Zgjidhja për energjinë: Fletërrufetë kolektive të këqija, ashtu si amnistitë

1795950_10152499824796523_8271776291967965803_o

Kryeministri Rama nuk mund të kritikohet dhe as të kundërshtohet në aksionin e tij për të vendosur në Shqipëri atë që në zhargonin ndërkombëtar quhet ‘rule of law’; e përkthyer në shqip ‘sundimi i ligjit’. Bën pjesë këtu edhe mospagimi i energjisë nga një pjesë e shqiptarëve dhe veçanërisht ‘rrjedhjet’ apo vjedhjet në rrjet, të cilat duhet thënë nuk janë raste e as përjashtime, por modë e rregull.

Nëse sot është dita që kjo duhet të marrë fund, ne duhet të pajtohemi me këtë dhe të mos hidhemi përpjetë sikur kemi dreqin në bark. Nuk mundemi megjithatë ta kuptojmë apo mbështesim spektaklin e panevojshëm të qeverisë, si ai që u pa në Pallatin e Kongreseve ku u lexua në këmbë një rrufe kolektive e Kryeministrit të Shqipërisë për popullin e vet hajdut. Të bërit shembull, sidomos kur kjo ndodh, ku tjetër po në Pallatin e Kongreseve, ku zakonisht shembulli i mirë komunist i jepej popullit si udha e vetme, është të paktën simbolikisht, kujtimi i një makthi.

Fryma revolucionare që të shpif tubimi me ‘masat punonjëse’ i kryeministrit të majtë, mban era ‘luftë kundër zakoneve prapanike’.

Një kryeministër që e shpalos veten të krishterë, ndoshta duhet të kishte qenë në fillim fare pak më biblik duke i kujtuar popullit të vet ‘të vuajtur’ se megjithatë ai …nuk duhet të vidhte. Me këtë porosi, hiq spektaklin në Pallat, kryeministri do i kish kursyer imazhit të vet reminishencën e një kohe të shkuar, retorika e së cilës ende lundron me stilemat bizare në kujtesën e popullit të Shqipërisë.

Një konferencë për shtyp do të kish mjaftuar për të komunikuar mesazhin, por përveç mesazhit për të shpalosur edhe një skemë të qeverisë në ‘gjuetinë ndaj kundravajtësve’. E cila do të kish hap të parë të dyshuarit e zakonshëm, dmth njerëzit që punojnë për shtetin, pra janë nëpunës nën hyqmin e kryeministrit dhe vartësve të tij, dhe, në një mënyrë a tjetër, kanë ngritur një rrjet mafioz të vjedhjes dhe shpërdorimit. Shteti e fillon përmirësimin nga hallkat që përbëjnë superstrukturën e vet, pra ndëshkon ata që shpërblen me rrogën dhe me vend pune. Të dytët në ‘krim dhe ndëshkim’ janë ata që e vjedhin energjinë për shkak të babëzisë dhe jo të varfërisë. Pa qenë nevoja e frazeologjisë dhe përçmimit të kryeministrit që i shndërron ata në kulakë apo tregtarë të kohës së pasluftës dhe sidomos pa i futur të gjithë në një thes.

Por kryeministri e ka sfidën e madhe me kategorinë e tretë: ata nënshtetas të tij që e vjedhin energjinë të vënë me shpatulla për muri nga skamja dhe jo për një hile, tekë apo ves. Këtu është hendeku ku duhet të ndalet kali i kryeministrit. Për të hartuar një plan që i shkon për shtat edhe forcës politike që ai drejton, Partisë Socialiste, e filozofisë dhe ideologjisë së majtë, çka do të thotë mbrojtëse e shtresave të varfra.

Për këtë kategori nuk bën zgjidhja e dy të parave: paradoksalisht, para se t’i arrestojë duhet t’i mbrojë. Që do të thotë, me parimin e subsidiaritetit, duhet t’u ofrojë një dorë ndihme në një formë që nëpunësit e tij pa shumë zor do të mund ta nxjerrin nga manualet e shumta të shteteve të tjera serioze.

Një trehapësh i tillë do të mund të shmangte hapin e madh drejt hendekut të hapur tashmë nga qeveria paraardhëse: Amnistisë.

Që të dyja janë operacione në shëmti dhe populizëm: si fletërrufeja kolektive, ashtu edhe falja për të gjitha kundravajtjet e vjedhjet sa herë në derë të shtetit troket nevoja për të zgjatur pushtetin, pra zgjedhjet e radhës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s