Brilantët në listën e PD? Do t’i prodhojë një ‘fërkim’

10830143_841814279203088_2536709304658943261_o

Një kronikë e ABC News që merrej me mesazhin politik të listës së kryesisë së re të PD, ‘përplaste’ idetë e pedagogut Arian Vasjari dhe autorit të këtyre radhëve. Sigurisht, pa dashakeqësi, por e shtyrë nga shtrëngesat kohore dhe ideore të një kronike televizive, kolegia Merita Haklaj jepte vetëm një pjesë të idesë sime mbi listën e PD.

Komenti ndalej te lista që sipas meje ‘ishte mesatare dhe jo brilante’, por nuk vazhdonte me shtjellimin e ç’domethënë mesatare (po sipas meje) në politikë. Mesatarja si kategori nuk është në çdo rast pezhorative dhe as e dëmshme për procesin apo komunikim politik të një partie.

Këtë shtjellonte ideja ime mbi listat në përgjithësi në Shqipëri, qofshin librash, kryesish, jurish etj., etj, të cilat vazhdimisht shihen mbi dy premisa: ose nga një perspektivë helmi, që e sheh gjithçka me negativitet dhe të tillë e artikulon edhe qëndrimin, ose nga një perspektivë e dytë që  nuk pret apo honeps asgjë më shumë se një formacion brilantësh.

Në rastin e analizës së listës së kryesisë së PD, as helmatisja apo pozicioni armiqësor, dhe as mëtimi për brilancë nuk japin një shpjegim. Spinoza te ‘Traktati politik’ thekson se, ajo çfarë funksionon në terrenin e politikës nuk mund të jepet me receta teorike. Teoria ofron diçka, por asnjëherë një pamje të plotë. Për këtë interpretimi dhe këshillimi politik për Princin (në kohët tona kupto liderin) nga aktorë jashtë saj duhen marrë gjithmonë me rezerva.

Kjo do të thotë se edhe pritshmëritë për brilantë në politikë janë të kufizuara në vetvete dhe të papërligjura në praktikë. E kësaj logjike edhe ideja se lista e kryesisë së PD nuk ishte brilante, pra mesatare. Jo domosdoshmërisht një shigjetë e helmatisur, por një lexim spinozian, edhe pse jo shterues.

Politika në fakt nuk është terren i brilantëve. E kundërta është e vërtetë: kjo lamije e aktivitetit publik është e mbushur me njerëz të mesatares që e kërkojnë sublimimin te politika. Sigurisht, çdo rregull e ka një përjashtim dhe mund t’i gjesh edhe këtij përfundimi një të tillë, por kjo nuk e bën më pak të vërtetë. Terreni politik shqiptar është saktësisht vërtetim i kësaj. (Kush e kujton ministrin e fundit brilant të një qeverie shqiptare, që nga Ernest Koliqi, apo ministrat e qeverisë që u quajt e DeutschKulturës?)

Brilantët janë shmangur vazhdimisht nga politika shqiptare, dhe këtë shmangie mund ta lexosh te një pothuajse doktrinë e trilogjisë së Spartak Ngjelës, Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare. Avokati vëren se politika shqiptare ka qenë anti-intelektualiste. Frymë që sipas tij ka filluar me Hoxhën për t’u zgjatur edhe në Tranzicion. Një hulumtues tjetër, gjithashtu përfaqësues i fashës liberale në Shqipëri, aktiv në politikë, por gjithmonë i shmangur nga sofra e parë, ofron një tjetër shpjegim për intelektualët apo brilantët: na duan vetëm për këshillim, për ekzekutiv asnjëherë.

Por, çka duket si fatkeqësia e brilantëve/liberalëve/intelektualëve është në fakt fatlumësia e tyre dhe e jona. Gjithë kohës në politikë, në poste qeveritare, ata do të ishin mesatarizuar; duke qenë më shumë jashtë se brenda, na kanë mundësuar pamjet dhe kuptimet e vetme të politikës.

Për t’iu kthyer listës së kryesisë së re të PD, duhet thënë se është prodhim i një risie: një votimi të drejtpërdrejtë dhe të hapur, i një gare të njëmendtë dhe të paralajmëruar -veçanërisht e tillë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm). Se gara nuk ish e sajuar e vërteton edhe fakti se distanca mes konkurrentëve ishte e tillë sa nuk mund të flitet për hendek. Mungesa e hendekut, brenda aksidentalitetit të vet, provon edhe një gjë tjetër: në PD po lëvrin një përpjekje anti-konformiste ose një mospajtim mes grupeve.

Nuk ka ç’e shpjegon tjetër atë që kandidatë të njohur, të përballur me të panjohur, regjistruan diferenca të vogla, pra jo hendeqe. Logjika të çon tek ajo se mes Demokratëve pati një disidencë të heshtur ndaj atyre që shiheshin, edhe pse të pazyrtarizuar publikisht, si kandidatë zyrtarë. (Me kandidat zyrtar kupto dikë me profil të lartë ose mesatar publik.)

Ishte përballja e parë mes rrethit të dytë në PD, pra kryesisë së madhe dhe rrethit të tretë, koordinatorëve të rinj të emëruar nga shefi i demokratëve Basha. Ky përshkallëzim në strukturën operacionale/drejtuese të PD është ndoshta zgjidhja më e talentuar e Bashës. Brilantët ndoshta do të lindin nga ky fërkim. Në fund të fundit, a nuk dalin edhe diamantet nga gërmimi i mineraleve ‘të zakonshme’?

Një përgjigje ndaj “Brilantët në listën e PD? Do t’i prodhojë një ‘fërkim’

  1. Nje kantautor italjan , De André , thote se nga diamantet nuk lind asgje…ndersa nga plehu çelin shpesh lule….situata ne PD sipas meje eshte me komplekse….Listat e Pd dhe kunkurimi…ishte diçka le te themi e re dhe natyrisht nje hap pozitiv perpara per partine demokratike. Hap perpara, dhe ndalemi ketu. Rezultatet e votimeve per fat te keq nuk sollen asgje te re tjeter perpos se rezultatet e fitimtareve ishin te pritshme, te gjithe ushtare pa nje vizion real si duhet te jete Partia Demokratike. Shumica e atyre qe u zgjodhen jane ato qe humben zgjedhjet e qershorit por qe mos te mbeteshin ne qoshe vendosen te riperterihen ne organet me te larta te Pd. Natyrisht vihen re pakenaqesira dhe shpresoj qe keto rryma qe po tentojne te ngrene koke, te jene konstruktive, Pd ka nevoje per me shume debate ne vetvete jo vetem per humbjen qe u pesua por edhe se si duhet te udhehiqet PD. Urdhrat e planet vjne nga larte nga nje Deus ex machina shpesh here nuk jane ato qe duhen, nuk jane ato qe i bejne mire PD-se. Protesta madheshtore e nentorit ishte nje fat qe as vete drejtuersit e larte te PD nuk e prisnin. Pd ka nevoje per me shume lufte te brendshme dhe per nje klase dirigjente qe te jete shume me bashkpunuese dhe e pranishme me bazen. Nese ne muajt ne vijim nuk do te kete te reja, nuk do te dalin figura te reja, te forta, qe kane nje vizion real jo vetem per te ardhmen e PD por dhe nje program per vendin, me keqardhje e them, nese mbetet akoma kjo klase, kjo kryesi qe pd nxorri do jete shume e veshtire per mos te thene e pamundur nje fitore ne zgjedhjet e ardhshme qofshin ato vendore apo parlamentare.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s