për qëllimet e veta elektorale, politike dhe ekonomike? Më tej: pse të zgjedhim dikë që gjithsesi do të jetë nën trysninë e pushtetit qendror dhe rrjedhimisht i pamundur të punojë për qytetin, i detyruar të shpenzojë kohë dhe energji në dyert e gjykatave në luftë me ekzekutivin bllokues? Basha mbetet sigurisht profili më i lartë i mundshëm në garë dhe këtij profili i nevojitet një garë politike. A është votuesi kryeqytetas një votues politik apo urban, pra i halleve qytetëse, dhe nëse jo, si mund të bëhet i tillë? Dhe kjo është pyetja 1 milion-dollarëshe.

lame

Lame; Bashkinë nuk mund ta drejtojë një nënkryetar

Artan Lame është një tip ekscentrik dhe energjik, dhe këto janë dy cilësi për dikë që synon një pushtet të rangut të parë, siç është drejtimi i një metropoli. Por, përveç këtyre ‘dekoratave’ ai ka edhe një plagë: të qenët ish-nënkryetar Bashkie nën Edi Ramën e dytë dhe zv/ministër në një qeveri socialiste. Tirana e ka zgjeruar ekzigjencën e vet për figura të profilit të lartë politik dhe pavarësisht protagonizmit të llojit ‘shoqëri civile’ apo detyrës së tashme të Lames si drejtor i ALUIZNI-t, ai do shihet më shumë si i retorikës sesa i praktikës. Nëse demokratët do të zgjidhnin një slogan (negativ) anti Lame, ai mund të ishte: Bashkia e Tiranës ka nevojë për kryetar dhe jo zëvendës. Një plus i z. Lame megjithatë mbetet guximi i tij për t’u vetëofruar, dhe publikisht madje. Nëse të tjerët nuk do të guxonin ta linin mendimin të merrte frymë jashtë mushkërive të partisë (PS a PD) Lame i ka hedhur sfidën si kundërshtarit, ashtu dhe shefit të tij, Rama. Në mendjen e një votuesi të pavarur kjo do mund të lexohej: ndoshta Tiranës i duhet dikush që mendon edhe në kokë të vet. Nëse PS e kandidon, Lame duhet të heqë dorë nga një keqkuptim: të paraqiturit e vetes si i ‘shoqërisë civile’. Ky segment tashmë gjendet në atë pjesë të kënetës ku janë edhe gropat thithëse të politikës.

largea_brego1365024858

Bregu; një primadonë nuk do ishte keq

Majlinda Bregu, ish-ministre e Integrimit e ka farkëtuar veten si një profil politik dhe menaxherial të konsiderueshëm. Ajo përcjell idenë se është e pakompleksuar dhe madje e mirëpritur ndër ndërkombëtarë dhe njëkohësisht si debatuese e fortë në arenën e brendshme, pa rënë në banalitetin e ashpërsisë që gratë i bën të duken të padurueshme. Ajo zotëron një fjalor politik, i cili nuk është i përmbytur nga gjuha e drunjtë e deklaratave partiake dhe as patetizmi i shtirjeve dhe shtrirjeve intelektualiste dhe, një ecje gjithaq politike. Po, ekziston edhe variabla e një ‘ecjeje politike’ ose jopolitike. Ecja nuk siguron vota si e tillë, por ndjesia se një hapërim i tillë i sigurt, por jo agresiv, femëror por jo delikat, po, Znj. Bregu kërkon konsulencën më të lehtë politike (make up-in e fushatës) krahasuar me çdo kandidat tjetër në PD, hiq Bashën. Ka aurën e një fitueseje dhe të futesh në garë me këtë impresion nuk është gjë e vogël. Fakti se ajo i përket një familjeje tiranase është gjithashtu një plus. Nëse socialistët hedhin në fushëbetejë një grua, Bregu është kundërpërgjigjja më e mirë demokrate. Por edhe përballë një burri, ajo nuk do humbte centimetra politikë.

download

Veliaj; Mr. Civil Society i kthyer në just another politician?

Një shifër zyrtare e ambasadës holandeze e vendos grantin total të marrë nga organizata Mjaft e themeluar dhe drejtuar për shumë kohë nga Erion Veliaj në shifrën e kolme të 3.2 milionë eurove. Ky nuk ka qenë burimi i vetëm nga kanë rrjedhur paratë për Mjaftin. Qëllimi i përmendjes së kësaj shume nuk është paragjykimi i shpenzimit të saj, por rezultati politik e social. Domethënë, çfarë konstruksioni novator politik kanë mundësuar këto para europiane? Mjafti i kthyer në G99, i shkrirë më pas në Partinë Socialiste aktualisht në pushtet, nuk jep shumë nga premtimi apo ëndërrimi për një forcë politike jashtë dy partive tradicionale dhe ndryshe prej tyre. Gjithë ajo luftë dhe shpenzim për t’u bërë pjesë e tyre?! Tingëllon si luftë me mullinjtë e erës. Kjo do të jetë edhe stigma e Erion Veliajt nëse e hedhin në arenën e përgjakshme të garës për Bashkinë e Tiranës. Ai nuk mund të paraqitet më si i riu dhe i ndryshmi për sa kohë ka përdorur mjetet e kësaj ideje për të përfunduar tek e vjetra dhe e përhershmja. Një rrugëtim i tillë, nëpërmjet bashkisë, do të ishte ideal për të edhe për atë se do të ecte në gjurmët e shefit dhe yllit të tij, i cili ka përshkruar pikërisht trajektoren Ministër, kryetar Bashkie, Kryeministër. Kjo e fundit ngjan si finalja e madhe e politikës shqiptare.

pandeliu

Majko; ‘i miri i nënës’, por jo i Ramës

Emri i ish-kryeministrit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes qarkulloi në një ‘short list’ që me gjasë Partia Socialiste kish hedhur për anketim në opinion. Profili politik i z. Majko është sigurisht i lartë, por e ulët mbetet kurba e besimit të kryetarit të partisë ndaj tij. Jo vetëm e besimit si i tillë por edhe raporti personal, i cili nuk është i llojit shef-benjamin. Më shumë se sondazhet në Partinë Socialiste ka rëndësi mendimi i kryetarit Rama. Do të jetë ai që do hedhë firmën dhe pëlqimin e fundit mbi emrin dhe llojin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës. Dhe një gjë është e sigurt: Rama don të hedhë në garë atë kandidat tek i cili ka besim se do ta lejojë që ta qeverisë ai Tiranën. Kjo herë është e katërta e munguar në repertorin e Ramës në drejtimin e kryeqytetit dhe ai e don edhe fanfarën e kësaj lavdie. Aq më shumë kur pengu i saj u var në një proces gjyqësor të kontestuar dhe te një ndryshore modeste votash. Sa i takon sinergjisë me votuesit, Majko do ishte djali që shumë nëna do ta kishin dashur si të vetin, por ajo demografi është mplakur tashmë dhe prodhon pak elektorat.

largea_halim-kosova11111365259827

Kosova; ose një i ngjashmi i tij

Halim Kosova nuk është një ‘kafshë politike’. Ai është një profesionist i njohur dhe një burrë i butë me shumë histori gazmore për të treguar. Por në rrugëtimin e partive të mëdha politike vjen një moment kur mund të bëhet pyetja: a mund të hidhet në fushë një lojtar i tillë apolitik? A mundet të gjenerojë mbështetje babaxhani në vend të pehlivanit? Kjo pyetje nuk ka pse të bëhet domosdoshmërisht për Kosovën, por mund të jetë edhe për një të ngjashmin e tij. Dikë që ka kredite në qytet dhe votohet si kandidati i mesit të artë, jo i zgjidhjeve ekstreme. Kandidatë të tillë sigurisht kërkojnë makinerinë e rëndë partiake dhe bashkë me të edhe konsulencë politike, fjalime, slogane, batuta, reklamë. Pra energji dhe rezerva për t’i koracuar ata nga të dukurit si ‘të humbur’ në detin e përplasjeve politike. Por me ta një gjë është e sigurt: thelbi. Një defekt: Dr. Kosova nuk zgjon emocione të forta dhe për të tërhequr votuesin e ri, makinës së tij i duhet të shkojë një marsh më lart.

images

Nikolla; ‘sëmundja e butë’ e Ramës?

Emri i ministres së Arsimit qarkullon në formën ‘njeriu i Ramës për bashkinë’. Me ose pa këtë, ajo mbetet një socialiste pa lëbyrjen që konsumon zakonisht zonjat politike majtas e djathtas, Lindita Nikolla megjithatë mund të klasifikohet nën ‘fjalë pak e punë shumë’. Ministria e saj ka përmbyllur gjysmën e parë të një operacioni spastrimi cilësor e sasior në sistemin universitar, i cili do pasohet nga një fazë e dytë. Një projektligj për arsimin e lartë u është dhënë ndërkohë grupeve të interesit dhe ekspertëve të fushës dhe përmbyllja e tij mund të përkojë me formalizimin e saj si kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë. Me profilin e saj të heshtur, Znj. Nikolla mund ta ketë impaktin te një pjesë e elektoratit të lëkundur, të stërlodhur me retorikën ‘e madhe’ dhe ‘të shkëlqyer’ të politikanëve ‘të lavdishëm’. Nikolla nuk lë shumë vend për t’u sulmuar. Skandali i drejtoreshës së Arsimit të Lushnjës, pothuajse automatikisht iu faturua partnerit të koalicionit qeverisës, LSI.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s