Të jesh a të mos jesh… me Policinë e Shtetit

lazarat

Në kufijtë e fshatit Lazarat, një toponim dhe koncept tashmë i famshëm thuajse botërisht, po zhvillohet një përplasje e hapur mes asaj që  ne njohim si ligji dhe antiligji, shteti dhe antishteti. Në daç edhe e mira dhe e keqja. Këto kategori fort të kundërvëna, mjaftojnë besoj për ta ndarë mendjen dhe për t’u bërë ‘palë’.

I detyruar të jesh me Policinë e Shtetit që në rastin tonë të thjeshtë përfaqëson ligjin dhe shtetin. Kjo trupë njerëzish, sidomos oficerët në terren, kanë nevojë për konsensus kombëtar në këtë përballje. Ata janë përçues dhe mbrojtës të interesit publik. Edhe nëse pas misionit të tyre fshihen qëllime të përfitimit politik inskenuar nga ‘shefat e mëdhenj’, sërish je i detyruar të jesh me ta. Qoftë edhe në sensin figurativ apo pozicional të situatës: ata janë poshtë edhe në raport me kundërshtarët e tyre mbi krye, që i gjuajnë nga lartësitë komanduese të fshatit të çuditshëm me batare kërcënuese.

Sigurisht, nga një qeveri e majtë, liberale, kozmopolite siç e paraqet veten kjo socialistja, ndoshta do të kishim pritur të kundërtën e kësaj. Pse jo një shtendosje të rregullave të drogave të lehta dhe zbutje të ligjit në raport me to. Ndoshta një ‘lexim shqiptar’ i përvojave botërore të disa shteteve amerikane, për shembull Colorado-s, apo një përafrim me shembullin e kryeqytetit holandez, Amsterdamit.

Lazarati prej 23 vitesh është kthyer në një geto par excellence ku shteti nuk futet dhe ku kultivimi dhe tregtimi i kanabisit janë kthyer në industri të rëndë tashmë. Lazarati ka qenë një territor jashtë shtetit dhe kontrollit të tij; një no man’s land; njëfarë Montane e thellë amerikane ku ligjin e bëjnë supremacistët e kanabisit. Zgjidhja e gjithë kësaj ndoshta duhej gjetur te një ndërhyrje graduale ose te një liberalizim, qoftë dhe i përkohshëm i kultivimit të kanabisit, gjë që do ulte edhe çmimin, rrjedhimisht edhe interesin e bashkë me të, idenë e pamposhtësisë së fshatit kryeneç.

Por zgjidhja, në ngut, qëllim politik apo çfarëdo, u gjet te ndërhyrja dhe kur shteti ndërhyn për të vendosur autoritetin e vet në pjesë të Republikës që jetojnë jashtë këtij autoriteti, jemi të dënuar të bëhemi me shtetin dhe autoritetin.

Shteti ka vendosur, nuk ka rëndësi a është i udhëhequr nga një pushtet i majtë apo i djathtë, të kërkojë atë që i takon, rivendosjen e autoritetit të vet. Shteti është i përjetshëm (ai ka zëvendësuar Mbretin, i cili pat ‘zëvendësuar’ Zotin në laicitet) dhe ne nuk mund të jemi me të part time e sipas konveniencave.

E vetmja gjë kundër së cilës duhet të jemi është një ‘lojë me policë’ në vend të ‘marrjes’ së Lazaratit. Që do të thotë kundër një ekskursioni mediatik sa për show, sa për sy e faqe, në prag të marrjes së statusit dhe një prapakthehu me bisht ndër shalë në Tiranë. Ky do të qe një lajm i keq edhe për opozitën, sepse ajo herët a vonë do të trashëgojë pikërisht këtë shtet. Nëse e trashëgon ngalakeq e ngordhalaq, keq për të e keq për ne. Trashëgimia si legacy fizike dhe ideore, kërkon sigurisht mjeshtërinë e vet. Për këtë edhe opozita duhet t’i fryjë idesë së trashëgimisë dhe jo zjarrit të diversionit politik.

Lazarati është një ishullëzim perfekt i të gjithave se vetë tranzicionit shqiptar: babëzisë dhe idesë së përfitimit të lehtë e të shpejtë. Ndoshta futja e këtij ishulli në kontinent do të bëjë diçka edhe psikologjikisht për ne. Përpjekja për ta pozicionuar këtë fshat ‘me të shtyme’ në epikën imagjinare të qëndresës demokratikase është e kërkuar dhe alogjike. Politike mund të jetë, por është politikë e keqe.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s