BOTA, filmi që vjen me valixhe lëkure

download

Në fund, Juli, personazhi kryesor, shfaqet në rrugë me një valixhe lëkure ngjyrëkafe. Për të shkuar diku, me shumë gjasë në kryeqytet, sepse në një dialog gjatë filmit, ajo dhe Nora pyesin Milin: a ka vend në Tiranë për ne? Elementi i valixhes dhe i materialit të saj, lëkurës, ndoshta nuk është menduar nga regjisorët. Mund të ketë qenë një çast fatlum i nënndërgjegjes vendimi për ta futur në rekuizitë këtë shenjë. Këtë gjë që është megjithatë shumë gjëra. Në rrafsh politik e social i përgjigjet dikotomisë së ngjizur në Tiranë përgjatë tranzicionit: valixhelëkurësit dhe valixhedrursit. Për të përshkruarvendasit (autochthonous, siç u pa edhe në qiellin e stadiumit të Beogradit!) dhe ardhacakët e pas ’90 në Tiranë. Juli, trashëgimtare familjeje të internuarish në regjimin komunist, me gjasë pjesë e një klase të përmbysur, e me më shumë gjasë e të pafatëve të shpronësuar, pra e dikujt që ka patur gjë e mall por edhe class, rikthehet në Tiranë me një valixhe lëkure. Si për të prishur rendin e të gjitha gjërave, e të gjitha paragjykimeve. (Ata që kanë ikur janë valixhelëkurësit, jo ata që kanë ardhur).

Mund ta shpallim këtë simbolikë edhe për filmin BOTA nga është nxjerrë episodi i më larttreguar: vjen edhe ky krijim me valixhe lëkure dhe me class. Janë disa elementët që e bëjnë këtë prodhim kinematografik një kthyes kokash, një marrës vëmendjesh.

E para, fotografia: Fotografia e këtij filmi duket sikur i jep peshë vetë konceptit të asaj që një film është: fotografi lëvizëse(moving picture). Në daç fotografitë marramendëse të peizazheve, apo ato të portreteve, për të cilat nuk të duhet të jesh profesionist për të kapur detajin, finesën, shijen dhe këndin fotografik në këtë film. Në fund të fundit fotografi (photographos) të shkruash me dritë nga greqishtja, në filmin BOTA është në shpjegim të vetes.

E dyta, Tinka Kurti: Zonja (ti ke pas kenë një zonjë e randë…) e madhe e filmit dhe teatrit, edhe pse në rol episodik, ka gdhendur për kinematografinë shqiptare me portretizimin, më shumë në heshtje, të Nojes, një personazh të pashoq. E saja është merita, por edhe regjisorët e rinj Iris Elezi e Thomas Logoreci nuk mund të mos krenohen me atë se në filmin e tyre Tinka Kurti është bërë për kinemanë shqiptare çka Katharine Hepburn është për amerikanen: një ikonë.

E treta, muzika: që nga fillimi në fund filmin e shoqërojnë këngë e motive që janë në pajtim me filmin vetë, por edhe me shpirtin. Ka në të zgjidhje të zakonshme të llojit të kolonës zanore, por edhe ndërkallje, dmth këngë që këndohen në rrjedhë të filmit si pjesë e tij. Por këtu mund të bëhet edhe një vërejtje: si te muzika, si te veshjet, si te personazhet, të paktën një pjesë e tyre, ka ndonjëherë më shumë glamour se sa lejojnë gjendja dhe vendi.

Gjë që është zgjidhur ndoshta në elementin e katërt të fortë të filmit: dy aktoret kryesore që luajnë Julin dhe Norën. Glamour-itkëtu i është dhënë një kthesë (twist), një ndarje në daç, e trupëzuar tek e bukura (Juli-Flonja Kodheli) dhe bukuroshja (Nora-Fioralba Kryemadhi). E para si kategori etike dhe e dyta si kategori estetike (nuk ka paradoks te të qenit të së bukurës kategori etike, pra jo gjithmonë estetike). Regjisorët kanë nxjerrë me anë të Flonja Kodhelit dhe talentit të saj të parin rol trishtimi në kinematografinë shqiptare. Jemi mësuar, kryesisht, të shohim stonatura në trishtim, përpjekje të sforcuara për të dhënë brishtësinë si brymë të trishtimit. Afërmendsh, kur vijmë nga një shkollë filmi socrealiste e personazhit pozitiv, të lumtur dhe optimist.

Shtatë vjet, thonë regjisorët, u ka marrë filmi BOTA. (Ja ku vijmë te përmasa biblike e artit. Shtatë ditë i janë dashur Zotit për të krijuar Botën e Tij/tonën.) Nën këtë shenjë: siç jemi ne shëmbëlltyrë e Zotit është edhe BOTA (filmi) shëmbëlltyrë e Botës së madhe të krijuesit. Një film i një Shqipërie në dy kohë, pikëprerjet e të cilave krijojnë një Botë që ne e njohim. Që e njohim do të thotë se e pranojmë. Pra, na është dhënë si shëmbëlltyrë e botës sonë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s