A ka shpatë për këtë nyje Edi Rama?

gordian_knot

A ka kuptim politik telenovela, tashmë në episodin e n-të, që kemi parë të luhet në krahun e majtë të politikës? Çfarë shprehin politikisht Tom Doshi, Armando Prenga, Mark Frroku, Pjerin Ndreu dhe Parid Cara? A do të rezultojë kjo kryengritje e të pestëve në një skizmë (ndarje) apo kalim partiak, edhe pse ndoshta në të njëjtin krah (LSI)? Para se një përgjigje të hamendësohet duhet ndërtuar një profil i shpejt-e-shpejtë dhe i mëvetësishëm që do të na çonte edhe te arsyet e ‘kalërimit’ së bashku dhe gjasat e një aksioni politik të përbashkët të pesëshes. Por duhet dhënë gjithashtu arsyeja se pse sot ata gjenden në të njëjtin shteg, me të njëjtin qëllim, tërheqjen e vëmendjes së kryeministrit Rama.

Në fillim duhet bërë një ndarje 3+2 e grupit të të pestëve. Sepse duhet thënë që Parid Cara dhe Pjerin Ndreu, i dyti edhe e ka shprehur publikisht e me forcë përkatësinë e tij socialiste dhe moskarshillëkun ndaj Ramës, nuk duket se janë në këtë ‘aferë’ në terma afatgjatë. Ndreu dhe Cara janë në mospajtimin apo pakënaqësinë e tyre të cilën e kanë fshehur me kujdes njëri pas kazusit të paluftë të komunës së Kryevidhit e tjetri pas harresës për zonën e vet elektorale. Por ata gjenden në këtë pesëshe, jo vetëm si ushtrim trysnie, por edhe komraderie. Biznesmenë, policë e ushtrues zanatesh të çlirëta pesëshen e grupit parlamentar të majtë e bashkon së pari pikërisht guximi i tyre, dëshira për të mos u bërë bisht gjesteve kalorsiake. Ata janë individë që nuk kanë drojë për t’u shfaqur, për të bërë zhurmë. Aula e Kuvendit bëhet e banueshme për ta vetëm kur ajo u shërben rastin e të sjellit si në logun e burrave. Herë të tjera ata janë aty për votuar ose jo. Domethënë për ta përdorur votën e vet jo si kontratë shoqërore, por si premtim apo besë individuale.

Treshja Doshi, Frroku, Prenga, së cilës mund t’i bashkohet edhe deputeti tjetër Arben Ndoka i përkasin sidomos këtij vektori. Ata janë bërë deputetë me ‘shpenzimet’ e tyre gjë që u lejon njëfarë ‘barazie me shefin’, një liri për ta zhvendosur çadrën e tyre politike në një kamp tjetër. Ata janë, si me thënë, deputetë të pangjyrë, as blu, as të kuq dhe as rozë: janë të pavarurit e partive politike. Nuk ka rëndësi se me cilin krah gjenden aty për aty. Mark Frroku është në fakt deputet i një partie-individ. Ai nuk është në parlament se ekziston partia e tij kristian-demokrate (e vëllait të vet!) por partia në fjalë ekziston për shkak të tij. (Është mirë që t’i shmangim që të gjitha keqkuptimet para së vërtetës.)

Logjika e tyre politike në fakt ka funksionuar dhe tashmë ata po kërkojnë thjesht investimin e tyre financiar për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Sepse, e dinë edhe vetë, ata do të mund të bëheshin deputetë edhe pa siglën e PS; madje duke shpenzuar me pak sesa kërkonte makineria gjigante e një force të madhe politike. Sa u takon atyre Edi Rama ‘i ka prerë në besë’.

Sa i takon Edi Ramës ai po sheh t’i dalë duarsh mekanizmi i krijuar prej tij në ngut e sipër për të fituar me çdo kusht më 23 qershor. Ai shkoi disi më ‘përtej së majtës e të djathtës’ në zgjedhjet e fundit dhe tani i duhet të dirigjojë një motley crew që nganjëherë ecën më shpejt drejt interesit se sa ai kah qëllimet e tij politike.

Çdo akt e gjen shpagimin e vet. Amerikanët ngulmojnë në folklorin e tyre se ‘asnjë akt i mirë nuk kalon pa u ndëshkuar’. (Imagjinoni atëherë shumëfishin e ndëshkimit për aktet gri ose të errëta.)

Në çdo rast, Ramës i duhet të lëshojë ose ta gjejë veten pa shumicën e cilësuar që i duhet për Kryqëzatën e Madhe të Reformave. Edhe nëse lëshimi ndodh, publiku ka të drejtë të pyesë: çfarë lëshimi? Çfarë morën të pabindurit, këta e të tjerë më vonë, për kthimin në territoret socialiste? Sigurisht, secilit i lejohen hamendësimet e veta.

Ky pra është rebusi i radhës që duhet të zgjidhë Eda Rama. Një njeri që gjatë, shumë gjatë, predikonte se besonte te idetë,krijoi një grup parlamentar, jo të ideve por të lidhjeve dhe peshës financiare. Përplot me intelektualë të hurit e të litarit. (Opozita ngulmon, me prova në dorë, edhe me të shkuar kriminale.) Se si do ta zgjidhë këtë nyjë nuk dihet. Por është nyja e tij.

Sigurisht, për çdo nyjë, edhe gordiane në qoftë, çdo kohë ka gati Aleksandrin e vet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s