Shqipëria, nuk është vend për të sëmurët

download (1)

Një i huaj i ka thënë se Shqipëria është një vend shumë i mirë për të jetuar deri kur sëmuresh. Atëherë bëhet anormal, i pajetueshëm, një territor i Botës së tretë.

Shumëkush që ka patur të bëjë me sistemin shëndetësor shqiptar, (klinikat, spitalet shtetërore dhe private apo qoftë edhe farmacitë), me siguri që mund të thotë: po, kjo e shpjegon edhe ndjesinë time.

Pse Shqipëria nuk është një vend për të sëmurët? Dramatikja e përgjigjes, që jo rrallë është edhe tragjike, ka të bëjë me atë se në Shqipëri nuk ka të sëmurë, nuk ka pacientë; ka vetëm klientë. Këtë e shpjegon edhe një numër shpërpjestimisht i madh, në raport si me metrat katrorë por dhe me numrin e banorëve, i klinikave dhe spitaleve private. Si kudo tjetër, edhe në sistemin shëndetësor ka triumfuar imitimi. Shqiptari është gati dhe e ka për borxh të imitojë çdo gjë. Për asnjë motiv më shumë sesa për atë se imitimi e përjashton kreativitetin. Sindroma e imitimit bashkangjitur asaj të pasurimit të shpejtë, mundësisht të menjëhershëm, i shpjegon kërpudhat e helmëta të ndërtesave që pretendojnë shërbim shëndetësor.

Spitali, në radhë të parë duhet të jetë një gjë, ngrehinë apo dhe ide, që të imponon respekt. Përjashto rastet e fushimeve në sheshbeteja, spitali është një institucion që ka hijen e kishës, edhe për atë se kishat qenë ndoshta të parat që i hapën dhe sponsorizuan këto strehë shelbimi. Në trininë apo fazat e njeriut: jeta, shelbimi (trupor) dhe vdekja, spitali është aty si ndërmjetës dhe si garantues. Që do të thotë, apartamente dy-dhoma-një kuzhinë nuk mund të jenë spitale ku mund të pretendosh shërimin. Skuta ku mund të hidhet fall, po, por kaq.

As përpjekja për t’i veneruar me emrat bombastikë nuk është plotësim i idesë së spitalit: në të kundërt shpjegon një nevojë të jashtme për të përligjur diçka të brendshme të munguar. Siç nuk është përmbushës as ai rasti tjetër kur mjediset janë të bollshme, katet të shumta, prezenca imponuese, por mungon qëllimi i parë i mjekësisë: kujdesi shëndetësor, dhembshuria për njeriun, të besuarit te betimi i Hipokratit, dhe jo te llogaria bankare e pacientit.

Pacienti shërohet ose beson te shërimi i tij edhe kur ndeshet me një mjedis hospitalor (mikpritës e empatik). Siç nuk është rasti i një spitali të madh privat në dalje të Tiranës, i cili e fillon kontaktin e parë me vizitorët me një kundravajtje: hyrja dhe dalja e tij të nxjerrin e të shpien direkt në një rrethrrotullim. Në çdo vend të botës do të zhvendosej o spitali o rrethrrotullimi: më të paktën do vendosej një tabelë paralajmërimi të fortë. Kjo befasi e keqe të shoqëron edhe në mjediset hyrëse të brendshme, kur në kontakt të parë të krijohet përshtypja se ke ardhur aty për të bërë biznes dhe jo për një problem shëndetësor. Ka më shumë kostume blu sesa bluza të bardha; më shumë radio dore sesa stetoskopë; më shumë recepsionistë se mjekë apo infermierë; më shumë prani bankash e mjedisesh ku lëvrohen para, sesa këshillimore mjekësore.

Të duket sikur je në një dhomë tregtie ose panair mallrash. Por ndoshta dikush ka menduar, biznesi në fillim e mjekimi më pas. Ndoshta duke mos i trajtuar njerëzit si pacientë, por si klientë i heq ekuacionit një hipokrizi të panevojshme. Por, hipokrizitë nuk kanë fund. Një e tillë është rasti i mjekëve shtegtarë që i sheh të të mbijnë para syve sa në një spital në tjetrin; sa nga publiku te privati.

Për të perifrazuar një titull filmi amerikan No country for old men edhe Shqipëria është No country for sick men.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s