Trishtimi i bojkotit të PD dhe lumturimi i Nexhmije Hoxhës

Kryetari-i-Kuvendit-Ilir-Meta-dhe-Kryeministri-Edi-Rama-gjate-seances-se-pare-parlamentare-ne-hapje-te-Sesionit-te-Trete-te-Legjislatures-se-Tete_1

Partia Demokratike nuk është e huaj me bojkotin. Aktin e fillesës parlamentare kjo forcë politike e ka patur pikërisht bojkotimin e punimeve të Kuvendit të parë pluralist me anë të një akti të guximshëm asokohe, por edhe të përligjur në shtysat e veta. Neritan Ceka u ngarkua nga Komiteti Drejtues i Partisë Demokratike ende në pelena që të lexonte një deklaratë në seancën e parë të kuvendit të dalë nga zgjedhjet e marsit 1991, ku shumicën e kish fituar Partia e Punës së Shqipërisë (sot PSSH). Forcës opozitare i ishin vrarë katër aktivistë në ngjarjet e 2 prillit në Shkodër dhe ajo nuk gjente arsye për të qenë në sallë me urdhëruesit potencialë të krimit.

Z. Ceka, senatorial edhe në ato kohë kur deputeti ishte një amalgamë allasoj e tipologjisë së njeriut të ri fshataro-proletar, lexoi deklaratën në emër të PD dhe iku duke u shpëtuar  provokimeve të deputetëve punistë.

Sa më lart, nuk është një kthim prapa vetëm për të siguruar një kontekst, por për të gjetur fillin e mundimit që e lë jashtë parlamentit të tashëm opozitën kryesore të Shqipërisë, pra Partinë Demokratike. Cilat janë arsyet që ajo e kërkon aksionin opozitar jashtë parlamentit kur mund ta ndërtonte nga brenda? Për më shumë, ç’do të thotë ‘struktura paralele’?

Në fillim, demokratëve u duhet pranuar dhe mirëkuptuar problemi. Për faktin se nuk është vetëm i tyre por është edhe i publikut, është edhe i kulturës politike, është edhe i bashkëjetesës demokratike në Kuvend. Grupi socialist ka në përbërje elementë që, as në variantin pararendës të parlamentit modern, logut të burrave apo kuvendit të fshatit nuk do thirreshin për mend e as kuvend. Në rast të një kushtrimi për luftë, po, ata do të thirreshin nën armë siç edhe u ka hije burrave të tillë që ‘të marrin gjak në vetull’. Parlamenti është vend i ligjit dhe doktrinës së tij, jo i cubnisë. Përzierja që hartuesi i listës së deputetëve të PS i ka bërë këtyre të dyjave, ka prodhuar një molotov socio-politik të tipit të sovjetëve, dhe jo një strukturë post-moderne politike. Sepse në post-modernizëm e sheh ai veten. Dora vetë kryeministri i Shqipërisë dhe lideri i socialistëve, zoti Edi Rama.

Kjo nuk i heq ngjyrë njollës së murrme të përzgjedhjeve të listëhartuesit tjetër, Sali Berishës. Nja ca cuba i ka edhe grupi i deputetëve opozitarë. Të cilët megjithatë dhe deri më tash nuk kanë dalë jashtë kuadratit të politikes.

Bojkoti si reagim ndaj dhunës së shkuar e asaj të pritshme, megjithatë është shumë. Për atë se një parti politike bie në mentalitetin e cubnisë në përpjekje e sipër për të luftuar pikërisht cubninë. Bie pra në një paradoks të trashë. Nuk ka logjikë të shëndoshë e as të sinqertë në pretendimin: ata po na luftojnë me mjete rrugaçësh, atëherë hajt të dalim në rrugë! Kjo e fut politikën në një perpetum mobile të rrezikshëm: një palë monologon në parlament dhe tjetra në rrugë. Dialogu bëhet tërthorazi dhe e tillë është edhe cilësia e politikbërjes. Një tërthore që kthehet në rreth vicioz.

Që ky shqetësim për strategjinë e opozitës të mos kthehet në depresion, ndihmon sigurisht një rrymë e ftohtë antibojkot në mesin e deputetëve demokratë, por edhe dy aleatët e PD, Mediu e Shehi. Këta të dy madje i shërbejnë PD, dashur pa dashur, një trusni që asaj i duhet. Më saktë një derë të hapur për rikthimin në parlament. I japin pretekstin për të shpallur arsyen e rikthimit. Zoti Berisha u ka dhënë aleatëve një hapësirë përtej çdo parashikimi në listat për deputetë të zgjedhjeve të fundit. Nëse ata ishin kaq të çmuar për Berishën duhet të jenë të tillë edhe për Bashën. Nën këtë frymë duhen dëgjuar.

Fragmenti tjetër opozitar, PDIU, është tashmë në rehat brenda trajtës së fryrë të mazhorancës. Me ta, PD ka humbur pak në numra dhe gjestikulacion, por jo në artikulacion politik.

PD ka lindur si parti, ndër të tjera, e qëllimit të kthimit të parlamentarizmit të munguar gjatë 46 viteve komunizëm. Çdo tërheqje prej këtij vokacioni është një dalje nga demokracia dhe një hyrje në bolshevizëm.

Parmbrëmë, ndërkohë që kronikat e lajmeve bartnin, të zgjeruar e kumbues, vendimin për bojkotim të parlamentit, një përfaqësuese e antiparlamentarizmit më akut, Nexhmije Hoxha, stërzgjatej e stërhollohej në një intervistë televizive. Kjo dalje ishte, si të thuash, një shenjë e akullt e lumturimit të saj.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s