Secilit Shqipërinë e Alfred Lelës

1-ok

E kanë quajtur letërsi në nxitim gazetarinë. Ose, atë lloj gazetarie që e kapërcen veten dhe lajmin. Këtë është përpjekur të sjellë Alfred Lela në librin e tij “Secilit Shqipërinë e tij”, një vëllim me 146 profile personazhesh, që i kapërcen shenjat e kronikës, duke u bërë krijimtari e pastër e gazetarit, i cili megjithatë i mbetet besnik lajmit…Profilet e personazheve si Ismail Kadare, Nënë Tereza, Sali Berisha, Edi Rama, Spartak Ngjela, Ilir Meta, Mark Marku, Lulzim Basha, Preç Zogaj, Fatos Lubonja, Fatos Nano, Ramiz Alia, Enver Hoxha, Dritëro Agolli, Martin Camaj, Bamir Topi e shumë të tjerë, u prezantuan ditën e djeshme në formën e një libri, botim i UET-Press, promovimi i të cilit mblodhi rreth vetes emra të njohur të medias, politikës dhe diplomacisë, ku nuk mungonin figura si ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj apo ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, profili i të cilit nuk mungon në libër.

Për më se tre vjet, autori ka hedhur në faqen e parafundit të së përditshmes MAPO mbi 300 profile, për të zgjedhur ato më përfaqësueset, 146 në libër, si dokumentim i ngjarjeve që ka kaluar Shqipëria, nëpërmjet fokusit të një gazetari. Një pjesë e mirë e profileve nuk janë për personazhin sa janë për ngjarjen. Një pjesë tjetër e konsiderueshme merren me kontekstin. Janë profile ngjarjesh e fenomenesh, më shumë se individësh. Ka profile të frymëzuara nga individë që i kanë prodhuar ngjarjet duke dalë mbi to. Profilet që vijnë si bashkëbisedim, si interpretim i botës së jashtme dhe asaj të brendshme; një raport me botën dhe me veten, gazetari dhe letërsi bashkë.

Autori shprehet se shkruan  për të shpjeguar botën dhe veten. Për t’i shpjeguar botës veten dhe veten botës. Në ceremoninë e promovimit ai u shpreh se me këtë libër shpreson t’i shkojë lexuesit si një njeri që di të shkruajë.

“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur. Ju falënderoj pafund, sepse po më thoni se ato çka kam shkruar gjatë këtyre kohëve nuk kanë shkuar huq, e kanë gjetur pasqyrimin dhe rezonancën edhe tek ju. Jemi pjesë e një komuniteti, çka është shumë e rëndësishme, jemi pjesë e një bashkësie që nuk është vetëm e atyre që shkruajnë por edhe atyre që lexojnë dhe shpresoj të kem ardhur këtu si dikush që di të shkruajë, e shpresoj shumë këtë”, – u shpreh Lela.

Artur Zheji, drejtor i “Media Mapo”, e quajti autorin si një nga stivuesit më të mirë të sintaksës së mendimit dhe një gazetar që spikat me stilin elegant të të shkruarit.

“Lela është pa dyshim një nga stivuesit e sintaksës së mendimit me një strukturë, që është siklet i madh që ta kesh kundërshtar dhe kënaqësi e madhe ta kesh në krah. Për të qenë sadopak në rezonancë me këtë bisturi të hollë, fjalëpake por që ngulet thellë në indet e mendimit dhe objektit që hapet për shqyrtim – qoftë në rastin kur i bën diagnozë apo autopsi, apo kur e vret verbalisht –është një kënaqësi shumë e madhe për mua të bëj uverturën e një gjëje që nuk ka nevojë për uverturë. Libri është i pari i këtij lloji i Lelës; janë profile të spikatura, të dallueshme dhe të dhimbshme për ata që nuk u shkonte pas idesë këndvështrimi i Fredit, dhe është shumë mirë që janë përmbledhur në një libër si njëlloj ditari, ku shumëkush nga ata që përbëjnë sot jetën publike gjen një pasqyrë, pasqyrën e Alfred Lelës, ku shihet më i bukur, më i shtrembër, më me defekte…”,  –u  shpreh Zheji.

Për pedagogen Rafaela Marteta, libra të tillë me gazetarë si Lela, sjellin gazetari më të mirë.

“Sa i përket librit dhe strukturës së mendimit të Lelës, kam dëshirë të veçoj tri momente: fjala gjithmonë e kërkuar dhe kurrë rastësore, libri është një akrobaci shumë e pëlqyeshme dhe e suksesshme mes standardit, dialektit dhe gjuhës së huaj, dhe e treta; një dozë humori që në një continuum kalon në një seriozitet të rrallë, por që nuk shkon asnjëherë në skaj as te njëra as te tjetra. Besoj se me gazetarë si Lela do të kemi me siguri gazetari të mirë, që është në shërbim të gjuhës publike dhe jo në shërbim të të bërit para. Jo fabrikë prodhimi parash”, – e cilësoi Marteta.

Ndërsa Agron Gjekmarkaj tha se me këtë libër e me këto profile, Lela ka realizuar një histori bashkëkohëse shqiptare.

“Më ndërtimin e 146 profileve të personaliteteve dhe personazheve që e dominojnë jetën shpirtërore, kulturore e politike të kombit, Alfred Lela ka realizuar një histori të tijën të bashkëkohësisë shqiptare; pa data, pa fakte, pa ngjarje, pa vepra të mirëfillta, ndonëse janë pikërisht ato që në të nënvetëdijshme na çojnë drejt profileve, mozaiku i të cilave rrëfen një histori shqiptare në 146 mënyra. E ka bërë këtë me disa kombinime, me forcën e kulturës e me artin e shkrimit, me forcën e profesionistit që pikas detajin dhe di kur e si ta kontekstualizojë atë me aktualen si dy anë të një sinteze”, – tha Gjekmarkaj duke shtuar se Lela sjell një frymë të re në të ndërtuarit e një profili larg traditës “jeta dhe vepra”.

Edhe vetë autori shprehet se profilet e tij, shumica  të paautorizuara, kullojnë subjektivizëm.

“Janë profile të paautorizuara. Shumica. Por më shumë se personazhi dhe ngjarja që ka mbrujtur profilin, më ka interesuar që në të të fus një varg simbolesh që shpjegojnë e merren, më shumë se me një personazh e me një ngjarje. Jam munduar të shpjegoj jo vetëm Sali Berishën, ta zëmë, por edhe veten, Shqipërinë, madje edhe juve, apo ata lexues që janë ndaluar te aksh profil”, – shpjegon Lela. Kanë qenë ngjarjet, aktualiteti, e përditshmja e sidomos njerëzit që i kanë  shërbyer si nxitës për shkrimin e këtij libri e që vazhdojnë ta frymëzojnë gazetarin në punën e tij dhe në ndërtimin e të tjerë profileve e ngjarjeve duke i sjellë lexuesit, secilit Shqipërinë e tij.

(Botuar për herë të parë në Gazetën MAPO, 28 maj, 2014)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s