Për një ndryshim të teknikës qeverisëse: plani në fillim, pastaj provokimi

download (1)

Kryeministri Rama, me të drejtë, u kujton kundërshtarëve politikë kohën kur edhe Tirana ishte në epokën e furgonit. Ka të drejtë, gjithashtu, në pretendimin e tij estetik për ta kthyer hapësirën qytetëse a ndërqytetëse në një rrafsh estetik: që Shqipëria të ketë më shumë peizazhe europiane sesa të Lindjes së Mesme. Ndoshta të gjithë jo, por disa prej nesh, edhe pse shumëve mund t’u duket pak si shumë, duam megjithë mend që Shqipëria të fillojë t’i ngjajë, deri diku e një ditë, imagjinatës që kemi për të.

Në trajektoren e kësaj imagjinate rri edhe z. Rama përderisa u ngrit mbi të tjerët me provokimin e radhës, atë të spastrimit të territorit nga furgonët. Por, shefi i qeverisë dhe ministrat e tij, duhet të kujdesen që para se të bëjnë provokimin të kenë gati një plan. Sepse, fatkeqësisht, nuk është hera e parë që pa mbërritur plani provokimi vjen me alarmin e autoambulancës sëemergjencës kombëtare. Ky me furgonët është i disati në radhë, dhe më poshtë vijojnë arsyet se pse është një provokim, dhe pse jo një plan.

Është provokim sepse çoi në reagimin e menjëhershëm të 21 mijë shoferëve të këtyre mjeteve që ‘patrullojnë’ hapësirën shqiptare në kërkim të udhëtarëve, dmth të bukës së gojës. U kërcënua me bllokim rrugësh, greva urie e marshime proteste, dhe një pjesë e kësaj axhende sindikale është realizuar tashmë. Një shofer kuksian furgoni, në atë urtinë që nganjëherë vetëm njerëzit e thjeshtë mund të prodhojnë, tha: do të bllokojmë Rrugën e Kombit; rruga është e jona, por edhe kombi është i yni! Kryeministri duhet të ketë kujdes me paradigmën që ia pëshpërit vetes, sipas së cilës ‘kombi është ai’. Me sa duket, siç edhe vëren shoferi kuksian, të tjerët janë kombi.

Nuk është plan, sepse nuk u përgjigjet disa pyetjeve fillestare, si për shembull: Ç’do të bëhet me këto biznese të vogla, 21 mijë të tilla, që ‘ulin qepenat’ në një ditë të vetme? Po me familjet që ata ushqejnë, le të themi me 100 mijë vetë nëse e shumëzojmë me 5 numrin e furgonëve duke marrë si bazë një familje mesatare shqiptare? Kush do t’i transportojë ata njerëz që udhëtojnë me këta furgonë nga një qytet në tjetrin? A ka një plan B për zëvendësimin e këtyre mjeteve? Ç’do të bëhet me taksat që këta operatorë i kanë paguar shtetit; a do t’i marrin mbrapsht apo do t’i humbin përjetë?

Ajo që ndodhi në ditën 2 dhe 3 të post-provokimit dëshmoi se, në fakt, një plan nuk ka ekzistuar. Guximin reformator të qeverisë, proklamuar nga dy ministra, e futi në ujë kryeministri, i cili u tërhoq duke e prerë ndryshe, pak më hollë, planin e kryeherës për ‘nxjerrjen jashtë ligjit të lëvizjes me furgon’.

Përpjekja për të rregulluar një sektor të derregulluar si transporti privat ndërqytetës, megjithëse duket në pamje të parë si shtysë për të disiplinuar si transportin ashtu dhe trafikun, por edhe alternativat e lëvizjes së udhëtarëve, bën të kundërtën. E fut edhe më në kaos jetën ndërkohë kaotike të shqiptarit. Nuk është hera e parë që qeveria Rama zgjedh këtë qasje ndaj punëve publike. Zhurma e madhe, që ende vazhdon, e shembjes me tritol të ndërtimeve me apo pa leje, është e kësaj ngjyre, gjithashtu. Është folur përlungomaren (anëdetësen) e Vlorës, por një plan konkret të saj nuk e ka parë askush, e megjithatë shembjet përgjatë bregut kanë nisur prej kohësh. Edhe estetikisht, çdo shembje, gropën a gërmadhën e së cilës nuk e nxë diçka tjetër, do të jetë edhe më e shëmtuar se ndërtimi vendin e të cilit zuri.

Provokimet, spektakli dhe habia e madhe që vjen me to janë, sigurisht,teknika të shkëlqyera Pr-i (marrëdhëniesh me publikun), por nëse nuk shoqërohen me një plan, ato nuk janë qeverisje e mirë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s