7 ide për të djathtën…në fillim ‘privatizim’ të RD

Fred-Lela-me-gazeten-Mapo

‘Privatizimi’ i gazetës RD. Partia Demokratike u fut në skenën politike me vrullin, retorikën dhe stofin e një force antikomuniste dhe të tregut të lirë e shtetit të vogël. Privatizimet ishin kryefjalë e patosit demokratikas të atyre viteve të fillimit. Në tri herët e saj në pushtet PD ka privatizuar shumë dhe është debatuar e kundërshtuar shumë për këtë prirje të saj; megjithatë një privatizim që duhet ta kishte bërë me kohë, ende as e ka hedhur si ide: gazetën e vet, Rilindja Demokratike.

Për të kuptuar paradoksin e RD duhet kujtuar apo kuptuar se partitë e djathta nuk e kanë traditën e ‘organeve’ partiake, as në Amerikë e as në Europë. Të majtët po, dhe jo liberalët ndër ta, por partitë komuniste. Edhe gazeta e komunistëve italianë L’Unita u mbyll në qershor të këtij vitit. Edhe francezët janë ndarë me të tyren L’Humanite edhe pse lidhjet ruhen. Botës i ka mbetur ZP dhe ndonjë simotër e saj në Kubë apo Kore të Veriut.

Nuk është megjithatë vonë. Brand-i RD mund të përdoret ende dhe të rikonceptohet si gazetë duke ia nxjerrë nga kthetrat partisë për t’ia kaluar një fondacioni apo Bordi pranë së djathtës, duke i hequr kontrollin partiak dhe ekstremizmin apo një lloj rrugaçërie puniste që e ka karakterizuar herë pas here. RD duhet hedhur në treg. Një partie të djathtë si PD i shkon kjo. Le të jetë Zëri i Popullit e vetmja gazetë partiake.

Një zëdhënës politik për partinë. Zëdhënësi i një partie moderne është një personalitet, jo një lëçitës profesionist. Që nga koha e Spartak Ngjelës, i cili e kryente me flair këtë funksion, Partia Demokratike ka bërë kompromise dhe është vetëkompromentuar me këtë funksion partiak, edhe pse në statutin e vet e rendit si një ndër ata që përbëjnë triumviratin e partisë.

Një zëdhënës, si parim i komunikimit politik, por edhe si kuptim i spokesperson-it modern nuk është dikush që sa del lexon diçka që e ka shkruar vetë apo ia kanë radhitur të tjerët, dhe nxiton pas deklamimit të futet te dera pas foltores, por një që mund të marrë pyetje nga gazetarët dhe të dijë apo të mund të mbrojë qëndrimin ideologjik dhe politik të partisë. Praktika që fyen edhe inteligjencën e publikut, por edhe të partisë, e nxjerrjes së bellucinave (edhe në kuptimin bellaedhe në kuptimin Belluci[Monica]) e ka shtrydhur dhe shterur lëngun e vet. Është vjetruar. Ngjan me një fishekzjarr që të tërheq vëmendjen, por nuk mbetet në mendje.

Marrëdhënie me publikun, jo vetëm komunikim. Mungesa e zëdhënësit politik është në fakt njëra nga këmbët që i çalon urës komunikative të Partisë Demokratike në strategjinë për të mbërritur te publiku. Për të shkuar aty, duhet kuptuar ndërtimi i marrëdhënieve me publikun dhe jo vetëm komunikimit të njëkahshëm me të. Marrëdhëniet me publikun e përfshijnë komunikimin, nuk janë e njëjta gjë.

Do të thotë, Demokratikes i duhet të shkojë te publiku jo vetëm si zë politik, por edhe si kulturë ideologjike, si aksion qytetar apo thjesht si prani fizike. Duhet materializuar një prej sloganeve në hartën blu të Shqipërisë që shfaqet sa herë dikush nga selia e PD bën deklarata: Shtëpia e Lirisë. Një ftesë e madhe për të gjithë, që presupozon një hapje të asaj selie. Jo në kuptimin e një pazari ku mund të hyjnë të gjithë, por të një vibrimi që duhet të krijojë në qytet një seli partie që nuk është vetëm e tillë, por edhe qendër konferencash, workshop-esh, takimesh të rinisë, forumeve të mendimit, një biblioteke/librarie. Një think-tank i madh. Një perpetum mobile idesh.

Fondacioni/Biblioteka Berisha. Shumë e kanë diskutuar, herë publikisht e më shumë jo, rolin dhe vendin e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Berisha në Partinë Demokratike. Komentatorët pranë së djathtës kanë përmendur traditën dhe ruajtjen e saj si stof të së djathtës. Zoti Berisha është aset, traditë dhe përvojë e madhe dhe e gjallë e së djathtës. A e ka partia e tij megjithatë idenë që, në traditën amerikane të ish-presidentëve, të krijojë Fondacionin Berisha apo Bibliotekën Berisha?

Duhet një ndërrim mentaliteti për rolin e politikanit në Shqipëri, të majtë a të djathtë qoftë, e sidomos të këtij llojit të fundit. Një shoqëri si shqiptarja dëshmon një pabesi dhe horrëri me protagonistët e traditës së vet politike: bëhet bashkë dhe vishet në të zeza e pikëllim vetëm kur i përcjell ata. Në të gjallë, i shmanget institucionalizimit të politikanit të traditës. Leksionet universitare, intervistat e gjata dhe shteruese, librat si shprehje e përvojës së shkuar do të krijonin një përvojë të re për shoqërinë dhe kujtesën e saj.

Is the right right*? Ideja e së djathtës tradicionale që shkon në njëfarë mase e mënyre kundër rrjedhës së zhvillimit të shoqërisë, në kuptimin që vazhdon të jetë e mbyllur dhe konservatore ndërkohë që shoqëria po hapet, i ka shqetësuar partitë e mëdha europiane apo amerikane të spektrit të djathtë. Duke i shtyrë drejt qendrës. Sigurisht edhe në kërkim të elektoratit e jo veç të koherencës ideore.

Republikanët Amerikanë shpikën compassionate conservatism ndërsa Konservatorët Britanikë Big Society. Ky nuk është dhe aq shqetësimi i së djathtës shqiptare, sepse ajo është zhvendosur shpesh në caqe të populizmit duke ndërmarrë reforma që edhe partitë më të majta do t’u druheshin, megjithatë në një rrafsh social më shumë se ekonomik, diçka duhet të lëvizë. Sheh shpesh të djathtë, të vjetër e të rinj, që parakalojnë në publik me idetë konservatore të shekullit XX. Qëndrimi ndaj homoseksualëve dhe abortit, për shembull. Të mos jemi më katolikë se Papa. Para pak muajsh ai u shpreh: kush jam unë të gjykoj homoseksualët? Së fundmi edhe se evoluimi dhe kreacioni janë të mundshëm që të dy.

Kulturë/mendim i djathtë. Të djathtët i gjen të tulatur para idesë së ballafaqimit apo shpërfaqjes kulturore. Ndryshe nga të majtët, që pothuajse duan ta hanë mundësinë për të qenë në publik me idetë e tyre, të djathtët i shmangen kësaj sprove. Nuk duan t’i kuptojnë apo e anashkalojnë të kuptuarin apo pjesëmarrjen në proceset shndërruese të modernitetit.

Të rendit të ri, ku kultura, pas jetës, është ombrella më e madhe e gjërave. Kjo sigurisht nuk shpjegohet vetëm me të metat e tyre, por dhe me atë se në Shqipëri sundon një kulturë e majtë/puniste e ngulitur për 45 vjet. E gjen këtë kulturim edhe në konferenca të djathtësh ku referencat janë të gjitha të majta. Ku preferohet citimi i Kennedy e Obama-s para Reagan apo Thatcher. Apo të tjera ku akademikë të lartë flasin për ‘nëntorin e festave’ dhe ‘piedestalet e reja’ etj., etj.

A ekziston e djathta shqiptare? Ku është ajo? Të majtët, u cek kultura dominante puniste e shqiptarit, pozicionohen me qesëndi ndaj parabolës së të djathtit shqiptar. U shkakton atyre habi filozofike. Çfarë është një i djathtë? Në kuptimin klasik, dikush që i beson sipërmarrjes së lirë; individualitetit përkundër kolektivitetit; barazisë në oportunitete, jo barazisë në shpërndarje, e plot të tjera.

Por ndoshta një gjë kuptohet më qartë nga e kundërta apo nga anti-teza e vet. Një i djathtë është ai që, për shembull, nuk e ka mitin e luftës antifashiste; që nuk është i kompleksuar nga ‘kolaboracionistët’; që nuk bie për mitin e rrejshëm të sigurisë, shëndetësisë, arsimit dhe energjetikës në kohën e ‘lulëzuar’ të Enverit. Sepse, të gjitha këto, pa lirinë, janë një hiçmosgjë. Sepse ka njëfarë cinizmi fashistoid te qesëndia e të majtëve, që i kërkojnë shqiptarit të djathtë të dëshmojë pasurinë, pa të quhet i tillë. Duke qenë se ishte komunizmi xhelati që e preu këtë kordon, ai nuk mund edhe të pyesë në shqetësim për mungesën e tij. Liria dhe refuzimi i barazisë (në shpërndarje, jo oportunitete) janë shenjat e mëdha të një të djathti.

*Anglisht: a është e drejtë e djathta?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s