Holanda: Mirësevini në Vendet e Larta

holalnda

Ajo që dimë për një vend nuk është pothuajse kurrë çka ky vend është në fakt. Megjithatë, kur avioni i Lufthansa-s bën pikiatën e zakonshme diku afër aeroportit Schiphol, në katrorët e kujdesshëm të parcelave që duken si shami dore të shtrira nga një grua sqimatare, shquhen lopë në tufa. Të feks në mendje informacioni i stivuar mirë në kujtesë për këtë vend, të cilin je gati ta prekësh për pak. Ai është ndër të tjera vendi i lopëve. I asaj race të plleshme e të bëshme që njihen si lopë holandeze. Fermat e shumta shtrirë në të dyja anët e rrugës Amsterdam-Hagë dhe markatat që ekspozojnë rrota të verdha e të mëdha djathi vendas e fusin edhe më në ekuacion lopën holandeze.

Të mëdha janë lopët, por jo aq sa për të të shpëtuar sysh mullinjtë e erës, këta sfinksa të rrafshirës që në ngenë e lëvizjes së krahëve duket sikur nuk janë për asgjë. Rreth 1800 mullinj ere rrotullojnë helikat e tyre nëpër kodra apo fusha të tokës holandeze. Një përllogaritje e vendos kapacitetin e tyre të prodhimit diku te 2000 megavatët.

Ndër këta shpendë të çuditshëm prej çeliku shkëlqyes, shpërndarë aty-këtu nëpër territor, gjen paraardhës të tyre të ndryshkur, të ngathët e nganjëherë në prehje. Këto gjëra të së vjetrës dikur viheshin në lëvizje me anë të ujit. Holandezët të thonë se mullinjtë kanë lindur bashkë me këtë vend: janë pjesë e stofit kombëtar, si me thënë.

Në njëfarë mënyre, në shikim të parë Holanda ngjan një vend në mes të bezdisë, ngulitur diku ndanë ujit të madh e erërave të forta. Këtë ndjesi të krijojnë kanalet e shumta ujore të përhapura gjithandej që duken si zinxhirë të ndryshkur rreth qafës së kësaj rrafshulte të bukur. Kjo vetëm në pamje të parë: kur zbret e fillon të kuptosh diçka nga thelbi i Holandës gjen se, me pak kreativitet, ata janë kthyer në njëfarë vargu me perla.

Në Amsterdam për shembull, që mund të quhet edhe qyteti i kanaleve, kjo mujshari e ujit është kthyer në një benefit. Këto kanale me ujë të murrmë janë një mjet turistik për të ekspozuar Amsterdamin e vjetër e të ri për të shpjeguar historinë dhe të ardhmen e këtij qyteti. Në Shqipëri do të ishim mjaftuar me folklorin: me atë se si një kuçedër misterioze i mbante dhe i lëshonte ujërat sa herë donte duke mbjellë përmbytje e zi mbi popullin e varfër.

Holandezët kanë bërë të kundërtën. Ndoshta e kanë kapur shpejt se puna dhe kreativiteti dhe jo folklori e tejkalojnë natyrën dhe e përshtatin atë. Njëqind kilometra kanale e përshkojnë ose rrethojnë Amsterdamin dhe mbi lumin Amstel, kanalin e madh ujor, ngrihen rreth 1500 ura. Më simpatikja ndër to është Magere Brug (ura hollake), e cila pasi është ndërtuar e rindërtuar disa herë që nga viti 1691, nga viti 2003 e këtej përdoret vetëm për këmbësorët dhe çiklistët.

Një histori që u tregohet turistëve rreth origjinës së kësaj ure, apo variantit të saj të parë, ka notat e një legjende. Dy motra të pasura jetonin në anët e përkundërta të lumit Amstel dhe dëshironin që të mund ta vizitonin njëra-tjetrën çdo ditë. Siç e kanë legjendat, ato ishin shumë të zëna, jo aq mirë me shëndet e ndoshta shumë krenare për të ecur çdo ditë tek ura më e afërt. Kështuqë ndërtuan një urë të ngushtë. Sa për veten, si me thënë.

Në një variant tjetër të historisë, njëra prej motrave quhet Mager dhe prej këndej rrjedh emri i urës, dhe jo nga ngushtësia e saj.

Sigurisht e vërteta nuk mund të jetë kurrë një dhe e vetme, ashtu siç ne kurrë, sipas Heraklitit, nuk mund të ecim dy herë në breg të të njëjtit lumë. Të këtij Amsteli për shembull, që e bën Amsterdamin qytet të lundrueshëm, emrin e të cilit në Shqipëri e dimë nga birra e famshme homonime. As atij lumit tjetër të epshit, gjithashtu të njohur këtu te ne, Red Light District, nuk mund t’i shkohet dy herë të njëjtit breg. Sepse, siç e kanë historitë me lumenj, ata të gjithë rrjedhin dhe asnjë në kundërrymë.

 

Nga qendra e botës, në qendrën e pushtetit

Amsterdami, nëse je duke kërkuar një krahasim të përciptë e që s’të mundon, është për Hagën si New York-u për Washington-in. Nëse Haga ka qeverinë, parlamentin, gjykatat emërmëdha të krimeve të luftës, që nga Afrika deri në ish-Jugosllavi, Amsterdami ka kredon e një qyteti kozmopolit e hedonist. (Për kujtesë, edhe New York-u quhej dikur New Amsterdam.)

Haga është një qytet me këmbë në tokë. Ka hijeshinë e klasikes dhe hijen e guvernës. Duket sikur kredoja holandeze strict and fair (strikt dhe i paanshëm) është krijuar në Hagë dhe për Hagën. Kjo moto në fakt duket se kryen rrethin e përsëritjeve sidomos kur vendasit e politikës apo shoqërisë civile takohen me gazetarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Shërben ndoshta pavetëdijshëm edhe si kundërpamje: ne këtu i bëjmë gjërat strikte dhe të paanshme, ndryshe nga ju andej.

Kundërshtimi i brendshëm rrjedh i turbullt si Amsteli nëpër Amsterdam.

Ç’t’u thuash holandezëve. Kryeministri i vendit shkon e vjen në zyrë çdo ditë me biçikletë. Ky mjet dyrrotak duket se është simboli tjetër i holandezit. Qytetet kanë korsi të dedikuara për biçikletat dhe lumi i tyre nuk ndalet ngado ta kthesh kokën. Sheh vajza të vogla 6 a 7-vjeçare që ngasin, me një konfidencë që të xhelozon, biçikleta gjigante (edhe më të mëdha se ato që dikur në Shqipëri quheshin ‘28-she’). Biçikleta ngjan si zgjatim i holandezit modern. Dhe, ato janë gjërat më të thjeshta në botë: të gjitha të errëta, të pandërlikuara, nganjëherë të prira nga një kosh. Thjesht një interpretim i sigurisë dhe thjeshtësisë së jetës së holandezit. Ajo që në Shqipëri është e padukshme dhe e paqenë, siguria, është zëvendësuar, në panik e sipër, me bërtitësen, vanitozen. E kundërta ndodh në këtë mëhallë të botës futur në gji të Detit të Veriut. E lartë në demokraci, liri shtypi, kreativitet, sipërmarrje, por prapë brenda fatit të vet gjeografik, e quajtur modestisht The Netherlands-Vendet e Ulëta. Kjo është një ndër mijëra pamjet e Holandës.

Episodi 1

Shqiptarët fluturues

Një holandez që ka punuar në Shqipëri në mesvitet ‘90 dhe në Kosovë së fundmi, tregon dy episode groteske. Si pjesë e misionit të tij në Tiranë, atij i duhej të miratonte një listë me nëpunës shqiptarë që do shkonin në një study trip në Holandë. Në listën që i dha titullari, ishte edhe një 95-vjeçar. Kur holandezi nuk e pranoi listën me të moshuarin në të, shqiptari ia priti se do të anulonte gjithë grupin duke hedhur kështu në erë projektin. Vite më vonë një ministër shqiptar i Kosovës, kur holandezi këmbëngulte te standardet, ia preu shkurt: “Ti nuk je këtu për të dhënë ide, por për të implementuar idetë e mia!!!”

Episodi 2

Një dëshmor holandez për Shqipërinë

Në qershor të vitit 1914 u vra në qytetin e Durrësit koloneli Lodewijk Willem Johan Karel Thomson, komandant i trupave holandeze që erdhën me Princin gjerman Von Wied. Ai ishte ngarkuar me organizimin e xhandarmërisë. Koloneli u vra në përpjekje me trupat e Esat pashë Toptanit që kundërshtonin Mbretin Wied të caktuar nga Fuqitë e Mëdha për drejtimin e Shqipërisë. Për vrasjen e tij Fan Noli ka shkruar poezinë “Thomsoni dhe Kuçedra”. Në nderim të tij është ngritur edhe një bust në bronz nga Bashkia e qytetit të Durrësit, në afërsi të Torres Veneciane.

 

Episodi 3

Patate a la hollandaise

Kafeja në Holandë është e tmerrshme. Sigurisht, nëse përjashton importin amerikan Starbucks që në Amsterdam e gjen lehtë, si në aeroport ashtu dhe në qytet, por në Hagë vetëm në stacionin qendror të trenit. Kafeja e këtij ka një shije ndryshku dhe duket se holandezët, si të gjithë popujt e veriut, janë në paqe me këtë brutalitet të shijes. Po kaq të gërditshme kanë patatet e skuqura (fries), të cilat i mbysin në majonezë. Kjo përzierje e çuditshme është një lloj ushqimi kombëtar i preferuar. Patate a la hollandaise.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s