Komunizëm në Facebook (me vetëm dy stilema)

download

Një koment, i autorit të këtyre radhëve, botuar pardje te MAPO, bëri xhiron e botës të nesërmen (me botë nënkupto Facebook-un). Ndoshta, edhe pse merrej pikërisht me Facebook-un ose më saktë me raportin/ betejën media e re/media e vjetër. Facebook hyn tek e para, shtypi i shkruar tek e dyta.

Kur diçka bën xhiron e botës në Facebook, nuk e ka fatin që të bredhë në këtë domain, e lirë dhe e bukur, si ide. Më shumë ajo vjen, në atë kutizën ‘çfarë ke në mendje’ të këtij rrjeti social, si shpagim ndaj autorit i cili mundohet të përcjellë një kumt. Edhe shkrimi në fjalë këtë fat pati. U pa si një teori konspirative e këlyshëve sorosianë (cit.) për të vazhduar me pushtetin politiko-mediatik të së vjetrës përballë mbërritjes fatlume të Facebook-ut e revolucionarëve të rinj që bash këtu do e bëkan Pranverën shqiptare duke e nxjerrë vendin (kur më?) ngadimri i zisë së madhe.

Ky reagim në të nxehtë e në të cekët, apo dhe teoria konspirative me Soros që e vishte, nuk bën përshtypje sa të ‘godet’ një fjalë-stilemë: këlysh. Çfarë ka te kjo fjalë që shqetëson, jo vetëm për atë se bart një konotacion të së vjetrës, por edhe se bërtet pakuptim në një kontekst të ri. Këlysh ka ardhur deri në ditët tona nga leksiku komunist, huazuar nga zhargoni rural me qëllim të denigrimit të kundërshtarit politik apo ideologjik. Kështu: këlysh i Ballit, këlysh kulaku e të tjera. Shpjegon gjithashtu edhe një paralele tjetër të jetës së njeriut të ri komunist në Shqipëri: mungesën e pronës private, rrjedhimisht edhe të kafshëve shtëpiake. Asokohe qentë ishin diçka pothuajse e munguar, sepse as nuk konceptohej dot mbajtja e tyre në një realitet ekonomik ku mbijetesa e njerëzve ishte në llogari. Kështu, një qen ishte një bezdi, sepse qe dhe një gjest mikroborgjez. (Lasgushi e ka një episod në kujtimet e tij me Çuçin, qenin e dashur që ata të Partisë ia morën për ta vrarë).

Ky është pra këlyshi si stilemë në reagimin e përdoruesit të më lartpërmendur të Facebook-ut. Një tërbim proletar për pakicën që kërkon t’ia marrë popullit bukën e përditshme (supremacinë e FB). Biem aq shpesh nëforma mentis totalitarist sa as nuk e kuptojmë. Dhe, nuk jemi për t’u fajësuar. Ka qenë kohë e gjatë dhe e errët. Pa kafshë shtëpiake për ta zbutur këtë tmerr. Nuk e ka tjetërsuar këtë formë të menduari as epoka e re me media të reja dhe kode të reja kulturore e bihejvioriste. Një epokë ku qenushët (këlyshët e dikurshëm, por për disa edhe të sotëm) duhen shumë. Sidomos nga zonjushat e reja që i mbajnë krahaqafë rrugëve të qytetit si një dashuri kurrë më parë të patur. Por kjo zemëratë ndaj këlyshëve shpjegon edhe qentë e shumtë të rrugës, që dikur kanë qenë qenushë e më pas janë flakur si qen bir qenërish (dmth këlyshë).

Këtë jam duke menduar, në makinë, me radion ndezur, teksa kthehem në shtëpi natën vonë pas pune. Një çast pushon muzika dhe fillon një edicion lajmesh. Ndër të rejat e ditës edhe fakti se Facebooku i Mark Zuckerberg-ut mbush 10 vjeç. “Ka mbi një miliard shfrytëzues”, shpall folësi. Shfrytëzues?! Nuk e ka gjetur në doracakun e vogël të fjalëve të veta neutralen, kapitalisten, pronësoren, në fakt, përdorues?! Ja ku zbriti edhe njëherë nga lartësitë e palavdishme të forma mentis-it komunist kjo fjalë e vjetër, por jo e urtë. Shfrytëzimi i njeriut prej njeriut, klasat shfrytëzuese, beu…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s