Opozita e erës sonë: Kryetar i ri, protestë e re

1957907_691093404275177_2062662056_o

Të gjithë ata që e kanë portretizuar shefin e ri të opozitës, duke filluar që nga zgjedhjet vendore të majit 2011, si një profil të ri, bartës të pozitivizmit, e bashkë me të të një frymë të re në politikëbërje, janë shpaguar dje. Me anë të një proteste. Tek silueta e saj mund të gjesh edhe fizionominë politike të Lulzim Bashës, ose asaj që pritet të jetë opozita shqiptare e erës së re. Ajo që kemi parë dje na ka dëshmuar atë që Basha është, dhe atë që PD e aleatët e saj të njëmendtë do të jenë nesër: një opozitë e argumentit; një opozitë kreative, një opozitë civile; një opozitë e re. Ndoshta te cilësori e re duhet përqendruar i gjithë argumentimi i asaj që ka ndodhur dje në Tiranë: në një shesh ku palët politike, PD e PS, e djathta dhe e majta, edhe pse këta terma duhen përdorur me njëfarë ngurrimi, janë derdhur në zhurmhuri sipas parimit jetë a vdekje. Vdekja jote, jeta ime. Morsa tua vita mea. Dje ka qenë një nga ato ditët e bukura të protestës edhe për një fakt tjetër. Aty ku të protestuarit ka patur kulmin e vet dhe ka hedhur rrënjë si simbolikë, aty dhe u mbyll ajo simbolikë për t’i lënë vendin një tjetre. Një simbolike të opozitës së mileniumit të ri. Berisha e dorëzoi dje, aty ku e mori, shpirtin e mbarsur me protesta e shumë luftë, beteja e plot suksese të partisë së tij, për t’ia dorëzuar Lulzim Bashës, shefit të ri të opozitës. Agamemnoni, si zot lufte dhe triumfesh u tërhoq dje, si burrat, i pavrarë në ‘vaskën dhe rrjetën e krimit politik’. Duke ia lënë vendin një djali të ri, i cili nuk e ka as mitin, dhe ende as krifën e tij të dueleve të mëdha, por në të kundërtën ka normalitetin. Ky normalitet në fakt është bash çka na duhet, çka i duhet opozitës dhe Shqipërisë. Nuk është sigurisht kthim në normalitet, sepse kemi qenë në ishuj normaliteti por jo në kontinentin e tij, por është normalitet nga fillimi. Le ta shohim Lulzim Bashën si themelues të kësaj, për një moment, edhe nëse ti që i lexon këta rreshta je në anën tjetër të ledhit politik. Në këtë kuptim nuk ka vend për të numëruar se sa vetë ishin dje në shesh. Cilësia ishte ajo që e rrëfente historinë e së djeshmes, dhe jo numrat. Matematika shpesh është një ngucje për të zbuluar apo mbuluar varfërinë. Përmasa e së djeshmes ishte e një rrafshi jolëndor. Pak gjëra janë të tilla në jetë, e pikërisht se janë pak duhet t’u gëzohemi. E këtillë ishte protesta e djeshme e opozitës. Jashtë matematikës Ajo i dha përgjigje megjithatë gjeometrisë dashakeqe të anti-opozitarëve. Ose të spin doctor-ëve të more-ku-jesë që i parathanë 20 shkurtit trazira, skenarë e shumë zhurmë për asgjë. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Demokratët e një ere të re, ka patur mes tyre edhe jodemokratë megjithatë, zbritën dje në sheshin kryesor të Tiranës sikur të kishin dalë nga ideja e protestës të një qyteti skandinav. U detyrohemi edhe atyre, por edhe formacionit politik që i thirri në shesh, atë demonstrim me vetëm një axhendë. Asaj më të thjeshtës e civiles: jemi këtu; dëgjojeni zërin tonë, ju lutemi! Kështu filloi e kështu u mbyll. Nën shenjën shpresëdhënëse opozitare: kryetar i ri, protestë e re.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s