Tsipras? Një stacion para zgjedhjeve të parakohshme

TSIP21

Të paktën Aleksis Tsipras nuk është një sharlatan. Kurdo në këtë anë të kufirit të ndodhë diçka e llojit të tij, jo se ka gjasa, sepse në anët tona asnjë populist nuk është aq shumë i tillë sa të jetë i pashitshëm, do të na përzihet nga sharlatanizmi.

Sidoqoftë, Greqia e ka zgjedhur Tsipras, dhe me votë të lirë, dhe ta gëzojë! Pa i hyrë një trajtese gjeopolitike apo ekonomike se si do e ndikojë Shqipërinë dhe shqiptarët ardhja në krye të qeverisë greke e radikalit të majtë Tsipras, nevojitet një vrojtim i shkallës dhe implikimeve sociale/morale.

Implikimi i madh është keqkuptimi grek, që mund të bëhet edhe keqkuptim shqiptar, e të dyja bashkë të kthehen në kundravajtje, se një shtet e ka të drejtën e falimentimit siç e ka një individ apo biznes brenda secilit shtet. Pra një shteti i lind e drejta t’ia nisë nga zero. Kjo të paktën duket se do të jetë prirja e Tsipras dhe qeverisë së tij në bisedimet me BE: dua lëshime të cilat m’i dikton vullneti i votës së popullit tim. Grekët nëpërmjet Tsiprasit janë, pak a shumë, duke i kërkuar Europës që të heqë ‘masat shtrënguese’ pas kolapsit ekonomik i cili ndoqi ‘masat liruese’, mund të thuash libertine që vetë grekët në bashkëpunim me qeveritë e tyre përdorën për më shumë se një dekadë.

A duhen paguar shpenzimet e festës dioniziake në të cilën ka marrë pjesë Greqia tash sa e sa vjet? Gjermanët mendojnë se po; këtë mendim kanë edhe bankat supranacionale. Kështu do e kërkonte edhe një partneritet e një logjikë e shëndoshë greke. Shmangia nga detyrimet dhe gatishmëria për të gjitha favoret nuk është në natyrën as të shteteve dhe as të individëve seriozë.

Greqia nuk e ka të drejtën e falimentimit: ajo ruan të drejtën tjetër, atë të ndarjes nga hedonizmi i vet. Europa nuk i ka më motivet romantike të fundshekullit 19 apo të viteve ‘40 të shekullit të shkuar kur e trajtoi Greqinë me parametra specialë. Anglia, sponsori kryesor, është bërë më euroskeptike edhe se vetë Greqia e Tsiprasit. Gjermania është pragmatiste, ndërsa vendet e tjera, kush më shumë e kush më pak, kanë hallet e tyre.

Greece must pay up!

Eksitimi i çliruar nga testosteroni ideologjik, euroskeptik apo antieuropian i një pjese të së majtës në Tiranë pas fitores së Tsiprasit i bën dëm mendimit. I pajis shqiptarët me psikologjinë e akontraktualitetit. T’i rrëmbejmë Europës (kësaj kurve të motit) ç’të mundemi e t’i tregojmë bërrylin më pas. Sigurisht, ndër të majtët rrënjët e këtij bihejviorizmi mund t’i gjesh që në incidentin e Kanalit të Korfuzit. Të gjithë e dinë historinë e mbjelljes me mina të ngushticës detare nga jugosllavët nën bekimin e komunistëve shqiptarë dhe refuzimin, si të njohjes së fajit ashtu dhe të pagimit të reparacioneve. Përligjia u gjet, siç e gjejnë komunistët gjithmonë, te një konspiracion: minat i mbollën britanikët, të cilëve u interesonte incidenti për qëllime gjeopolitike. Pikasja si fajtor e një fuqie të huaj apo ‘forcash të jashtme’ është gjithmonë në natyrën e pandershmërisë dhe spekulimit.

Në psikozën e sotme greke krahasuar me atë të incidentit të kanalit të Korfuzit, vendin e britanikëve e kanë zënë gjermanët. Ata janë armiku i jashtëm, i padëshiruari i madh.

Tsipras nuk do mundet ta zgjidhë këtë problem grek. Vetëm populli grek mund ta zgjidhë, por klasa politike është e detyruar t’i bëjë me dije opinionit publik se ku janë kufijtë. Si i tillë, pra i pambështetur në kufizime, triumfi spektakolar i Tsipras dhe SYRIZA-s, është një iluzion. Asgjë nuk ka ndodhur të dielën e shkuar në teatrin politik grek përveçse provokimit të një tjetër pale zgjedhjesh të parakohshme. Greqia e retorikave të mëdha është një vend shumë i komplikuar për retorikën fillestare, majtiste e populiste të Tsiprasit.

Ka një paradoks cinik në të gjithë mënyrën e të menduarit të të majtëve. Ata, në këtë jetë duan të jetojnë si kapitalistë dhe në tjetrën të shkojnë si revolucionarë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s