Komunizmi i LSI si përpjekje për ri-ideologjizim dhe një rezolutë europiane

Enver Hoxha Addressing Albanian People

Partitura politike e dy-tri javëve të fundit ka qenë në kufijtë e kakofonisë, me orkestrat e të dy palëve që, sipas rastit kanë luajtur me Valkyritë e Vagnerit apo fugat rrotulluese të Bahut. Në mes PD e PS ka qëndruar, në një pozicion në dukje komod, Lëvizja Socialiste për Integrim. Diskursi i LSI ka qenë i mbushur me marshe partizane dhe thirrje për një ripozicionim publik ndaj Luftës Nacional-Çlirimtare, Partisë Komuniste e deri edhe vetë Enver Hoxhës.

Duke përjashtuar emotivitetin, në partinë e Metës sa do ishin gjasat që ligjërimi politik të bënte xhiron boshe të emocionit apo idealizimit, cilat mund të jenë shkaqet e kësaj kthese të LSI?

Nuhatja e hollë politike e z. Meta ka kapur ajrin e rralluar të ideologjisë në falangat e partisë së tij. Nëse edhe atij vetë do i kërkohej të përcaktonte me një fjalë të vetme identitetin e LSI, do të bashkohej me mendimin kolektiv për të thënë ‘pragmatizmi’. Partitë, megjithatë kërkojnë një bosht ideologjik, ose të paktën një lejtmotiv, për t’iu përgjigjur një pyetjeje thelbësore: cili është misioni ynë? Gjetja e vendeve të punës qoftë edhe për të gjithë masën e anëtarëve, apo shtimi i numrit të deputetëve në parlament janë arritje, por mision nuk mund të konsiderohen. Në një kuptim politik, jo të paktën.

Për këtë eksponentët e LSI, Meta, Rama e Vasili e kanë pasuruar fjalorin dhe aktin politik me ‘komunizëm të butë’ ose me para komunizëm, duke theksuar luftën antifashiste si një kundërbalancë të asaj që erdhi më pas gjatë 46 viteve të diktaturës staliniane të Hoxhës.

Në përpjekje për të ideologjizuar një parti që humbi çdo ideologji në dy zgjedhjet e radhës për në parlament, krerët e LSI po përpiqen të klonojnë gjene shpirtërore në një mjedis pragmatist.

Dy janë fashat e popullsisë së cilës i drejtohen: veteranëve e nostalgjikëve të komunizmit dhe një rinie ende në kërkim identiteti, që është lindur pas viteve ’90 dhe e konsideron përqafimin e komunizmit, ndër të tjera, si një formë rebelimi social e familjar. Të parët janë një specie në zhdukje e sipër dhe kjo për arsye biologjike. Të dytët janë, jo vetëm të paqëndrueshëm si fashë elektorale prej së cilës mund të nxjerrësh vota, por i ndan me LSI edhe një mur konceptualiteti. Ky grup bizar neomarksistësh kërkon pak më shumë frymëzim se ç’mund të ofrojnë eksponentët e kësaj partie: pak më shumë revolution, pak më shumë çegevarizëm, dhe ndoshta duan të dëgjojnë edhe ndonjë maksimë të Slavoj Zizekut.

Në LSI janë shumë pragmatistë për të lexuar neomarksistin sloven.

Këto janë ironitë në planin e brendshëm në këtë përpjekje për ri-ideologjizim të LSI. Ka një edhe më të madhe në të jashtmin. Fakti se LSI e pikturon veten si parti të Integrimit. Domethënë atij europian. Dikush në Europë duhet t’u çojë një shenjë europëdashësve shqiptarë: kontinenti i vjetër i ka mbyllur llogaritë me komunizmin. Pikërisht duke miratuar një rezolutë kundër krimeve të komunizmit. Rezoluta 1481/2006 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e 25 janarit 2006. Ndërgjegja europiane e ka bërë paqen e saj. Shqiptarja ende jo. Ja, sa të dalim edhe nga kjo stinë pragmatizmi.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s