Zhiti: Fan Noli gaboi më shumë, me Vidin gabuam më shumë

visar-zhiti-itali

Visar Zhiti nuk resht së qeni Romantik. As përballë pyetjesh aromantike. Por ai është Poet, mjetet e të cilit zbuten dhe mprehen me anë metaforash, dhe pa to nuk mund të kuptohen individët si ai.


Ç’do të thotë të jesh shqiptar?

Nëse do të përgjigjeshin të tjerë që s’janë shqiptarë, të shihnim si na shohin, a ngjajnë përgjigjet me ato se si ne e dimë veten tonë apo si e ndjejmë? Të huajt na kanë parë pak çuditshëm dhe si të veçantë, të rreptë, të besës, punëtorë dhe jo, me simpati, me frikë, edhe na kanë fyer, mikpritësa, të varfër, parakë, me virtyte të larta, “por t’i kishin dhe ca më të arrira”, thoshte Bajroni. Më ka vënë në mendime gjithmonë Bajroni. Ne sikur shkojmë drejt përkryerjes, me vrull, pa sikur nuk i përfundojmë gjërat, gjithmonë në shekuj, sikur i trembemi fundit. Si na kanë mësuar në shkolla, që ne jemi krenarë, përse, me malet, po ato janë krenare me ne? Që s’kemi pushtuar kënd, por na kanë pushtuar… atëherë? Liridashës, pa qenë kurrë të lirë… A jemi ashtu siç do të donim të ishim? Të jesh shqiptar… Pse më pyet, më vjen të të pyes? Ç’ke zbuluar? Po dhe ky dyshim, kjo mëdyshje, fillon të tregojë se ç’do të thotë të jesh…Ja që jemi si të gjithë ata që janë mbi fytyrë të dheut, por që jetojmë në trojet që i përkasin vendit me emrin Shqipëri, prej të cilave kemi marrë dhe kemi dhënë, bashkë, duke qenë dhe të ndarë, të ndarë duke qenë dhe bashkë. Ia vëmë fajin menjëherë historisë, po edhe pozicionit, përplasen Lindja dhe Perëndimi dhe trandjen e mbart secili nga ne, kështu mendoj tani. Është fati dhe fataliteti, me një përvojë mbi supe, por e rrëgjuar në kujtesë. ‘Shqiptarët bëjnë shumë e shkruajnë pak’, thoshte Dora D’Istria. Kemi krijuar një mendësi tonën, që ka dhënë një konstrukt dhe një fizionomi dhe gjej se nuk ndryshojmë nga të tjerët në krahasim nga ç’besohej, dimë të bashkëpunojmë dhe dimë të hakmerremi, shpesh më të mirë nga ç’duhet dhe më të këqij se ç’duhet, kur këto s’kanë masë, popull i skajshëm, duke mos patur kohë për të ndërtuar të madhen dhe duke prishur të voglat dhe duke ruajtur diçka që duhet, për të përhershmen, se ç’është, që nuk duam ta dimë dhe aq mirë. Me një kulturë dhe një vizion dhe një porosi shekujsh, kështu na duket, të ngjizur me Ballkanin sa poetik, aq dhe ngatërrestar, si gjithkushi në botë, por dhe si fshat i Europës, lënë disi mënjanë, dikur ledh mbrojtës i saj, me një kryekomandant të nivelit europian, me një Skënderbe dhe me mercenarë plot pastaj, që e duan Zotin, i pranojnë fetë, por moskokëçarës, pak praktikantë dhe i japin botës pastaj një Nënë Terezë të famshme e një Baba Rexhep mistik. Por po shtoj që, çuditërisht shqiptarët kanë diasporën më të madhe se veten, pra dinë të ikin siç dinë dhe të zënë rrënjë, ruajnë gjuhën dhe arrijnë më tepër se në atdheun e tyre. Energjikë dhe duam të arrijmë sot atë që s’u bë në shekuj. Mbase duhej të thosha vetëm kaq: të jesh shqiptar do të thotë të vazhdosh aq Shqipëri sa të takon. Dhe më rëndësi ka jo ç’do të thotë të jesh shqiptar, por ç’do të thuash po të jesh shqiptar, ç’duhet të bësh… për Shqipërinë.

A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?                                             

Po, ka, si te shumëkush, si tek të gjithë dhe është e pashmangshme dhe s’ka pse të jetë ndryshe. Kemi dhënë dhe marrë me fqinjët, është normale, po kështu dhe me ata që kanë ndenjur gjatë tek ne, me pushtuesit. Më parë se të jesh shqiptar, je njeri dhe njerëzit bëjnë njerëzimin, që në njëfarë mënyre dhe kuptimi është i njëjtë, planetar. Ndryshe s’kish si të ishim dhe të mbeteshim të tillë. Jemi antropologji e botës… sonë.

Kur themi ‘qytet’ në kuptimin ‘polis’, cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?

Po, dihet që “polis” nga greqishtja do të thotë qytet, por dhe qytet-shtet, madje dhe vetëm shtet, por kam parë në enciklopedi të huaja se kjo fjalë mund të mos jetë indoeuropiane, se kur grekërit mbushën gadishullin helenik, kishin organizim tjetër, atë patriarkal etj, etj. Nejse, kjo fjalë, a e gjetur a e ardhur, iu dha qendrave urbane dhe në këtë kuptim kishte mjaft vendbanime të autoktonëve të parashqiptarëve që e mbartnin me meritë këtë emër. Por unë dua të kujtoj poezinë e një poeti të madh amerikan që thotë se vend i madh nuk është ai që ka njerëz shumë, por që ka qoftë dhe një njeri të madh. Ne kemi qytetarë, në Shkodër dhe Durrës, në Butrint e Gjirokastër, në Prizren dhe Vlorë e Berat e Korçë e Shkup e Gjirokastër e Janinë, në Dibër e Ulqin dhe patjetër në Tiranë, por… dhe në Kalabri e Siçili, në Stamboll, e Nju-Jork etj. Fola kështu, se si shqiptar që jam, më kapi një instinkt vetëmbrojtjeje nga aftësia vetëshkatërruese që ne kemi.

4- Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?

Tungjatjeta! Faleminderit! Kushtrim, që e përdora dhe më lart më duket a e pata brenda vetes. Po “shtojzovalle” që vjen nga: shtona-Zot-vallet, sa e bukur, magjepse siç thoni dhe ju. Fjalët një rrokshme, emërtuese, janë të vjetra fare, pellazge, do të thosha. Ajo që nuk duroj dot është shpërdorimi i fjalës, por më i padurueshëm është pakësimi i tyre.

5- Gegnishtja apo standardi?          

Gjuhë shqipe, me gjithë begatinë e saj nga kudo, nga Veriu e Jugu, nga lashtësitë dhe e tashmja, gjuhë shqipe, e popullit, që e shijojmë të gjithë, se për të kujtuar, dihet, ta duam së bashku, ta mbrojmë së bashku… Dhe të kujtohemi që çdo popull i kulturuar ka një normë në gjuhë, pranon një njësim, i domosdoshëm si institucion, i vendosur me marrëveshje, jo nga sundimtarët dhe burokratët e dhunës, madje as nga populli, guxoj të them paradoksalisht, por nga shkencëtarët e gjuhës, mjeshtrit e saj. Ndërkaq gjuha e letërsisë, pra dhe “letrarja”, duhet të jetë e lirë dhe është, duhet t’i ngjajë detit ku derdhen lumenjtë e dialekteve dhe të të folmeve. Kujdes, ç’është arritur, nuk duhet bjerrur, por duhet mbajtur, ku është bërë keq, të mos bëhet më keq dhe ku s’është bërë mirë, të bëhet më mirë. Gjuha jemi ne. Të pasurohemi duke u fisnikëruar.

Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?                                                    

Shqipëri natyrale, e cila prapë nuk mjafton, Shqipëri në Europë, e lidhur me qytetërimet e botës dhe ato të lidhura me Shqipërinë, të pranishme në bashkëpunim…

A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?                                                    

Nuk duhet të alarmohemi, besoj.

A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?

Do të duhej…

A ka një ndarje veri-jug në Shqipëri?

Jo! Në kuptimin që kuptoj. Dallimet nuk janë ndarje. Ai që sheh ndarje, ka probleme të tjera, nuk bashkon dot pazllin e vetes.

Si do e përkufizonit një toskë e si një geg?

Toskë? Shqiptar i Jugut. Gegë? Shqiptar i Veriut. Thashë, nuk shoh ndarje, dallimet janë veçori pasuruese. Madje ndjej dhe përzierjen për mirë. Peizazhi të jep nga vetja, malet, lumenjtë, vetmia, erërat, pishat, fushat, gjerësia, gruri, detet, dielli, kuajt, dallgët, kufiri etj, etj. Era mesjetare ka krijuar këto emërtime, si në çdo popull e komb, kur largësitë gjeografike ndikonin në veçime e komunikim të pakët e në vetëzhvillime të brendshme, gjë që pasqyrohet dhe në të folmet, në folklor, në arkitekturë, me dallime, jo ndarëse, por pasuruese. Ndodh që në popujt e tjerë dhe në ata që s’i kemi larg, dialektet s’e kuptojnë njëri-tjetrin, janë si gjuhë të huaja. Tek ne jo dhe kurrë nuk ka patur një luftë Veri-Jug apo “geg e toskë”, por kanë marrë dhe dhënë, janë dashur dhe janë bashkuar, i kemi kënduar njëri-tjetrit. S’ka asnjë konflikt metaforik mes De Radës, Naimit, Fishtës dhe ky nuk është romantizëm, por dhe po qe, nuk prish punë, ta modernizojmë. Dëgjoj për dallime, që u japin rëndësinë që s’e kanë, pa argumente, anekdotike shpesh apo në bazë të kronikës së zezë, që media i zbardh pa pra dhe kur ato i shndërrojnë në fyerje, më duket se janë përpjekje narcistike, të xhindosura, kalim krize, andropauz, për t’u ndjerë se je dhe ti, specie e veçantë, që duket sikur duan të thonë se do të bënin vepra të mëdha, po të mos ishit ju, domethënë ne…

A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?            

Patjetër që po shkruhet letërsi në liri dhe liria është e domosdoshme për letërsinë, së pari ajo e brendshmja. Pyetja juaj është “thembër Akili”, sipas meje, sot, me interes se ngatërresat tranzicionologjike të qëllimta dhe të paqëllimta edhe në kulturë, nuk janë të pakta. Ndjesë nëse do të zgjatem, ngaqë debati për to është i pakryer. Kam patur rast ta them dhe herë të tjera, letërsia e pas viteve ’90, duke u shkruar në liri të plotë për të gjithë, e theksoj: për të gjithë, krijues, botues dhe lexues, si e tillë është më letërsi se ajo që bëhej nën diktaturë, nën morsin e Realizmit Socialist, që nuk ishte realizëm socialist, por realitet socialist. Letërsia nën diktaturë duhej të ishte në shërbim të regjimit, himn i tij, maskë e jetës dhe më e keqja, jo vetvete. Përveç lirisë, i mungonte armata e plotë e shkrimtarëve, (po flas me termat e atëhershëm) si dhe veprat e tyre themeltare: nga tradita e re ishin ndaluar korifenjtë Konica, Fishta, Koliqi, Musine Kokalari etj, dhe s’lejoheshin të plotë madje as Naimi, as romancieri i parë shqiptar Ndoc Nikaj, që vdiq në burgun e diktaturës, as Lasgushi, as Kuteli, dënoheshin prekursorët Sejfulla Malëshova apo Zai Fundo, Petro Marko etj, dhe një pjesë e ndjeshme e shkrimtarëve kundërshtarë o ishin pushkatuar, o dergjeshin burgjeve dhe internimeve. Ata që u përzgjodhën dhe zgjodhën realizmin socialist do bënin kështu një si gjysmë letërsie, do të thosha, pavarësisht devijimeve jo të parëndësishme për letërsinë. Liria edhe për shkrimtarët ishte me racion ashtu si ushqimet, veçse diktatura ndokujt i jepte dy racione lirie, duke ia hequr dikujt fare, edhe tre e katër, sipas meritave. Veprat që botoheshin, pasi kontrolloheshin mirë e mirë, si fillim nga botuesi-shtet dhe pastaj nga ideologët- Komiteti Qendror i Partisë, duhej të ishin propagandë për Partinë dhe shokun Enver, direkt dhe indirekt, për Shqipërinë socialiste – fanar ndriçues në botë etj, etj. S’ka nevojë të zgjatem më me groteskun real. Asaj letërsie i mungon ajo që duhej të bëhej dhe ka tepër pothuaj atë që u bë.                   Pas viteve ’90 kemi vështirësitë dhe përpjekjet për letërsi të lirë, me prurjet e mundshme, me format dhe gjinitë dhe eksperimentimet që mund të arriheshin, gjë që s’do të thotë cilësi patjetër, kështu e kanë vërshimet, shoqërohen me aluvione. Megjithatë u rikthye e plotë tradita e mohuar, po kështu edhe nga diaspora e penguar, ndërkaq dhe shkrimtarë nga më të përmendurit që krijuan nën diktaturë, e risollën veprën e tyre, ashtu siç do të dëshironin, duke e vazhduar atë. Po përmend vetëm triadën që ishte bërë zyrtare para viteve ’90. Kompleti i Veprës madhore Kadareane, e njohur dhe në botë, lexohet më mirë sot, me përmirësimet, që i quaj normale për një shkrimtar që vazhdimisht punon e është në ethet e krijimit. Po kështu dhe poezia e Dritëroit, tani mundi të ishte edhe e trishtuar, pasqyrë e zhgënjimeve, që nuk lejoheshin, jo vetëm entuziaste, duke u lejuar të jetë dhe opozitare, aq e lakmuar për një shkrimtar sot. Edhe Fatos Arapi, poeti modern më europian yni, pa bërë kapërcime, shkëlqen më mirë tani, duke e ngarkuar fjalën me më shumë dhimbje, siç nuk mundej dot më parë. Më pëlqen ta përsëris që Franc Kafka thoshte se nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin. Pas viteve ’90, besoj, mundi t’i ketë letërsia jonë këto, kur erdhi dhe letërsia që në botë quhet e sirtarëve, ajo e nëndheshmja tek ne, e burgjeve dhe internimeve. Tashmë letërsia shqipe realizon dhe dy pengje të madha, sipas meje, se, pas viteve ’90 ajo është e lirë të jetë letërsi, “si e tillë” nuk është më vrastare siç u detyrua të ishte nën “Realizmin socialist”. Dhe pengu tjetër, letërsia shqipe tani arrin të jetë gjithëpërfshirëse, mbarëkombëtare, përbashkuese, përmbledh kudonë ku shkruhet shqip dhe vend nderi e krenarie të natyrshme zë “letërsi e burgjeve”, veprat e të dënuarve dhe veprat e dënuara, që kanë sjellë më së shumti të vërtetën që i duhej letërsisë, më shumë se si alternativë, si një sfidë, me madhështi të brendshme, me një plejadë emrash të altartë të atyre që i vranë si Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Bernardin Palaj, Baba Ali Tomori, Vecens Prenushi, Anton Harapi, Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, Qemal Draçini, Vilson Blloshmi etj, e deri përtej kufirit shtetëror si  Jusuf Gërvalla e Agim Ramadani etj, etj. Erdhën nga burgjet emrat si Astrit Delvina, Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina, Mustafa Greblleshi, At Zef Pllumi, Lazër Radi, Frederik Reshpja, Bashkim Shehu, Fatos Lubonja, Pjetër Arbnori, Mekensen Bungo, Amik Kasoruho, Spartak Ngjela, Henrik Gjoka, Astrit Xhaferri etj, por dhe Robert Prifti apo Agron Çorati etj, që së bashku krijojnë një peizazh të ri letrar, klimë dhe unë ngazëllehem që në këtë aradhë dramatike lexuesi e kritika fut dhe emrin tim e librat e mi. Kurse të dënuarit burgjeve në Kosovë, si Adem Demaçi etj, përgjithësisht nuk i nxirrnin nga letërsia që prodhohej atje. Shkrimtarët e burgjeve bënë aktin më suprem, shkruan atje ku ishte e ndaluar, në skëterrë, duke qenë skllevër dhe të mallkuar dhe arritën të sjellin dhe ata dhjetëra fletë të një bukurie tronditëse, të hatashme, letërsi që nderon aktin e të shkruarit dhe zgjeron kuptimshmërinë dhe përgjegjësitë, ja ashtu si sivëllezërit e tyre mbi tokë, por “pa leje krijuese” nga shteti, me rrezikun e gjakut, të ndërprerjes së jetës siç dhe ndodhte tragjikisht, Letërsia shqipe vetëm pas viteve ’90 po mund të ribëjë mozaikun e saj të dëmtuar, të cilin një pjesë të mirë e kishte të zhytur nëndhé dhe pjesën tjetër të plotësuar me gurë të ngjyer me të kuqe. Sipas meje, përgjithësisht letërsia shqipe i përket një realizmi për të gjithë, që unë e quaj “Realizëm i dënuar” nga shkaku i një realiteti dënues.

Përmendni një shqiptar/e që ju frymëzon?

Janë shumë, e them sinqerisht, që më frymëzojnë. Por po kujtoj më të paarmatosurën, Nënë Terezën…

Kontesha hungareze Geraldine Apponyi u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve. Duke dhënë e marrë, Shqipëria e Geraldina e kanë plotësuar apo zbehur njëra-tjetrën?

Mbretëresha Geraldinë ishte më e dashur me Shqipërinë se sa Shqipëria me të, megjithëse vendi ynë e kishte nderuar më së lartmi duke e bërë mbretëreshë. Ajo shtoi fisnikëri dhe bukuri në vendin tonë  e vendi ynë i dha asaj kurorën e mbretëreshës dhe aventurën e saj. Ajo i fali vendit tonë një princ, teksa vendi ynë ia ktheu me mërgimin dëshpërues. Së bashku kanë bërë histori oborri mbretëror, me drama e akte bosh të ndërsjelltë, por që japin hijeshinë e traditës kombit, vezullime brilantësh dhe plagësh, të ngatërrueshme mes tyre në terrin tonë.

Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?

Në kuptimin tim jam për Vllazninë.

Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…          

Burgu. Para dhe pas tij. Vlen dhe për Shqipërinë, pas diktaturës apo gjatë saj a më parë.

A ekziston një Shqipëri europiane dhe një orientale?            

Ka një Shqipëri, europiane, orientale, ca kështu, ca ashtu, diku më shumë njëra e diku më tepër tjetra, herë “urë” e herë “place d’armes”. Fati na ka caktuar në Europë, që është më i fortë se historia. Vokacioni dhe shpirti janë europiane.

Bestytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?

Njoh, kam lexuar. Më sundojnë, besoja ato që s’i di. Vetë jam ca supersticioz…

Haxhi Qamilin e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. A është ai një gjemb në histori, dhe pse Enver Hoxha u mundua ta paraqiste lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë?

“Haxhiqamilizmi” do të ishte më shqetësues. Është pjesë e historisë së vonë të vendit, e pakët, por trallisëse, e mjerë, por zanafillëse për keq. Mendimtari Mit’hat Frashëri e shihte si lëvizje rebele bolshevike, me flamur turk. “Princ të gjullurdisë”, me sa di, e quajti një studiues i urtë, në një si novelë brilante, Simon Vrusho. Dhe historiani Uran Butka ka një vepër me interes. Te bolshevizmi harbut duhet gjetur rrekja prej shkencëtari apokrif i Enver Hoxhës. Iu desh diktatorit një si kompensim i vetes kështu, alibia e saj i shkonte për shtat mashtrimeve të tij, që të ndjehej si vazhdues dhe triumfues i “çështjes së vegjëlisë”. Por një komb nuk e bëjnë të vegjlit e shumtë, mizëria dhe mizoria e tyre, por të mëdhenjtë e paktë, mendja dhe shpirti i tyre, bëmat madhore. Mendoj se Haxhi Qamili është përzënë nga historia për t’u futur, siç e pamë, në letërsi. Në të dy rastet, siç e shtjellon shkëlqyer Kadareja, ai i takon “Vitit të mbrapshtë”.

Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan. Po ju?

Komunizmi është antibiologjik, thoshte Georg Santayana dhe unë e besoj. Pse njerëzit kanë mëtuar atë që është jashtë natyrës njerëzore? Konfuci thoshte se po të bëhej mbret, gjëja e parë që do të donte të rregullonte, do të ishte gjuha, se njerëzit me të njëjtën fjalë nuk kuptojnë të njëjtën gjë. Realiteti komunist ishte vrastar, kundër njeriut, pra antirealitet. Ata që kanë ëndërruar tjetër gjë, duhet të gjejnë fjalë tjetër.

‘Mbahu, nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?

Diaspora e ka më lehtë të ëndërrojë atdheun dhe të zbrazë mall më shumë, qoftë dhe si poezi. Shqiptarët e Amerikës vërtet krijuan “Vatër”. Por të qenit në atdhe është dhe sakrificë, që shkon dhe deri në martirizim apo shenjtërí, kacafytje me frikën siç duan ta shprehin dhe vargjet noliane dhe me Dheun e Atit, pra me baltën e mundimeve, të rrethuar dikur me tela me gjemba, që nuk e kanë lejuar diasporën e emigrimit të detyruar që të mund të jepte më shumë, më thelbësisht. Dhe shpesh janë ndjerë më të ikur ata që nuk ikën dot…

Feja e shqiptarit është shqiptaria! A është një kredo e tejkaluar?

E nxori një rrethanë kritike e historisë, kredo e guximshme, ka duf brenda, tragjizëm dhe kushtrim, prapë ajo fjala magjepsëse, por nuk duhet keqpërdorur dhe s’ka pse të keqkuptohet. Mësime gjithsesi nxirren dhe prej saj, kur ende mund të jetë jo dogmë, por përvojë. Papa Françesku na tha në Tiranë: Kujtoni folenë, kujtoni plagët. Porosi madhore. Sikur të dinim ta kryenim!

Për këtë diell! Për ideal të Partisë! Për nder të familjes! Për Shqipëri apo, për Zotin?                   

Për këtë diell! E madhërishme, pagane…

Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?        

Pse, them dhe unë? Sipas legjendës shqiptare, Gjergj Elez Alija doli në duel, madje me qortimin që pse kundërshtari, bajlozi i zi, nuk kishte kërkuar duel më parë, sipas zakonit, por i qe futur plaçkitjeve. Në kohën e Skënderbeut kishte duele, normalisht. Ndërsa në shekullin XX, në gjysmën e parë të tij, një ish-ministër, Xhevat Korça, i kërkoi duel një avokati austriak se kishte fyer Shqipërinë në një shkrim të tij në gazetë. Edhe Lasgushi, në gjysmën e dytë të shekullit, ka dashur të bëjë një duel këtu…           Nejse, prita ka qenë përdorur shumë e shumë më tepër, një lloj dueli i papërcaktuar me paralajmërimin e nënkuptuar, shumë më mizor, i beftë, jo i ballpërballshëm, që e ka sjellë jeta e mbyllur rurale me dëshmitar veç Zotin. Prita duket se i takon një shoqërie ku nuk sundojnë fitimtarë. Mafia e sotme ka futur në përdorim eksplozivin, motoçikletat, aksidentin…

Duket se të gjithë e përdorin Kanunin si strehë: ca për të përligjur një veprim gjakatar e ca për të përkufizuar një impas social që nuk arrijnë ta shpjegojnë. A mund të jemi më pak kanonikë ndaj Kanunit?

Kanuni është një vepër monumentale e shqiptarëve, institucion pa institucione, i brendshëm, shpirtëror, që ka qeverisur jetën e vendit me shekuj, fuqishëm dhe me vetëbindje dhe, guxoj të them, edhe me një si demokraci parake, të egër, pa policë e sundimtarë e burgje, por me ndërgjegje, pra madhnueshëm. Ndërkaq sugjestionues për të huajt, nga studiues, albanologë dhe specialistë të ligjeve, i vlerësuar jo vetëm në kontinentin tonë, edhe në Amerikë e deri në Japoni, që i japin bashkëkohësi homerike. Juristët shqiptarë duhet ta njohin të gjithë e jo vetëm ata. E kam thënë, do të doja që mureve tona, në parqet e qyteteve, të vendoseshin shkëmbinj skulpturorë ku të shkruheshin nga nenet e Kanunit, nga ata të mrekullueshëm, që kanë përjetësi. Po kështu dhe vargje nga eposi ynë e lirika anonime jo vetëm e deri tek lutjet e pazakonta të Nënë Terezës.

Çfarë u ndodh kur bëheni konician e mendoni ‘ky vend nuk bëhet’?

Ky vend është bërë dhe ka themele. Që na i tregonte dhe Konica. Çështja është të mos zhbëjmë për më keq. Problemi është se secili të bëjë vetveten.

Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar!’ sikletoseni apo rrëqetheni?

Tani  po buzëqesh me dashamirësi.

Kriza e zgjatur, ka bërë që në aula të ndryshme të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli krizën. A jemi në një botë pa rend shoqëror, por me ndarje të thella klasore?

Di që sociologë dhe mendimtarë nëpër botë të kenë thënë se ka ardhur fundi i historisë, por dhe të kundërtën. Po kështu dhe kritika të forta për aktualitetin, sistemin e tij. Poetin sovjetik, rus tani dhe emigrant në SHBA tashmë, e kam dëgjuar të thotë se me kapitalizmin nuk kemi zgjidhjen përfundimtare, por na duhet pragmatizmi kapitalist, guximi i tij dhe ëndrra që patëm në socializëm. Çuditërisht, po kështu dhe një prift në Itali, promovonte një libër para ca vitesh, ku konstatonte se socializmi kujdesej për shpërndarjen e prodhimit në mënyrë sa më të barabartë, por kishte krizë, nuk prodhonte, kurse kapitalizmi prodhon, madje me tepri, por nuk ka kujdesin e shpërndarjes. Sipas tij duhet të shpërndahet si në socializëm ajo që duhet të prodhohet si në kapitalizëm. Nuk besoj se jemi pa rend shoqëror dhe jo se kemi shpëtuar nga ndarjet klasore. Tek ne vazhdon lufta e saj me forma të tjera më të rafinuara, perfide. Ka krizë morale dhe duhet t’u rikthehemi vlerave…

Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd? 

Në mister. Si krijues besoj te krijimi.

Fan Noli dhe princi gjerman von Wied kanë qenë më jetëshkurtërit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. A ka një shpjegim për këtë?

Fan Noli gaboi më shumë, me Vidin gabuam më shumë…

1913, 1939, 1944, 1997…cilin konsideroni ‘Vit të mbrapshtë’ për shqiptarët?        

1997 pashë që e bëmë vetë, të tjerat na i kanë bërë të tjerët, kështu më kanë thënë. Shtoj se ç’bëjmë vetë, kemi dhe ndihmë nga jashtë, ç’na bëjnë të tjerët, kanë dhe energjitë tona.

Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?

E keni fjalën për të shkruarën mbi letër? Është rrezik universal. Duhen ruajtur pyjet dhe fjala. Por shtyp do të ketë sa të ketë shoqëri njerëzore, format ndryshojnë e do të ndryshojnë… Në të ardhmen do të dimë të lexojmë dhe ajrin më mirë.

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?

“Koha që s’mjafton për dashurinë, ku gjeni ju kohë për t’u urryer?” Janë vargjet e një poezie. Jam befasuar bukur kur i kam parë të shkruara dhe në mure zyrash të të njohurve të mi në Itali e SHBA. Kjo është pyetja ime tani për kohën dhe për të gjithë.

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?         

Nuk kam… Po pse keni vendosur 33 pyetje? Rastësi, alegori, aq sa ishte dhe mosha e Krishtit? Apo ju sugjestionojnë numrat dhe besoni në atë që besohet sipas kabbalistikës që ka një ndërlidhje mes numrave dhe shkronjave me domethënie e vlera jetësore? Numri 33 ka veçantësi, dy 3-sha, kur 3-shi primordial në vetvete është ajri. Na duhet ajër i freskët…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s