A ishte një akt(ivitet) politik Festivali i Librit?

festivali

Në fakt çdo akt është politik në vetvete dhe ndoshta i tillë edhe duhet të jetë. Megjithatë, shqetësimi se Festivali i
Librit të fundprillit ishte posaçërisht me tone politike është përcjellë disa herë dhe nga disa zëra, qoftë publikisht, qoftë ‘off record’. Po, pse qe i tillë? Përmendet për shembull fakti se botuesja e kryeministrit Rama, zonja Arlinda Dudaj e ‘botimeve Dudaj’ ishte primadona e aktivitetit. Festivali ishte njëfarë ‘shpërblimi’ për botimin e ‘Kurbanit’, një libër që u shit konsiderueshëm, aq sa për të bërë vend edhe në formularin e deklarimit të pasurisë së, asokohe shef i opozitës, Edi Rama. Një tjetër shenjë e politikes, ose më saktë e majtizmit të Festivalit, ishte edhe çmimi ‘Ardian Klosi’, publicistit të ndjerë, një aktivist social e politik, mik i z. Rama, dhe një përçues inkandeshent i ideve të majta dhe i një opozitarizmi të artikuluar e nganjëherë të përtejcaktë kur në pushtet ishte qeveria e z. Berisha. Krijimi i një çmimi me emrin e Klosit ishte njëfarë legalizimi i trashëgimisë së majtë; të tij por edhe të pagëzuesve e sponsorizuesve të aktivitetit e të çmimit. Për të mos harruar jurinë, e cila ishte në fakt e majtë që ç’ke me të. Në panel bënin pjesë Mustafa Nano, artikulues i tezës se për të mundur Berishën duhet të krijohet qoftë edhe ‘aleanca e të gjitha qelbësirave’; Pirro Misha, botuesi i titujve pak-e-sak, por që është sak-e-plot i ideve të majta; Iris Luarasi një aktiviste sociale e pedagoge e Filologjikut gjithaq e majtë, po ku-e-ku më zëlartë në mbrojtjen e tezave. Ai që ngjan si përjashtimi nga rregulli, Ylljet Aliçka, shkrimtar dhe ambasador në kohën e Berishës, në fakt sa e përforcon rregullin e kësaj jurie 
ala La Rive Gauche. (Për të përdorur forcën e krahasimit, Panairi i Librit të nëntorit 2012 ka patur si pjesëtare të jurisë edhe përkthyesen Mirela Kumbaro, sot ministre e Kulturës në qeverinë e majtë, por edhe emra të tjerë dashamirës me këtë anë të spektrit politik). Ilustrues i së majtës si ngjyrë e Festivalit të Librit është edhe autori i vitit në Publicistikë, intelektuali Ardian Vehbiu. Ai e ka deklaruar veten mik të kryeministrit, gjë që shpjegon edhe statusin e redaktorit të ‘Kurbanit’, librit post-humbje dhe para-fitore të Ramës. Fakti që Vehbiu u shpall fitues i bën megjithatë atentat të gjitha dyshimeve ose të paktën i tejkalon ato. Kush e ndjek publicistikën shqiptare nuk ka se si të mos pajtohet me atë se Vehbiu dhe blogu i tij peizazhetefjales është një mushkëri prej nga merr frymë hapësira jonë e tkurrur intelektuale. Vehbiu e meriton këtë çmim si një demiurg, që edhe pse larg fizikisht prej hapësirave ku flitet shqipja krijon hapësira të shqipes. Çekani me gjithë drapër që simbolizon majtizmin e Festivalit është Promovimi ekskluziv i Rexhep Qosjes. Akademiku kosovar ka qenë dhe mbetet një trajektore e enverizmit në kulturën e së majtës shqiptare. Disa kanë shkuar deri aty sa i kanë mveshur një ngjyrim politik edhe vetë emrit të aktivitetit, dmth fakti se ai është quajtur Festival duke sjellë kështu, qoftë edhe me subkoshiencë, një reminishencë ose dëshirim të para ’90-ës. Kjo ha debat. Çfarë nuk diskutohet ama, janë disa të meta të tjera, jopolitike, të këtij prezantimi të parë të Festivalit të Librit. Meqenëse ato nuk janë argument i këtij komenti duhet përfunduar me atë se një përballje politike në rrafsh kulturor nuk është një gjë e keqe. E djathta politike apo kulturore nuk duhet të xhelozohet prej kësaj, por të guxojë me shembullin e vet. Po, Festivali i Librit ishte një koshere të majtësh. Asnjë problem me këtë. Hiq atë se, përjashto rastin e donacioneve private, duhet bërë transparenca e financave që kanë shkuar për të. Sepse lekët e buxhetit të shtetit u përkasin të gjithëve dhe nuk duhet ta njohin pabarazinë apo preferencën ndaj së majtës e së djathtës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s