7 shenja që na dha masakra në “Charlie Hebdo”

Fred-Lela-me-gazeten-Mapo

Profetët si pretekst

Ndërkryerja nga karikaturimi i një profeti, i cilësdo fe qoftë, dhe për më shumë kalimi në akte ekstremi e gjakderdhjeje, siç ishte masakra e Parisit, ngjan me një pretekst. Në gjuhën e diplomacisë shtysa të tilla quhen casus belli. Që do të thotë, ti kërkon një vjegë e cila të jep shkas për të vënë në lëvizje një predispozitë që ndërkohë e ke dhe të bren. Sigurisht që myslimanët kanë qejfmbetjet dhe urrejtjet e tyre ndaj Perëndimit, ndonjë prej tyre edhe të përligjur, por përdorja e Profetit Muhamed si flamur lufte mund të ketë ‘qëllimet e shenjta’ por humane nuk është. Aq më pak e shenjtë. Është pra një pretekst, siç ishin të tillë kryqëzatat e të krishterëve në Mesjetë, marshime militare drejt Jerusalemit për të shpëtuar varrin e Krishtit. Njerëzimi është aktualisht në një fazë shekullarizmi, të paktën pjesa e iluminuar e tij, që do të thotë, feja është e ndarë nga shteti, dhe besimi është diçka që i takon sferës shpirtërore dhe intime. Raca njerëzore i pat provuar perënditë pagane dhe qe ndërkryer e derdhi gjak edhe për to, për të kaluar më vonë te fetë monoteiste. Sido që të shkojnë punët, njerëzimi nuk do të zhytet më nën pushtetin absolutist dhe dogmatik të feve. Ai ose do të zhduket, ose do të kalojë në një fazë tjetër nëpërmjet shpikjes së një rendi tjetër besimi.

Uniformat e terroristëve ose teza e provuar e Huntington-it?

Teoria e multikulturalizmit, prej dy dekadash i qesh në fytyrë tezës së Huntington-it shtjelluar në librin e tij ‘Përplasja e qytetërimeve’. Multikulturalistët, grumbulluar kryesisht rreth së majtës mbronin idenë e bashkëjetesës së kulturave. Pasi përplasja ideologjike 1945-1990 kish përfunduar me triumfin e Perëndimit, rruga dukej e hapur për një festival të kulturave e kombeve. Kish mbërritur pra, për të cituar Fukujamën ‘fundi i historisë’. Pra, Perëndimi i mbetur pa kundërshtar. Veshja jocivile e terroristëve të Parisit (një uniformë diku mes policores e ushtarakes) duket se e futi sërish botën në ‘histori’. Në atë të një përplasjeje militare. Edhe pse ushtria përballë Oksidentit ngjan jokonvencionale, edhe pse nuk ka një territor apo një shtet, megjithatë ajo ekziston. Kjo papërcaktueshmëri e saj, kjo gjendje efemere, e bën madje më të rrezikshme. Terroristët kanë kaluar me sa duket nga aktet kamikaze, tek armët dhe veshjet më ‘serioze’. Në autostimën e tyre ata kanë një ‘shtet’ tashmë. ISIS është vetëm një formë e tij. Ndërgjegja e këtij shteti është forma finale. Nëse, siç kanë deklaruar Cameron e Merkel, multikulturalizmi ka dështuar, Huntington paskërka patur të drejtë.

Humanizmi fiton mbi fetë (fondamentalizmat)

Humanizmi i një të riu mysliman nga Mali, të cilit Franca i dha nënshtetësinë pikërisht për të shpërblyer simbolikën dhe njerëzoren e tij të patjetërsueshme, shpëtoi 6 vetë duke i fshehur në dhomën e ngrirjes së markatës franceze që u mor peng nga bashkëfetari e bashkëpatrioti i tij Ahmed Kulibali. Të shpëtuarit ishin francezë me origjinë hebraike. Një ditë më parë, një tjetër mysliman, polici që u qëllua pa mëshirë në rrugë nga terroristët, humbi jetën duke bërë punën e tij, në vendin e tij, edhe pse armiqtë përballë ishin vëllezër të një feje me të cilët i bashkonte thirrja ‘Allahu akbar’. Por polici Ahmed preferonte që thirrjen ta bënte në xhami e jo ndërsa vriste njerëz. Ky është pra peizazhi i botës, me të gjitha kundërshtitë, mbi të cilat ngrihet si nga instinkti, humanizmi. Besimi i vetëdijes se të gjithë jemi njerëz dhe na bashkon e na ndan jeta me vdekjen, ndërsa të tjerat janë shenja që, ose i kemi shpikur ose na kanë shpikur. Humanizmi mund të mos fitojë gjithmonë, por ai gjithmonë shfaqet dhe i bën të gjitha egërsitë të duken si një mut i lagur në shi.

Maskoti i harmonisë fetare shqiptare?

Edhe Shqipëria ka hedhur bojën e saj mbi pëlhurën ‘libër përshtypjesh’ të ngjarjes që tronditi Parisin dhe krejt botën. Në formën e një gjetjeje komunikative brilante si tre-lapsëshi në xhepin e xhaketës së kryeministrit Rama dhe paradës, gjithashtu improvizim i shefit të qeverisë, të katër klerikëve përfaqësues të feve që praktikohen në Shqipëri. (Ndoshta edhe një pastor protestant në atë skuadrilje do të kish qenë një Fab5 në pëllëmbën e kryeministrit). Fakti se Shqipëria mund të eksportojë harmoni fetare dhe të jetë model paqeje nuk është i kritikueshëm. Por, kur e sheh nga jashtë këtë ofertë, kur nuk njeh gjë tjetër të realitetit shqiptar veç saj. Pas Besës, ajo që i shpëtoi hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore, një artefakt shqiptar që ka rënë në rrjetën e pothuajse çdo gazete të botës, është harmonia fetare. Nuk janë në fakt as katër fe, siç thuhet, por dy: myslimane dhe e krishterë. Siç bektashinjtë janë të besimit islam, ashtu dhe ortodoksët dhe katolikët besojnë në Krishtin, pra janë të krishterë. Shumica e vendeve të botës janë në fakt dyfetarëshe dhe jetojnë si s’ka më në paqe. Por nuk është këtu problemi: kur eksportojmë kaq shumë harmoni dhe besë, pse mungon ajo në shoqërinë shqiptare? Sepse ndoshta…

Liria e shprehjes kundër robërisë së saj

Po cila ka qenë përballja në nivel virtual dhe fizik në Paris, para dhe pasi të derdheshin breshëri automatiku mbi ekipin e revistës “Charlie Hebdo”? Liria e shprehjes apo robëria e saj? Nëse i hedh një sy gjeografisë së kulturave dhe vendeve që përballeshin në atë shkëmbim zjarri, i cili ishte në të njëjtën kohë shkëmbim idesh dhe kulturor, sheh Francën, një vend perëndimor ku liria e fjalës mbrohet me ligj dhe, po themi, Jemenin, Malin apo vende të tjera të atij ‘tropiku të trishtë’, ku ndalohet me ligj. Arsyetimi është i thjeshtë: vende të cilat nuk e praktikojnë lirinë e fjalës, nuk e pranojnë as nga të tjerët ushtrimin e saj. Mund të shkohet me variantin hipokrit të të qenit politikisht korrekt, por megjithatë dallimet ekzistojnë. Siç krishterimit i është dashur të përballet me shoqërinë perëndimore për të kaluar të dy bashkë përmes Rilindjes, Reformizmit, Iluminizmit e shumë-izmave të tjera, edhe islamit i duhet e njëjta gjë. Në fillim për të mirën e vet dhe më pas të botës.

Paranoja e konspiracioneve

Në orët e para pas sulmit u ndje fërgëllima e poshtër e një aludimi, i cili kërkonte të bënte vend nëpërmjet së panjohurës për pretendimin e saj konspirativ. Sulmi nuk ishte kryer nga të dyshuarit që po ndiqeshin nga policia franceze, por kishin qenë në fakt shërbimet sekrete të Francës a një vendi tjetër perëndimor, qëllimi i të cilave ishte një pretekst për të sulmuar një vend islamik! Përhapësit e kësaj teorie strehoheshin pas kohës që do të vinte në formën e ‘ja, do ta shohim’. Një inskenim i dytë konspirativ i bëhej skenës me policin e vrarë nga terroristët. Pyetej se ku ishte gjaku që nuk rridhte. Të mësuar me skena filmash kërkonin një gjak të atypëratyshëm, të curriltë, tragjik, që t’ua përmbushte deri në fund vojerizmin. Ka gjasë të jenë të njëjtët njerëz, patjetër e njëjta tipologji, që shihnin dorën e CIA-s edhe pas sulmeve mbi Kullat Binjake ku u vranë mbi tre mijë njerëz. Qenë pak sigurisht, por të padurueshëm gjithsesi. Pak qenë, në fund të fundit edhe ata që vranë 17 vetë në Paris.

Koha për të kufizuar liritë?

Ndoshta kjo pyetje ka lindur që atë ditë në mendjet e atyre që hartojnë politikat apo dhe krerëve të shteteve perëndimore. A ka një program të ri, një kod tjetër veprimi me pakicat, emigrantët, të huajt, vizat, lëvizjen e lirë, kontrollet kufitare, politikat demografike e të tjera si këto? A duhen kufizuar liritë për të shtuar sigurinë? Apo duhet edhe më shumë liri? Amerika, pas një debati të ethshëm mes së majtës e së djathtës, që pas 11 shtatorit ka shkuar drejt kufizimit të disa lirive në favor të sigurisë. Europa ndoshta është e detyruar të bëjë të njëjtat lëvizje. Disa do të ofendohen. Ka gjithmonë njerëz të fyer dhe është e pamundur t’i kënaqësh të gjithë. C’est la vie. Ndërkohë kanë filluar lëvizjet e para, një unifikim në shkallë europiane i kontrolleve mbi të dyshuarit, sidomos ata që lëvizin në aksin Perëndim-Lindje e Mesme. Nëse hapja nuk ka funksionuar, ndoshta duhet provuar njëfarë rimbylljeje. Apo hapja ka qenë e paplotë dhe shtinjake? Është një sfidë për shoqëritë perëndimore të cilat nuk kërcënohen më nga ekstremi i djathtë, por nga e majta liberale, teoria sociale e së cilës ka rezultuar e dështuar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s