Gent Demaliaj, ëndrrat që për ne i thuri…

gentian-demaliaj-600x336

Gent Demaliaj, solisti i grupit rock Djemtë e Detit ka ndërruar jetë para dy ditësh dhe është përcjellë dje atje ku besohet se njeriu shkon në banesë të fundit.

Shumë i ri, 40 vjeç, ka humbur përballë një sëmundjeje të rëndë, tinzare dhe që nuk të fal.

Ndoshta është mosha, ndoshta muzika, apo ndoshta janë kujtimet tona që e bëjnë këtë ikje të shoqërohet me një dhimbje të papërcaktuar: diçka mes shtrëngimit në gjoks shoqëruar me refrenin e ndonjë kënge të Djemve të Detit.

Në vdekje, thuhet, nuk këndohet por vajtohet e megjithatë për Gent Demaliajn shkojnë të dyja, si vajtimi ashtu dhe kënga.

Për arsye të thjeshta që kanë të bëjnë me atë vetë, me ne dhe botën tonë. Të shqiptarëve.

Ata që kanë qenë në fillim të adoleshencës apo dhe të rinj në atë kapërcyell epokash që është periudha ‘90-‘92 kërkonin për ëndrrat e tyre shokë. Grupet rock apo heavy metal të atyre viteve kërthi, atyre djelmoshave mbi faqet e të cilëve sa kishin mbirë pushi i rinisë së parë shoqëruar  me akne, qenë shokët më të mirë.

Jo vetëm për tingujt, por edhe për gjuhën. Shqipja, në tekstet dhe meloditë e tyre diti ta ringrinte siparin e habisë. Aty u shfaq dashuria, dëshpërimi, trishtimi, shtegtimi, domethënë të gjitha horizontet e ulura, të munguara ose me gjithsejt të vrara të këngëve të festivaleve ku muzika lëngonte nën pllakën e censurës dhe kontrollit ideologjik.

Përmbysjes së njëmendtë në fund të fundit i duhej edhe një kolonë zanore. I duheshin marshet e saj. Shpirti i ri i epokës dhe i shndërrimit të cilit mund t’i printe arti, ku muzika s’ka si të mos jetë në krye.

Këtë bënë Djemtë e Detit, Ritfolk, ARB, Tingulli i zjarrtë, Thunderway, Albatros e të tjerë.

Për këtë u jemi përjetë mirënjohës. I kënduam këngët e tyre sepse ata i kishin kënduar.

Gent Demaliaj u shfaq në skenën kombëtare të muzikës në vitin 1991, në Festivalin e Këngës në Radiotelevizion. I gjatë, i hollë, i bukur, me një det flokësh që i binin mbi supe dhe mbi ballë. Me xhaketë lëkurë plot zinxhirë e të çara, pantallona të zeza me një shirit të lidhur pak nën gju, përmbi pantallona. Ekspresiv në një shkallë sipërore, sikur interpretonte çlirimin e epokës dhe të gjithë moshatarëve, dhe jo veç të vetin.

Kënga titullohej Ëndrrat që për ty i thura.

Sepse e ëndrrave ishte koha dhe i tyre ritmi e shpresa gjithashtu.

Gent Demaliaj bëhet kështu hero i asaj kohe, i një kohe që nuk është më. Ai nuk është hero siç i ndërton ata përfytyrimi kolektiv. Krejt ndryshe prej këtij kuptimi, sepse ai nuk e shndërroi kohën por e barti atë. Kjo nuk është pak. Shumica janë asgjë, veç përdhunues të saj.

Dhe ja ku jemi: në këtë pikë dhe me këtë vdekje duke u munduar t’i japim dum gjithë ç’na ka ndodhur. Ne dhe Gentit. Jetës dhe vdekjes. Jo shumë, duhet thënë. Ka ndodhur gjithë ç’ndodh përditë e prej mijëra vitesh. Sidoqoftë një pejzë është këputur dhe është bërë shejzë, një yll i largët në një yjësi edhe më distante.

Aty është Genti i Djemve të Detit, një lezhjan i hajthëm e aspak i drojtur që u dha në Tiranë kur ishte 16 vjeç. Për të ikur prej këtej e gjithandej mu në mes të moshës. E ka lënë megjithatë pentagramin e tij. Një duzinë këngësh në dy duzina vitesh. Pak, po ta masësh me metrin muzikor të së sotmes, po këngët e tij me shokë shënojnë një kohë pa dashur të masin asgjë. As shndërrimet e as ëndërrimet nuk maten.

Gent Demaliaj, një fëmijë i viteve ’80, një rock star i asaj e kësaj kohe, ka ndërruar jetë. Mos qaj për vdekjen o njeri…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s