Ruajna Zot! Amik Kasoruho që ikën, Enver Hoxha që vjen…

Amik Kasoruho

E djeshmja ka qenë një ditë e habitshme. Jo se ditët shqiptare mungojnë së qeni të tilla, por se tri ngjarje kanë mbërritur në qytet: të tria të paftuara, por ngulmuese të tria gjithsesi.

Ka qenë një ditë me diell dje. Pak çelje pas një muaji të gjatë mbyllur në gri e shi. Ditës i shtohej edhe ngarkesa e datës. 5 Maji, që në Shqipëri anjihet e festohet si Dita e Dëshmorëve. Heroizmi i saj, dje u përmbyt nga anti-heroizmi i politikës së ditës. Sundonte me groteskun e tij ditari i nderimeve për të rënët e atdheut; pozita në një orë e opozita në një tjetër. Pelegrinë që mbërrinin në varrim sipas tekave të orarit të avionëve, ngjanin dërgatat e fryra të politikës dje.

Por, si për t’i shtuar një rreng të ri së gjithës, një stërkëmbësh cerebrales kinse të së djeshmes, një vdekje mbërriti në historinë e ditës; a thua për ta veshur me një kundrathënie më shumë zhulgjurulldinë e 5 Majit shqiptar. Amik Kasoruho ndërroi jetë.

Vdekja, ashtu si jeta e tij, kaloi mbi kokat tona si një pëshpërimë. Politika nuk e donte të vdekur dje. Njëra palë sepse ‘i njolloste’ dëshmorët e vet (!!!) dhe tjetra ndoshta se nuk mund të komandonte dot spin-in e dy ngjarjeve. Për të nxjerrë zi-e-ma-zinë e të dyjave.

Por, Amik Kasoruho, dritë i pastë shpirti!, prodhoi dje me vdekjen e vet një grotesk që vetëm ironia e fatit dhe një tjetër gjirokastrit i madh, Ismail Kadare, mund të prodhonte me penë e mendje. Amiku vdiq në kohën ‘e papërshtatshme’ kur nderohej Diktatori, kur qytetarë të thjeshtë të këtij vendi, nostalgjikë të pashërueshëm dhe deri ministra të kësaj qeverie, rilindase o bablok!, përkuleshin nëpër varreza Dëshmorësh para portretit të shokut Enver.

Amiku i kujtoi dje kësaj gjindjeje të trumhazur e në pabosht se ky vend paska në fakt, dy palë dëshmorë: jo veç ata të cilëve Komandanti u paska prirë drejt rënies për atdhe, por edhe të tjerë që shoku Enver i çoi, me programe vetjake e shtetërore, drejt vdekjes. Të pushkatuarit, të përndjekurit, të zhdukurit, të humburit pa varr e shenjë. Të përmbysurit e kundërshtarët që përfaqësoheshin nga A(r)miku i klasës që vdiq dje.

Kështu ndërrimjeta e djeshme i dha jetë një kuptimi të ri.

Sa për Amikun, këtë mik të së thjeshtës e të pabujshmes, këtë mik të heshtur tonin e të fjalës, mund të themi vetëm se sa herë emri i tij të përmendet e ndërmendet, do na e ngrohë kujtesën portreti i tij i butë si presje. Do të pendohemi për kafenë që u stërzgjat e nuk u pi kurrë, e që u bë kafe e hidhur morti, pa e ditur e pa e pritur.

Do t’i falenderohemi atij profili qytetës ku bëhej një pahu i lehtë i otomanes së vjetër të Gjirokastrës dhe durimi hebraik i vuajtjes oksiduar në thelb oksidental. Atij portreti e kujtimi që, në shpërpjestim me përvujtninë e vet, solli në shqip një primadonë cinike të së djathtës: Ayn Rand. Apo kujtimet johakmarrëse të një kohe e jete danteske. Apo Lartësitë e stuhishmetë Brontë. Prej lartësive të stuhishme të këtejjetës do t’i heqim kapelen dhe do të lutemi për burra që në këndejjetë të përsëriten, të hijshëm e zotërinj, si ai.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s