Një ndeshje futbolli dhe loja me kërcim litari e serbëve

maxresdefault

Kur Kreshnik Spahiu, kryetar i AK, një partie që me të madh e mori nisjen por në fund u zgërlaq mu te patericat e veta, i kërkonte Fadil Vokrrit, ish-futbollistit të famshëm shqiptar të klubeve të Prishtinës e Partizanit të Beogradit, të kërkonte falje për një gol të shënuar në fund të viteve ‘80 ndaj Flamurtarit, mund të mendoje lirisht se ky ishte lloji më banal i nacionalizmit. Vokrri iu përgjigj me lehtësinë dhe arsyetimin e një profesionisti, se një veprim i tillë do kishte qenë trukim i ndeshjes. Në një shoqëri politike si jona ku trukimet janë rregulli dhe jo përjashtimi, argumenti i Vokrrit ndoshta nuk është kuptuar.

Banaliteti i nacionalizmit të Spahiut e gjeti të ngjashmin e vet në Beograd përgjatë dy ditëve në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi. Autoritetet serbe kanë krijuar rrethana të pahasura më parë në historinë e futbollit. Së pari, i kanë mëshuar diferencimit duke paralajmëruar se tifozët kundërshtarë do të lejohen në stadiumin e Partizanit të Beogradit, por vetëm ata me pasaportë shqiptare. Në fazën e dytë është anuluar diferencimi për t’u kaluar në spastrim. Asnjë tifoz shqiptar nuk do të lejohet në ndeshjen e së martës në kryeqytetin serb, shpallën autoritetet. E shoqëruar kjo me një kërcënim apo rrethim policor që thërret në mendje gjendjen e jashtëzakonshme: kush shihet në stadium me simbole apo flamuj shqiptarë, do të arrestohet dhe paditet!

As më pak e as më shumë këto janë premisat e një shtetrrethimi të një ndeshjeje futbolli. E gjitha e ndërtuar mbi racizmin dhe ksenofobinë. Pa kurrfarë diplomacie. Me shkujdesjen e dikujt që e njeh veten për superior. Veprime dhe diskur që mund t’i shkojnë partive të vogla nacionaliste e të margjinalizuara, të cilat shpresojnë në rritje të aksioneve politike me anë të ekstremizmit, por jo institucioneve të një shteti. Aq më pak kur ky shtet ka marrë një visto europiane për anëtarësim të mundshëm në BE.

E gjitha kjo nuk shkon, por nëse ka diçka që nuk hahet, është ajo se si Beogradi, duke u munduar të dëshmojë forcë, bie në dobësi. Policë me maska, të armatosur deri në majë të kokës, tek prisnin një delegacion futbolli armatosur deri në dhëmbë me tuta, atlete dhe iPhone, formojnë një kontrast qesharak. Përligjie e së gjithës me pretekstin e sigurisë së skuadrës kombëtare është qesharake: kush dhe çfarë i kërcënon lojtarët shqiptarë, një pjesë e mirë e të cilëve janë të njohur për serbët duke qenë se luajnë për ekipe europiane? Ndër ta ka edhe shokë skuadre e ndoshta edhe miq me lojtarët e kombëtares serbe.

Një shkujdesje më e madhe do t’i shkonte ndoshta në favor edhe frymës së mirë të vizitës në prag të kryeministrit shqiptar Rama. Kjo ndeshje futbolli, shoqëruar nga një vizitë e nivelit të lartë, e munguar prej dekadash, do të ishin dy shenja të volitshme për një partneritet të mirë dhe serioz. Më shumë se kaq do të ishte një ushtrim i arsyes së shëndoshë. I asaj se shqiptarët dhe serbët janë të dënuar me njëri-tjetrin. Ata nuk kanë se ku na çojnë ne, dhe po ashtu ne ata. Jemi në këtë fqinjësi jo si zgjedhje dhe rrjedhimisht e vetmja zgjidhje është pragmatizmi, toleranca, europeizmi, humanizmi.

Kreshnik Spahiu e ftoi Fadil Vokrrin të bënte ndjesë publike, se pse ai i kish shënuar gol Flamurtarit para 25 vitesh kur luante me një skuadër serbe. Pa të drejtë. Mbi litarin e tendosur të së shkuarës nuk mund të ecet më e as nuk mund të ecet gjatë. Serbët dhe shqiptarët duhet të mësohen të ecin poshtë tij. U lejohet të ngrenë krye për pak sa t’iu merren mendtë. Nën litar duhet të vazhdojë jeta ndërkohë. Ai litar i ri që hodhën serbët në aksin Beograd-Prishtinë-Tiranë shpjegon psikozën e tyre të vjetër të vetëviktimizimit. Shqiptarët nuk duhet të bëhen aq kreshnikë sa ta tërheqin këtë litar. Le ta fitojnë serbët këtë lojë fëmijësh.

p.s. Ky koment është shkruar dy orë  para zhvillimit të ndeshjes. Zhvillimet në fushë dhe jashtë saj nuk ja ndryshuan thelbin. 

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s