Avioni që ra mbi Qeverinë

photo

Lulzim Basha, Sali Berisha dhe opozita, me siguri, dhe me të drejtë, ndihen të shpaguar. Edi Rama, ndoshta mendon se
si, me ironitë e fatit, sic ishte avioni i ‘rrëzuar’ në Divjakë, nuk mund të ndërtohen parabola groteske. Faktet, nganjëherë janë edhe më groteske se trillimet. Ministrat Tahiri e Kodheli duhet t’i ulin dy shkallë kreshpërimit të tyre ndaj akuzave, tashmë të vërtetuara të opozitës. Dikush me përgjegjësi duhet të gjejë përgjegjshmërinë e të thotë ‘lamtumirë’, pas gjithë kësaj bufonade. Shakatorët që deshën ta kthenin në pop politik urban, tani duhet të presin aeroplanin prej letre që, si në fabula, t’u bëjë një glasë mbi qesënditë e tyre. I humburi i të humburve në këtë lojë maskash, ku trillimi e realiteti kanë ndërruar vende, duhet të ndihet Visho Ajazi, shefi i Shërbimit sekret. Ai, ndoshta më shumë se askush, është kapur në një ‘jashtë lojë’ të pastër. Një dokument ‘i rrjedhur’ që, në mos burimin, adresën e nisjes e kish nga zyrat e institucionit që ai drejton, bënte me dije dyshime ose ‘të pame’ ‘të spiunëve’ të tij mbi një aktivitet të paligjshëm narkotrafiku. Me gjasë, avionë të vegjël uleshin në pistat e Forcave të Armatosura, përmendej Gjadri, dhe ngarkoheshin me drogë, të cilën e transportonin diku në Europë. Pasi opozita ngriti shtjellën e saj të akuzave duke thënë se kishte fakte, duke marrë si certifikatë një memo të SHISH për policinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, shefi i shërbimeve inteligjente lëshoi një deklaratë distancimi. Që ‘kërciste’ pak si shumë në raport me memon e dalë po prej të tijve. Nën buzëqeshjen dhe praninë mbështetëse të ambasadorit amerikan Arvizu, Visho Ajazi toku duart me ministren e Mbrojtjes, Kodheli, në një aktivitet publik para kamerave dhe kjo duket se i mveshi opozitës shenjën fatkeqe të ‘karagjozes’ politike. Deri të shtunën kur ironia e fatit dhe një rastësi fatkeqe, për disa palë, i ktheu pllakat duke certifikuar opozitën dhe fundosur institucionet qeverisëse dhe shefin e SHISH. Një avion i vogël ngeci në rërën e plazhit të një Divjake ku, sipas krerëve të mazhorancës Rama e Meta, të vetmet mjete fluturuese ishin mushkonjat e majmura në kohën e Berishës. Të gjithë ata që mbanin barkun me dorë kur opozita fliste për avionë droge, sikur thoshte ‘fluturon gomari’, janë tani në anën pritëse të talljes. Deklaratat belbacuke dhe kontradiktore të deputetëve, ministrit të Brendshëm, apo dhe statuset e Kryeministrit, vetëm sa e shtuan shëmtinë e skenarit klounesk ku të gjitha pjesët futeshin te njëra-tjetra me përpikmërinë e një theatroje shekspiriane: avioni i vogël, fuoristrada, ngarkesa e drogës, një shumë e mirë eurosh, ‘injoranca’ ose bashkëpunimi i strukturave përgjegjëse shtetërore, e me radhë. Mazhoranca, natyrisht do t’i mbijetojë këtij skandali, siç i mbijetoi qeveria e shkuar skandaleve të veta. Regjistri i indinjatës së shqiptarit ndryshon me vështirësi, kjo edhe për shkak të relativizimit të turpit, për të cilin ka ndihmuar klasa politike duke mos u distancuar në mënyrë higjienike nga pjesë të saj të turpshme. Por, për pak ditë të paktën, kjo qeveri u bë gazi i botës. Një çudi thonë se vetëm tri ditë zgjat ndër vise shqiptare. Megjithatë dy çudi në 6 ditë, avioni i drogës së Mushkonja Airlines dhe ministrat, deputetët apo predispozita hoxhiste e kësaj maxhorance, janë shumë si çudi dhe janë majmur në vetëm 8 muaj qeverisje të majtë. Basha, Berisha dhe opozita e kanë marrë me sa duket shpagimin e kërkuar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s