“Secilit Shqipërinë e tij” ose Pena në dorë të të zotit

lela

Stenda e UET-së panairin e sivjetshëm ishte aq e pasur sa mund t’i jepte secilit librin e tij, ndër këta “Secilit Shqipërinë e tij” i Alfred Lelës. Pa bujë publicitare dhe promovim – ku skenën, më shumë se libri dhe autori, e rrëmben prania Vip – mbase edhe për shkak se shumë prej atyre që mund të ishin të pranishëm në promovim, Lela i ka ftuar në mungesë në librin e tij me 146 profile e ndoca më pak personazhe dhe asnjë parathënie.

Kjo është puna me pikatore e Lelës për t’i dhënë “Secilit Shqipërinë e tij” dhe profileve atë çka është e profileve. Gati gjithmonë, se për shembull profili femëror (ndër 146 profile në total) edhe pse nuk është vetëm një, nuk i afrohet as kufirit të gjysmës së 30% të kuotës rozë… Ndoshta ka më shumë se një arsye, por një është shpallur në të parin profil femëror, i cili i dedikohet një gruaje të “hijshme që shkruan poezi” dhe bash për këtë është “shoqërisht e rrezikshme”. Në fakt në panteonin e profileve femërore që Lela përshkruan bindesh plotësisht për tezën se gratë janë “shoqërisht të rrezikshme”. Kjo vlen për Lleshanakun, për shkak të talentit të saj, për Ilva Taren, për shkak të mëndafshit të këmishës dhe të lëkurës dhe… koketerisë që zbut “acarime”, Vjollca Vokshin për shkak të fustanit që nuk është thurur me stof demokracie, por me shkapërcime shtresash, Megi Artyjesën për shkak të paskajores, Elisa Spiropalit për shkak të “dragoit politik” që me shumë gjasa nuk është tatuazh njëpërdorimësh, por angazhim serioz në politikë.

Në pak fjalë, secilës rrezikshmërinë e saj, derisa rreziku shënon pikë barazimi mes gjinive në dy profile të tjera, “Nazime Visha. Një Kronikë Pa Histori” dhe “Elsina Hidersha. Një Vajzë Më Pak, Një Krim Më Shumë”. Nazimja është vrasësja dhe e vrara, Elsina vetëm e vrara e një burri. Të dyja janë pengje të shoqërisë, të dyja histori që barazohen për nga paburrnia.

Megjithëse paburrnia nuk është pjesë e fjalorit të “Secilit Shqipërinë e tij”, libri është qartazi një fjalor i profilit antropologjik të shqiptarëve e shqiptarisë ku nuk mungon as ajo “…dinakëria orientale, e cila shpreson te humusi përherë bujar i harresës, plogështisë dhe dellit haxhiqamilist të shqiptarëve” (Lela, f.76), apo bizarri të tjera të mbartura nga personazhet, dukuritë apo fryma e këtyre viseve.

“Secilit Shqipërinë e tij” është një lloj fjalori i profilit antropologjik të shqiptarit dhe shqiptarisë – ku  profilet e huaja luajnë rolin ecounterpart-eve –, njëfarë pagine gialle shqiptare ngjarjesh historike e politike të njëmendta, personazhesh, vendesh; një libër dëshmi që jo vetëm “ngjarjet dhe personazhet kanë evoluar”, por edhe institucionet kanë ndryshuar… emër së paku. Akademia e Arteve të Bukura të “Secilit Shqipërinë e tij” nuk është më e tillë në të vërtetë, por Universitet Artesh.

Përdorimin e gegnishtes në ligjërimin politik, që Lela e quan “shpikje” të një gjuhe të re politike, më shumë se “shpikje” e konsideroj një reinventim të gegnishtes për qëllime të reja, që Lela i ka pikasë fort mirë, si në rastin e përdorimit të gegnishtes për qëllime shkesie. Nuk mundesh mos me pikasë dhe largpamësinë e sa njerëzve, që panë tek gegnishtja a paskajorja forcën “ngjitëse”, – nuk dihet nëse për këtë arsye, por Veriu xuni dashni të re me të majtën sipas një motivi të vjetër “Internacionale do jetë bota e re!”. Lela e përmend se si e majta “internacionalizmin e dikurshëm, ia ka brendashkruar antiglobalizmit të sotëm”.

Ashtu si “antiglobalizmi” i standardit po vazhdon e jashtëshkruan fatin e gegnishtes. Edhe pse gegnishtja ia ka falë gjakun standardit, Tirana “kulturore” vazhdon e shpreh shpërfillje, si në rastin kur “sallat e kinemasë në Tiranë janë braktisur për shkak të gjuhës së pakuptueshme”, gjatë shfaqjes Falja e Gjakut. Lela i del në krah gegnishtes dhe bash për këtë e quaj të guximshëm në punën e tij prej ndërmjetësi. I guximshëm se jeton në mes të Tiranës kulturore, por nuk i tutet kusureve që mund t’i kthehen, kur në libër fton me praninë një të dënuar në mungesë – gegnishten. E fton, jo aq në formë ndoshta, por me fuqinë e saj mbartëse. Unë personalisht i gëzohem kësaj gjendjeje “mbartëse”, pasi mendoj se një ditë mbas një shtatzënie të gjatë, një gjë e bukur ka me pa dritën. Ndoshta njimend e paskajuar do të jetë bota e re edhe në çështje të gjuhës. Nëse gegnishtja i shërbeu Rilindjes, mund të ketë shpresë edhe për rilindje të gegnishtes, jo si forcë politike, as si nji rrugë e vetme, as si ideologji, por si zojë e randë që i takon me kenë.

Si për të shmangur atë “klaustrofobinë që të ngjall rruga e vetme”, Lela në librin e tij nuk ngarend pas gjykimeve apo pozicionimeve – pavarësisht (apo jo?) pozicionit të tij djathtas në kopertinë – gjë që e mban të kthjellë profilin e gazetarisë së tij. Po kaq e kthjellët është edhe gjuha, ndonëse Lela nuk bëhet copa për të mitizuar fjalën shqipe. Gjen tek Lela “aulat” dhe “askundnajën”, “nonchalance” dhe “shkarrashkrim”, “bonfire” dhe “marramendth lojcak”, “luajalitet” dhe “ylberkapërcyer”. Sa është e kërkuar fjala në shqipe, aq zemërlehtë, por i sigurt është përdorimi i fjalës së huaj.

Fjala shqipe, ajo dialektore dhe fjala e huaj janë trerrugëshi që i jep identitet stilit të Lelës e kështu ai nuk humbet ndër shkrime e gazetarë të tjerë. Lela i jep identitet jo vetëm stilit, por edhe personazheve, ngjarjeve, vendeve si në rastin kur përshkruan Shkodrën si “qytetin etern”, apo Himarën si vendin ku “ullinjtë këmbëzbathur të Xhevahir Spahiut përzihen me letrat erë qitroje të Petro Markos…” (Lela, 26)

Libri i Lelës i vetëm as nuk e lumnon e as nuk e shejtnon gazetarinë Made in Albania, as nuk është shenja se gazetaria jonë po bëhet “laps në dorë të Zotit” se “ndoshta shqiptarët nuk lindin má asi burrash me interes në punët e Zotit, Robit, Atdheut e Kulturës”. Por një gjë është e sigurtë, me këtë libër Lela dëshmon, se lapsi ka rënë në dorë të të zotit të gazetarisë.

Ndonëse Lela paralajmëron ndarjen me këtë zhanër, personalisht mendoj se nuk mund të quhet i kryer, pasi botimi i librit nuk ibernizon profilet, disa prej të cilave janë të papërfunduara e disa të tjera të kurrënisura. Mendoj se Lela duhet t’i rrijë zhanrit, se Edi Rama është zgjedhur kryeministër, Fatos Nano nuk është më i vetmi që është dorëhequr, Sali Berisha nuk është më kryetar i PD-së, Lulzim Basha nuk është më vetëm kryetar bashkie, Ilir Meta, sikur thotë dhe Lela, “kërkon më shumë nga historia sesa fraza e mbarsur the King who became kingmaker.

Ky zhanër gjen motivim, se në këtë Shqipëri për do çështje sipari nuk bie kurrë, fjala bie: raporti ynë me vdekjen, himnizimi i të fortëve, “frëngjitë e ngushta të kullës së ngujimit”, (de)mistifikimi i shtetit, rrezikshmërisë shoqërore të grave të hijshme që shkruajnë poezi, “qindra bestytnive të folklorit shqiptar”, bjerrjes së paskajores, flirtimeve para-gjatë-pas elektorale e kështu pa fund, ndaj Lela nuk mundt t’i japë fund zhanrit të përshfaqur në “Secilit Shqipërinë e tij”.

Ndër gjithë profilet e Lelës, veçoj dy – të cilët mendoj se dhe Lela i ka veçuar në mënyrë brilante duke iu përgjigjur vetë shqetësimit të tij “A mos frymë (…) nuk ka?” – pikërisht për frymën që përcjellin profilet e tyre. Njëri është “Bujar Kapexhiu. Shqipëria Në Majë Të Penës”, ky burrë me mustaqe e veç pozitivitet dhe tjetri është “Arbën Xhaferri. Odë Për Të Pazëvendësueshmit”, profili me shkronjë të madhe… I Tiji, i vetmi profil me shkronjë të madhe e Ai, i vetmi i pazëvendësueshëm.

(Rafaela Marteta është autorja e shkrimit, botuar për herë të parë te Gazeta Mapo, më 29 nëntor, 2013)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s