Nga ‘nuk keni parë asgjë akoma’, te ‘të zinjtë ne ç’po na shohin sytë’

edi-rama-parliament

Një nga soundbite-st e preferuara të medias prodhuar nga verbi gjithmonë larysh e përherë e më diarreik i kryeministrit Edi Rama ishte fraza e fillimit fare ‘nuk keni parë asgjë akoma’. Përbënte kulmin e një debati parlamentar kur opozita largohej dhe Rama lëshonte predhën e shkujdesjes së tij mitike kundër ikanakëve.

Nëse debati mund të vazhdojë rreth asaj se, a kishte ndërmend dhunën kryeministri apo po fliste simbolikisht, nuk mund të anashkalosh faktet se opozita është gjendur vazhdimisht në një cep të ringut e grushtuar dhe shtyrë nga një mazhorancë agresive. E stërmadhe, e errët, e uritur, egërshane, konturet e saj, nëse flasim me gjuhën dhe personazhet e botës së boksit, i ngjante Mike Tyson-it. Një mazhorancë që nëse nuk fiton ose kupton se nuk po i shkon asaj një dyluftim, të kafshon veshin.

Një raund dhune dhe kurthesh i këtij dyluftimi pozitë-opozitë, një që përcaktoi edhe bojkotin e pakicës ndaj parlamentit, ishte tashmë i famshmi episod i dy deputetëve të majtë tek grushtonin një deputet të djathtë. Pak pasi ky i fundi kish denoncuar, pa përmendur emra megjithatë, personazhet me të kaluar kriminale, pjesëtarë të trupës parlamentare socialiste.

Pamjet janë tashmë publike dhe të vjetra, por thelbi i tyre shërbente edhe frymën e një mazhorance e cila, duhet thënë, është e pështjelluar me veten qoftë edhe nga moskuptimi i statusit të vet. Ku fillojnë socialistët e ku lsi-stët, e ndërmjet të parëve ç’duan disa personazhe me të kaluar qartësisht të dyshimtë? Një pjesë e socialistëve, edhe pse nuk i thotë publikisht, ia bën vetes këto pyetje, ose edhe tryezave të vogla ku i kap hera e një bisede intime.

Është folur dhe shkruar shumë e gjatë për episodin e dhunshëm në parlament. Për implikimet e tij më pak. Aspak për psikologjinë që krijojnë pamje të tilla në segmente të ndryshme të shoqërisë. Pamë së fundmi një apendiks, një dalje, një pasojë të atyre akteve dhe asaj gjuhe të filmuar në korridoret e Parlamentit të Shqipërisë. Në formën e një kërcënimi që një eksponent i malavitës shqiptare përmes një deputeteje i dërgonte shefit të opozitës, Lulzim Basha.

Para se ta kalojmë me një shkujdesje apo me një ‘hajt se nuk u bë qameti’ rastin në fjalë, le të ndalemi pak te statusi i Bashës. Ai është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe shef i opozitës, ish –ministër i Brendshëm dhe i Jashtëm dhe, nëse flasim me terma të së ardhmes, kryeministri në hije i Shqipërisë. Të gjitha këto e bëjnë atë njeriun e dytë më të fuqishëm në Shqipëri.

Kur guximi, edhe i një të forti e kokëshkreti si Emiljano Shullazi, ngrihet aq lart deri te ‘më dil të dal’ me z. Basha, pyetja që mund të bëhet është: po ne të tjerëve? Gazetarëve, policëve, apo thjesht njerëzve që shkojnë në punë të vet, që nuk duan të kenë të bëjnë me të fortët e Shqipërisë përveçse kur i përball me ta cilësia e detyrës, dhe në çdo rast besojnë se shteti tek i cili paguajnë taksa dhe besim do t’i mbrojë?

Si erdhëm deri këtu? Më shumë se gjithçka ka të bëjë me frymën që pushteti aktual ka ngjizur në shoqëri. Ajo frymë që fillon që nga ‘nuk keni para asgjë akoma’ të kryeministrit, e deri te dhuna në hollet e Parlamentit. Mes deputetëve, jo rojeve të institucionit. Sigurisht, edhe te vrasja mafioze dhe demonstrative e Artan Santos. Apo ekzekutimi nga një enfant terrible i pushtetit, djali i një deputeteje, i katër vetëve në një lokal nate. Patjetër edhe te lufta mes bandave, nga rruga e Kavajës te rruga nacionale, apo nga ‘veprimet e mosveprimet’ e policisë pas kësaj përplasjeje të armatosur.

Me tre lapsa bojallinj në thile të xhaketës, krenar për gjetjen, kryeministri i vendit na është nisur për në Francë në respekt të kozmopolitizmit dhe në përbetim kundër terrorizmit. Paskërka patur të drejtë: nuk kishim parë asgjë akoma.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s