21 janari: pse kur Opozita bëhet Pushtet pelegrinazhet mpaken?

Rama-homazh

Kur shihje pelegrinazhin e djeshëm në Bulevard, udhëhequr nga kryeministri Rama, nuk mund të mos mendoje për jetën që vazhdon, kohën që kalon dhe se si i mpak ajo gjërat. I rrudh si përherë, ashtu siç bëri dje një grusht edhe lumin e dikurshëm të njerëzve, përkujtues të 21 janarit. Katër të vrarët e 21 janarit janë tashmë pjesë e historisë, e së shkuarës, por edhe e një procesioni politik të përvitshëm që do të kthehet në ritual.

Se 21 janari këtej e tutje nuk do të jetë më shumë se simbolikë politike, nuk e dëshmojnë dhe aq shenjat përkujtimore të vendosura në vendet ku u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, dhe as vargu i përzishëm i prirë nga liderë apo veprimtarë politikë, sesa një numër. Ai numër ose sasia në zvogëlim e tij, tregon se 21 janari ka dalë nga kronika dhe është futur në muzeun e historisë politike.

Po pse ka ndodhur kjo tkurrje e pelegrinazhit pas ardhjes së të majtës në pushtet?

E para, ka të bëjë me atë se 21 janari në vetvete nuk ka qenë një protestë për shtetin se sa për pushtetin. Pushteti është bërë tashmë fizik dhe ndodhet në duart e frymëzuesve dhe thirrësve të asaj proteste që gjeneroi në dhunë, viktima, të plagosur dhe një tension politik e social të panevojshëm. Për të mos folur për imazhin e Shqipërisë, trupi i përgjakur dhe i shqetësuar i së cilës u duk edhe njëherë në kronikat e lajmeve të medias botërore.

Është veti e politikës që pas materializimit të pushtetit nis e idealizon urat e hedhura mbi pellgjet e gjakut që e kanë sjellë në pushtet (ja se si i ha revolucioni bijtë e vet). Sigurisht me anë të retorikës.

Një arsye e dytë për atë karvan të mpakur pikëllimtarësh lidhet prapë me pushtetin ose me natyrën e tij. Më saktë me kompromentimin. Aleanca për Shqipërinë Europiane është e përbërë nga dy parti të majta, PS dhe LSI. Kur, më 21 janar të katër vjetëve më parë socialistët thërrisnin marshimin protestues mbi kryeqytet, Ilir Meta me të tijtë ishin pjesë e qeverisë me demokratët e Sali Berishës.

Jo vetëm kaq: z. Rama, asokohe lider i opozitës e kish thirrur ‘popullin e majtë’ për të protestuar pikërisht skandalin ‘me zë e figurë’ të ‘patericës’ që mbante në pushtet Berishën, Ilir Metës. Rama është sot kryeministër, ndërsa Meta kryetar i Parlamentit. Kronikën e mbërritjes në këtë pikë e dinë të gjithë. Por historia që e ka prodhuar veten edhe nëpërmjet kësaj kronike politike të dyshes Rama-Meta, nuk e pranon në pelegrinazhin e vet këtë kundërthënie.

Do të thotë: procesioni i djeshëm nuk ka pjesë të tij vetëm pllangat e gjakut, por edhe njollat e hijet e aleancës së majtë. Shefit të qeverisë i ngatërrohen këmbët në kujtimet e deklaratave të dikur armikut e tashmë aleatit të tij, i cili buçiste mbi foltoren e parlamentit gërdinë për ‘ushtarët e Ramës’ (të revolucionit?) tek i quante ‘kokëpalarë’.

Për të qenë të larë e bëjmë këtë marshim vajtues, apo jo? Dinamika që prodhoi 21 janarin megjithatë mbetet komplekse dhe atë nuk mund ta kthjellojë apo ta zhveshë nga sfondi dhe vullneti politik që e prodhoi, asnjë përbetim i qeverisë për drejtësi. Kësisoj, fajtorët janë faktorët më shumë se Garda, policia apo ata që quhen si ‘urdhërues’. Faktorët, siç e dimë, nuk mund t’i veçosh, siç ndahet e bardha me të zezën.

Sepse, ata që më 21 janar 2011 kanë qenë përballë e i janë skërmitur njëri-tjetrit, më 21 janar 2015 janë përkrah. Gjë që na çon te një përfundim që mund të duket edhe cinik sepse është i vërtetë: protesta e 21 janarit lëvizi në dy palë shina: në një anë frymëzuesit e saj që kërkonin nëpërmjet radikalizimit social pushtetin, dhe interpretuesit e saj, njerëzit e thjeshtë, ushtarët e revolucionit, që kërkonin sipas rastit e nevojës, një vend pune, një begenisje, apo një rrogë.

Të gjithë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Një pension u dha dje edhe për familjet e të vrarëve 21 janarin e katër viteve më parë. Pelegrinët politikë do të shfaqen çdo vit në Bulevard për Aleksin, Ziverin, Faikun e Hekuranin. Të vetmit shelgje lotues, në breg të lumit të kujtimit të tyre, do të jenë familjarët.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s