A kanë gjermanët një Plan Marshall për Shqipërinë?

German Chancellor Merkel Receives Albanian Prime Minister Rama

Një gjerman e ka mbretëruar Shqipërinë në një përkohësi të palumtur, në hyrje të Luftës I Botërore, kur vendi ynë ishte asgjë më shumë se një nocion gjeografik, një frazë që ia atribuojnë kancelarit gjerman Otto von Bismarck, por që në përdorimin e përgjithshëm më shumë ka zbritur si legjendë urbanë pa fusnotë historike.

Wilghelm von Wied megjithatë nuk ka qenë gjemani i vetëm që e ka mëtuar fronin piktoresk e tragjik të Shqipërisë. Otto Witte, një akrobat cirku, pat ngulmuar gjatë në identitetin e tij të shpikur si mbret i Shqipërisë. Ehemaliger König von Albanien (“mbreti i dikurshëm i Shqipërisë’ me ngulmimin e tij u vendos nga policia e Berlinit në kartën e identitetit të Witte. E njëjta gjë u shkrua edhe në gurvarrin e tij.

Ndërkohë që kronika e Princit Wied dhe e Otto Witte është tashmë e historisë, nuk ka dalë ende nga mjegullat e legjendave urbane ajo se çfarë do të ishte bërë Shqipëria nëse kasta komuniste në pushtet do ta kishte pranuar ndihmën apo konceptin gjerman të ndihmës pas një oferte të bërë gjatë vizitës në Tiranë në fund të viteve ‘80 nga Franz Josef Straus, kryeministër i landit të Bavarisë. U tha e thuhet ende se mrekullia do të kish ndodhur nëse Ramiz Alia asokohe shef i komunistëve shqiptarë do t’i hapte rrugë idesë gjermane për Shqipërinë. Apo ndihmës. Apo një lloj komunikimi ekonomik e politik. Por nuk ndodhi kështu dhe Ramiz Alia me të tijtë u bënë njëfarë Esat Pashe komunist. Një pengues i gjermanikes në jetën shqiptare.

Për të ardhur tek e sotmja, e cila ende nuk i ka bërë download historisë dhe as keqkuptimeve me të. Aq më pak pritjes folklorike te porta për fuqinë e madhe ekonomike që do ta shpëtojë Shqipërinë. Me një Plan Marshall, dashtë Zoti! Do të qe e udhës sidomos me të. Aq më shumë kur këtë plan e zbaton një dikur-përfituese e tij. Vetë Gjermania.

Në një terren më konkret e më të sheshtë gjithsesi, kryeministri shqiptar Edi Rama është takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel. Ka qenë, edhe njëherë mesa duket, një iniciativë gjermane për Ballkanin perëndimor, e cila në raundin e parë të saj, në katër vite e po kaq raunde të parashikuara, ka parë në krye të vendit Shqipërinë. Ballkanas të tjerë kanë qenë në tryezë, por më i gjati i kryeministrave të një grushti vendesh të siujdhesës ka qenë edhe më i privilegjuari.

Arsyet e këtij kuptimi gjerman pas një moskuptimi të gjatë europiano-ballkanik, nuk mund të kërkohen te ndonjë feeling personal apo veprim akut. Në Ballkan, historikisht, tri palët e mëdha në bërryla të hapur për influencë, kanë qenë turqit, rusët dhe euro-perëndimorët (këtu sipas rastit e jo radhës gjermanët, italianët, francezët apo anglezët). Me anglezët gjithnjë e më shumë të ishulluar e të mbyllur në vetvete; francezët me një hegjemoni të rrudhur te kultura, dhe italianët që mund t’i sjellin Europës si kontribut vetëm gelato-n e tyre të famshme (sipas kopertinës më të fundit të The Economist), duket se Gjermania ose mitteleuropa është kujdestare e kësaj pjese të Südeuropa.

Një zgjerim i Turqisë është sidomos i padëshiruar ndër gjermanë. Edhe më shumë kur ata janë të partisë së qendrës së djathtë Kristiandemokrate. Rrezik ky që bëhet më akut kur president i Turqisë bëhet Recep Taip Erdogan, ndërsa kryeministër Ahmet Davutoglu, ish-ministër i Jashtëm gjithashtu përpunues i teorisë së neo-otomanizmit, pra ripërhapjes së Turqisë në territoret dikur pjesë e Perandorisë osmane.

Por këmbëngulja shqiptare për një Plan Marshall, për një shpëtim, të ngjashëm me atë që pritej prej Straus-it në fund të viteve ‘80, mosrealizimi i të cilit iu mvesh Alisë, është një iluzion dhe grotesk i ri. Më siguri, shuma prej 12 miliardë eurosh shpallur nga Barroso si paketë e BE-së për Ballkanin, nën mbikqyrjen gjermane, ka filluar të ndahet në kokat e shumë shqiptarëve. Sa i takojnë Shqipërisë? Më shumë se të gjithëve, thonë ëndërrimtarët nëpër limontinë e fundgushtit.

Te Gjermania megjithatë nuk duhet kërkuar një padron, por një partner. Jo një shumë shpëtimtare, por një mentalitet. Jo një prijës, por një udhërrëfyes. Sidomos duhet kërkuar një gjë serioze, siç janë gjermanët vetë. Por, në këmbim, edhe ne duhet të ofrojmë seriozitet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s