Çfarë kanë të përbashkët Edi Rama dhe Elvis Roshi?

rama2

A është e saktë të thuhet, nëse na bie rasti të bëjmë një kronikë të së djeshmes, se Edi Ramën dhe Elvis Roshin i bashkon një fill estetik? A është i vërtetë mëtimi se Edi Ramën dhe Elvis Roshin i bashkon vetëdija demokratike megjithë mjetet e saj? Më tej, a janë Edi Rama dhe Elvis Roshi në mos dy ‘heronj’, dy produkte të ngjashëm të kohës sonë?

Ta pret mendja, këto pyetje do merrnin përgjigje me ‘po’ ose ‘jo’ apo edhe me ‘ndoshta’, por nëse kërkohej një interpretim, ato do të ishin me qindra. Apriori dhe megjithatë, Edi Ramën dhe Elvis Roshin më shumë gjëra i ndajnë se i bashkojnë.

Aty ku janë bashkuar megjithatë dështimi ka anuar më shumë nga Rama, shefi i Roshit, kjo sepse të parit i duhet të lëshojë një hije më të madhe, jo për shkak të shtatit, ku mund ta banojë edhe i dyti.

Me hije le të kuptojmë vetëdijen e punëve të shtetit, kredon historike, inteligjencën demokratike e të tjera.

Por ç’e shtyu atëherë Kryeministrin Rama të barabitej me Elvis Roshin në një vjeshtë të zymtë të vitit 2014? Në njëfarë mënyre, udhëtimi i atyre që vijnë nga periferia drejt qendrës. (Me periferi mos kupto gjeografinë, që të mos biesh në stereotip!). Cilës qendër atëherë, nëse nuk bëhet fjalë për raportin e saj me periferinë si koncept të vendit?

Roshi e ka kapur qendrën mediatiko-politike në mënyrë spektakolare. Ai, i ardhur nga periferia (i majtë) ka zaptuar qendrën (Kavajën) një bastion të demokratëve që në vitin 1992. Në dy raste të tjera spektakli ka qenë prodhim i rastësisë. I pari është ai i ish-gruas së tij, një përrallë nga e kaluara së cilës iu dha një spin mediatik e politik, rrotullimi i të cilit mbërriti deri në zyrat e BE. Z. Roshi u bë qendror në edicionet e lajmeve dhe faqet e gazetave nëpërmjet një fabrikimi, tek i cili duhet thënë ai vetë nuk kishte dorë, rast që vuri në pozitë shumë vetë e shumë qarqe.

Ndërkohë era e demokratikes e fashiti edhe këtë flakë kashte duke sjellë edhe vaktin e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. I ngazëllyer apo duke kërkuar një batutë, z. Roshi premtoi gjatë fushatës se kur e majta të vinte në pushtet, Monumentin e Demokracisë në Kavajë do t’ia çonte me helikopter në Tiranë Berishës.

Erdhi edhe ajo kohë, por monumenti nuk mbërriti në Tiranë sipas premtimit bizar, por u copëtua nga ruspat e mazhorancës së re sikur të ishte një ndërtim i paligjshëm. Te ky aksion u bashkuan dhe u bënë të ngjashëm Edi Rama me Elvis Roshin. Të dy u dolën zot broçkullave njëra më e trashë se tjetra, duke folur për mungesën e estetikës së monumentit dhe zëvendësimin e tij me një tjetër që s’e ka parë as Ballkani. (Ç’do më bëjë frëngu e inglizi sa të kem Shijak e Kavajë, pat thënë Haxhi Qamili në të qëmotit). Për një çast, kryeministri i vendit dhe kryetari i bashkisë së një qyteti në gji të Adriatikut u zhveshën nga postet e rëndësishme dhe u bënë Edi me Visin. Dy DJ të Zhurma Show; dy çuna që po kërkonin qendrën.

Cilën qendër po kërkonte Edi Rama, nëse ai e ka patur që në vitet ’80 e këtej? Zhvillimet demokratike në vend që i ikën nga duart kur ai u kthye me turr nga Greqia ku e kish hedhur ora e prapë e fatit. Kur ai mbërriti në Kinoklubin e Qytetit Studenti ishte shumë vonë, thonë dëshmitarët. Të cilët shtojnë se ai doli prej andej nga ku kish ardhur për të kapur historinë, pothuajse munxëdhënë. Një koleg që e ka përshkruar overturën e kryeministrit Rama si rikthimin hakmarrës të Edmond Dantesit, ndoshta ka të drejtë. Ndoshta dy gishtat të cilët ai nuk ua ngriti dot turmave, siç mund të ketë ëndërruar nëpër ditënatën e gjatë të kthimit nga Greqia, ndër ato shqota demokratike të historisë, ai i zëvendësoi me shkatërrimin e tyre. Një plagë për syrin ndoshta ende vazhdojnë të jenë ata. Por, meqë si ravgim estetik është munduar ta paraqesë heqjen e monumentit të Kavajës, të ketë kujdes nga një tjetër shembje estetike. Edmond Dantesi nuk duhet ta zvetënojë përmasën e hakmarrjes; nuk mund ta ulë poshtë një niveli. Për të mos e banalizuar personazhin dhe fabulën e tij. Për të mos e bërë Edmond Dantesin, Mondin e Socialistes. Një çun inatçor në vend të Princit të Hakmarrjes.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s