7 arsye pse Dhjetori është një Mit që duhet ruajtur

Fred-Lela-me-gazeten-Mapo

Dhjetori ’90 është antimiti i të gjitha miteve. E para, dhjetori ‘90 nuk është vetëm mit në kuptimin e përzierjes së mitit të legjendës me historinë. Edhe në përmasën e tij mitike ai është krijuar nga nevoja për të shpjeguar fenomene apo jetën vetë, siç është ngjizur nga ajo përmasë edhe miti i kutisë së Pandorës, ta zëmë. Ashtu siç nga kutia e Pandorës dolën të gjitha për të mbetur aty shpresa, edhe Dhjetori nxori jashtë të gjitha bestytnitë dhe ‘shpirtin e keq’ të 50 viteve komunizëm, e dhjetë herë aq otomanizëm, për të mbajtur gjallë të paktën shpresën se mund të shpëtojmë prej të dyjave. Ata që demistifikojnë dhjetorin kanë humbur diçka në atë kuti pandore të së shkuarës. I lehtë u qoftë kujtimi i saj i keq. Nëse ndokush nuk ka dëshirë për Dhjetorin, shumëkush ka nevojë për të.

Ngjarja e dytë thelbësisht e rëndësishme pas Pavarësisë. Dhjetori ’90, ai muaj shkulmesh historike e kulmesh pasioni, shënon për shqiptarët ngjarjen e dytë më të rëndësishme të shekullit 20 e të historisë së vet: rënien e komunizmit. Në të dy datat kombi shqiptar është ndarë nga forca që kanë qenë edhe jashtë, por edhe brenda tij. Nga ç’ka qenë brenda ndoshta nuk është ndarë përfundimisht por gjasat janë, e sidomos premisat. Dhjetori ‘90 nuk ishte stuhia perfekte e historisë që krijoi ngjarjen apo fatin perfekt, por qe mjaftueshëm e tillë. Lirinë pas pavarësisë së fituar më 1912 e solli. Për herë të parë pas kaq shumë gjaku të keq. Paranoja dhe teoritë e konspiracionit nuk mjaftojnë për ta shpjeguar këtë nexus të historisë së një kombi.

Liritë dhe të drejtat e njeriut (edhe të atyre që kanë të drejtë të kritikojnë). Njeriu shqiptar është më i lirë dhe jo e kundërta; madje mund të thuash se pas atij muaji e vitit lindi dhe u fut në të përpjetën e vet homo albanicus. Liria ekonomike, liria e lëvizjes, liria shpirtërore, liria e besimit, liria e fjalës, sot mund të tingëllojnë si klishe të mërzitshme që gjezdisin ligjëratës së konferencave apo kushteve të acqui communitaire, por 24 vjet më parë i kërkonim edhe pa i ditur se ekzistonin. Ashtu në terr siç kërkon syhumburi një gjë ku mund të mbahet. Sepse konturet e tyre ishin një formë e dritës. Po, edhe janë shpërdoruar këto liri, edhe nuk janë kuptuar, edhe janë marrë si njëherë e përgjithmonë të dhëna, por kjo nuk don të thotë se kanë qenë gjithmonë aty. Apo se mund të jenë, qoftë edhe në këtë formë të paplotë të cilën themi se kanë.

Na bëri pjesë të familjes së kombeve. Një vend i izoluar, pa hyrje e dalje, në rrethimin permanent të vetes dhe paranojës së Tjetrit, Dhjetori ’90 i dha një dritare dhe pamje shqiptarit për botën përtej. Por edhe një pasqyrë për të kundruar veten në kontrast me tjetrin. Shqiptari i ’90 pa në atë pasqyrë një portret, mjerimin e të cilit nuk mund ta kish kuptuar deri atë ditë, sepse nuk e kish patur mundësinë e krahasimit. Ato që kapte në mjegull me antenën e kthyer nga RAI, i kujtonte më shumë si halucinacione; shenja që vinin nga një botë e cila jetohej vetëm pas vdekjes. I palarë, i paushqyer, i paseks, shqiptari po dilte nga komunizmi me të gjitha keqkuptimet e njeriut-ishull. E të izoluarit. Ai po nisej për të zbuluar Botën e Re në një kah krejt të kundërt me logjikën e gjërave: ai ishte anti-Kolombi, indiani që do zbriste në brigjet e Europës. Ndoshta, për herë të parë i pazhvilluari zbulonte superiorin. Për snobët sot, sigurisht, anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë pa viza apo kandidatura për në BE tingëllojnë bizare, e megjithatë zhvillim janë.

Premisa ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Dhjetori krijoi një premisë të re historike, politike dhe kulturore. Më saktë, e riktheu atë. Mitin, ëndrrën apo perspektivën e Europës. Një rikthim i tillë është sidomos domethënës dhe thelbësor për një komb të cilit ia kanë rrëmbyer një mit në gjysmë të historisë. Instinkti i kësaj mund të gjendet te një prej thirrjeve apo sloganeve, më të mrekullueshmit slogan që mund të krijonte PR-i ambulant i marketingut shpirtëror të shqiptarit të rrugës, ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Nuk e ka kërkuar në këtë formë, përmes një ngashnjimi, lutjeje dhe kushtëzimi të tillë asnjë popull tjetër në përpjekjet për të dalë nga komunizmi. Asnjë shesh nuk e ka gjëmuar patosin e një ditirambi të tillë, që më së pari i drejtohej vetes së brendshme më shumë se të tjerëve. Do të thotë, vetë shpirtit të kombit. Europa mund të ketë ardhur ndërkohë ndër shqiptarë, te disa ca më shumë se te shumë të tjerë, qoftë edhe me ravgimet dhe pasiguritë postmoderniste. E kemi të gjithë nganjëherë këtë ligështim e limonti të shpirtit. Do të kalojë. Dhe, nuk është sëmundje ngjitëse.

Krijoi shqiptarin material, duke i hapur rrugë atij shpirtëror. Ose, u dha një jetë më të mirë shqiptarëve, edhe kritikëve të tij, duke i çuar të ardhurat për frymë nga 200 dollarë në atë vit kapërcyell, në 7 mijë dollarë, pa llogaritur këtu informalitetin. (Po, kapitalizmi dhe liria e kanë edhe informalitetin: nuk ia kanë lënë në dorë vetëm shtetit si në komunizmë!). Fuqizimi material nuk është kurrë vetëm ngopje e babëzisë, por edhe përkryerje shpirtërore, kjo sepse vetvetiu lind nevojën apo dëshirën për arsimim, edukim, art dhe filantropi (një formë kapitaliste e asaj që shqiptarët quajnë bujari). Mund të jenë bezdi e madhe ata që sot shihen si parveny, por rinia e çdo kombi ka qenë plot me fëmijë të tillë të mrapshtë, bij të guximit material që kanë rrjedhur nëpër gjenerata për t’u amnistuar prej kohës e ardhur deri sot si mishërime të një virtyti që dikur ishte ves.

Nuk është dizajn i Sigurimit. Jo vetëm kaq, por çdo pretendim i tillë është shërbim për Sigurimin, për frymën dhe trashëgiminë e kësaj ish-strukture kobzezë. Atyre sigurimsave që kanë mbetur nëpër këmbë, tuhafë dhe të ndërkryer, një tezë e tillë vetëm sa u buis iluzionin e një dhëmballe fëmijërie pas dhëmbëve që më nuk mund të kafshojnë, por do të donin. Ka vetëm proteza tashmë brenda atyre nofullave, dhe jargë të dëshirimit për një kafshim të ri shtazarak. Një konspiracion i tillë i madh me Sigurimin, Katovicën e paranoja të tjera, mund të ketë qenë teorikisht i formuluar, por liria ka të çara të mjaftueshme prej nga, në rrugë e sipër, bie edhe komploti më i hollë. Është një parabolë mundimi gjithsesi: si ajo me djallin. Ekziston, apo jo? Misterin e lirisë, në vend të absurdit të djallit, na duhet të zgjedhim.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s